Skenarët e sllavomaqedonëve, rrezik për skenarët e përgjakshme në Maqedoni!

Politika

Skenarët e sllavomaqedonëve, rrezik për skenarët e përgjakshme në Maqedoni!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 shkurt 2017 Në ora: 14:35
Kumanovë, maj 2015

“Meqenëse Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe familjes së tij  janë përfshirë  në kriminalitet të thellë  ka gjasa të  inskenojnë  raste si ai i Kumanovës për të shpëtuar klani i tyre mafioz nga Prokuroria Speciale” shprehet Xhelili.

Disa persona të armatosur e që janë të vendosur në një vendbanim shqiptar në Maqedoni, janë duke komunikuar me Xhezair Shaqirin apo siç njihet komandant Hoxha.

Shaqiri ka treguar në rrjetin social “Facebook” për një grup prej 80 personave,  disa djem që kërkojnë ndihmë nga ai sepse dëshirojnë hakmarrje ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Janë  disa djem që më shkruajnë ditëve të fundit në fb dhe viber dhe thonë Komandant vetëm ti të besojmë na jep mendime apo na ndihmo jemi disa djem që dojmë  të hakmeremi kundër tradhtisë ndaj shqiptarëve të mk. Këta persona disa janë me profile dhe foto të vërteta e disa me profile të rem , por sipas shkrimeve të  tyre vërehet patriotizëm dhe sinqeritet. Mes tjerave më  kanë  thënë se janë dikund në vendbanimet shqiptare të  armatosur  dhe presin të  veprojnë” ka shkruar Shaqiri.

I kontaktuar nga “Bota sot”, për ta pyetur nëse ky mund të jetë një sinjal sikur rasti i Kumanovës dhe nëse është një inskenim sllavo-maqedonas, Komandant Hoxha, nuk pranoi të përgjigjej.

Ndërsa,  sipas njohësve të zhvillimeve në Maqedoni, deklarata e Komandant Hoxhës është një sinjal që të shpejtohen shqiptarët e maqedonasit për zgjidhjen e ngërçit politik, deri në eskalimin e situatës në përmasa të luftës qytetare.

Situatë e tensionuar

Njohësi i zhvillimeve në vend njëkohësisht gazetari, Hamdi Nuhiju, tërë këtë e lidhë me situatën politike në vend.

Nuhiju thotë se edhe përkundër zgjedhjeve të parakohshme, nuk është krijuar një qeveri stabile ose jo stabile.

“Situata politike në Republikën e Maqedonisë është tejet e tensionuar. As para vitit 2001 në Republikën e Maqedonisë nuk kemi pasur një klimë të këtillë politike si tani. Edhe pse zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën me 11 dhjetor të vitit 2016 ato nuk prodhuan një qeveri stabile ose jo stabile. Menjëherë pas zgjedhjeve duhej zgjedhur kryetari i Parlamentit, ndërsa kjo gjë nuk u bë nga partitë në pushtet. Si rezultat i mungesës së kryetarit të Parlamentit, pa dëshirë mund që të kemi edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale të cilat duhet që të mbahen tash në maj me nënshkrimin e kryetarit të Parlamentit. VMRO-DPMNE po përdorë një retorikë të ashpër kundër BDI-së dhe subjekteve politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Ata haptas i kanë shpallur luftë ojq-ve të financuara nga SOROS-i si dhe kanë sulmuar ambasadën e SHBA-ve në Shkup” pohon Nuhiju.

Nuhiju thotë se thirrjet për luftë kanë dalë në shesh.

“Thirrjet për luftë nga ana e nacionalistëve maqedonas kanë dal në shesh. Në anën tjetër protestat kundër EVN-së janë aktivizuar dhe tashmë po marrin përmasat e protestave kombëtare duke u shtrirë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Deputeti shqiptar i LSDM-së, Muhamed Zekiri u sulmua. Linçimet publike në medie nuk mungojnë as nga VMRO-DPMNE-ja por as nga qarqet tjera pro ruse në Republikën e Maqedonisë. Shqiptarët për të parën herë përpiluan një platformë të përbashkët politike me të cilën u paraqitën në bisedime njëherë me VMRO-DPMNE-në e tash edhe me LSDM-në. Platforma shqiptare ka trazuar ndjenjat nacionaliste maqedonase dhe si duket ka reflektuar në krijimin e një platforme maqedonase. Një taktit tashmë e njohur nga partia në pushtet që ndaj secilit veprim të krijohet një kundër veprim” shprehet Nuhiju.

Ai pohon se në këto rrethana politike tek shqiptarët e Maqedonisë opsionet duhen hapur në tavolinë dhe këtë e ka kuptuar edhe Shaqiri.

Sipas Nuhiut, deklarata e Komandant Hoxhës nuk është refleksion i një realiteti të një fryme ushtarake shqiptare por është sinjal që gjërat të bëhen më shpejt.

“Në rrethana të këtilla politike tek shqiptarët e Maqedonisë të gjitha opsionet duhet që të hapen në tavolinë. Këtë gjë e ka kuptuar shumë mirë edhe Xhezair Shaqiri, ish Komandant Hoxha. Ai shkruan jo i sigurt në postimin e tij se ka diku në një vendbanim shqiptar 80 ushtar që janë në gjendje të hakmerren për Grupin e Kumanovës. Deklarata e Komandant Hoxhës nuk e besoj se është refleksion i një realiteti të një fryme ushtarake shqiptare në Maqedoni, por thjeshtë një sinjal i asaj që të nguten si shqiptarët si maqedonasit me zgjidhjen e ngërçit politik deri në eskalimin e situatës në përmasa të luftës qytetare” thekson Nuhiju.

Kurse, javë më parë Komandant Sokoli kishte dhënë një dëshmi, që sipas tij një dëshmitar është duke ikur, që e kërcënojnë dhe e maltretojnë sikurse të gjitha ata, prandaj pas kësaj deklarateje ekziston mundësia që edhe deklarata e Komandat Hoxhës të niset pas kësaj dëshmie.

Por, Nuhiju thotë se nuk ka lidhje me atë deklaratë, sepse nëse do të kishte ndërlidhje të tillë atëherë Komandat Hoxha nuk do ta merrte guximin t’i demaskonte në internet.

Sipas Nuhijut, Xhezair Shaqiri e ka analizuar mirë tërë situatën aktuale politike para se ta bëjë publike atë qe e ka bërë.

“Nuk e besoj se Komandant Hoxha atë deklaratë e ka bërë duke e lidhur me deklaratën e Sami Ukshinit, Komandat Sokolit. Nëse do të kishte një ndërlidhje të tillë dhe nëse vërtet do të përgatitej një skenar si Lagja e trimave-2, Komandant Hoxha nuk do të merrte guximin që t`i demaskonte ato në internet. Thjeshtë me atë deklaratë ai po dëshiron që forcave politike t`i thotë se edhe ai është pjesë e lojës duke kontribuar sado pak në përshpejtimin e proceseve politike në vend. Nëse e kam lexuar drejt deklaratën e tij, atëherë ajo në vetvete nuk është e dëmshme. Kam bindjen se Xhezair Shaqiri e ka analizuar mirë tërë situatën aktuale politike para se ta bëje publike atë që e ka bërë” pohon Nuhiju.

Gruevski është i përfshirë në kriminalitet të thellë

Kurse analisti politik, Zudi Xhelili, nuk përjashton mundësinë që këta personat  e armatosur mund të inskenojnë raste si ai i Kumanovës.

Sipas Xhelilit, meqenëse Gruevski është i përfshirë në kriminalitet të thellë, mund të inskenohen rastet si i Kumanovës.

“Meqenëse Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe familjes së tij  janë përfshirë  në kriminalitet të thellë  ka gjasa të  inskenojnë  raste si ai i Kumanovës për të shpëtuar klani i tyre mafioz nga Prokuroria Speciale” shprehet Xhelili.

Ai thotë se dëshmia e fundit e Komandat Sokolit hap dilema, mirëpo në këtë rast ekzistojnë provokime dhe inskenime që janë të ngjashme me atë që i ka bërë dhe është duke i bërë Serbia në Kosovë.

“Dëshmia e fundit e Komandant Sokolit ka hap shumë dilema, besoj që kjo dëshmi dhe shumë tjera do ta zbardhin në tersi të vërtetën për rastin Lagja e Trimave. Në  këtu kemi provokime dhe inskenime të ndryshme që janë  të ngjashme me ata që  i ka bërë  dhe po i bën Serbia në  Kosovë. Neve vazhdimisht na përcjellin situata të tilla vetëm e vetëm që pala sllave t’i arrijë qëllimet e veta” përfundon”  Xhelili.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat