Fajon ripërsërit: Ose votojeni demarkacionin, ose s'ka viza për Kosovën

Politika

Fajon ripërsërit: Ose votojeni demarkacionin, ose s'ka viza për Kosovën

Nga: B.S Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 13:54
Pamje nga takimi i eurodeputetes Tanja Fajon në Komisionin për Integrime Evropiane

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, takoi sot eurodeputeten, njëherësh raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon. 

Në fillim të takimit, kryetarja e Komisionit Njomza Emini, e falënderoi eurodeputeten Fajon, për vizitën, dhe më pas, e njoftoi atë për angazhimet  e komisionit, e që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, përcjell Bota sot.

Emini në vijim tha se angazhimi për liberalizimin e vizave për qytetarët është një ndër çështjet më të rëndësishme, dhe lidhur me këtë ajo kërkoi përkrahjen e  raportueses për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Fajon.

Lidhur me këtë, eurodeputetja Fajon, ritheksoi se, për liberalizimin e vizave, Kuvendi duhet të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ajo bëri thirrje që procesi i demarkimit të kufirit të përfundojë, sepse, sipas saj ky është kusht i patejkalueshëm për BE-në.

Folën më pas edhe deputetët: Donika – Kadaj Bujupi, Xhavit Haliti, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Arben Gashi, Time Kadrijaj dhe Fatmir Xhelili,  të cilët nënvizuan se janë të përkushtuar për të punuar në agjendën e integrimeve evropiane, ndërkaq, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, përfaqësuesit e opozitës thanë se janë kundër versionit të marrëveshjes së nënshkruar.

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, iu premtoi anëtarëve të komisionit se shqetësimet dhe rekomandimet e shfaqura gjatë takimit, do tua bëjë të ditura bashkëpunëtorëve të saj./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat