Amaneti i Ibrahim Rugovës për LDK-në që do ta votonte AAK-ja, por PDK...

Politika

Amaneti i Ibrahim Rugovës për LDK-në që do ta votonte AAK-ja, por PDK...

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 22 shkurt 2017 Në ora: 11:47
Simbolet shtetërore të propozuara nga presidenti Rugova, flamuri i Dardanisë dhe himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” ishin amaneti tij lënë LDK-së

Kosova më 17 shkurt festoi përvjetorin e 9 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por edhe pas 9 viteve të shpalljes shtet,  simbolet shtetërore të propozuara nga presidenti Rugova, flamuri i Dardanisë dhe himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, që ishin amaneti i presidentit të ndjerë, lënë LDK-së, kjo e fundit nuk ka arritur të bëj ndryshimet e nevojshme që këto propozime të jenë edhe simbole shtetërore.

Kryetari i LDK, tash kryeministër i vendit, Isa Mustafa, gjatë fushatës elektorale kishte paralajmëruar ndryshimin e simboleve shtetërore, e ku sipas Mustafës, Kosovës do t’i kthehej flamuri dardan e himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”.

“Istogu ia dha Kosovës Presidentin Rugova, ia dha edhe Fadil Feratin. Ne do t’ia kthejmë Kosovës himnin “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” dhe flamurin e Dardanisë”, kishte premtuar Mustafa gjatë takimit me strukturat e LDK-së dhe qytetarët në Istog në kohën e fushatës elektorale të vitit 2014.

Arsyetimi i LDK-së

Por deri me tani edhe pse drejton qeverinë, Mustafa nuk ka arritur ta përmbush një gjë të tillë. I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Sadri Ferati, deputet i LDK-së ka thënë kthimi në simbolet e Rugovës gjithmonë është objektiv i LDK-së, por një gjë e tillë kërkon ndryshime kushtetuese, si dhe konsensus me komunitetet dhe me të gjithë partnerët e tjerë.

“Është gjithmonë objektiv i LDK-së, kthimi në simbolet e presidentit Rugova, duke marr parasysh edhe stemën, por ato kërkojë ndryshime kushtetuese, kërkojnë një ambient mirëkuptues, edhe prej komuniteteve por edhe partnerëve të tjerë, çka do të thotë që Kosova në këto tri vite të me gjithë tensionet e zhurmat nuk krijoi ambient që ne ta qesim në diskutim, e qe besoj qe kish me qenë e pranueshme prej shumicës”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, Sadri Ferati.

Sipas tij, realizimi i premtimit të kryeministrit Mustafa, mbetet një objektiv në të ardhmen, pasi tani për tani nuk është i mundur realizimi për shkak të rrethanave dhe mungesës së një konsensusi.

“Kjo mbetet objektiv për të ardhmen, për shkak të rrethanave nuk është mundur realizimi, por jo për shkak të mungesës se dëshirës së LDK-së, por në mungesë të një ambienti të mirëkuptueshem, një mungese të konsensusit pothuajse për gjithçka. Pra mbetet objektiv për të ardhmen, e që në këto vitet e fundit nuk janë paraqitur rrethanat në të cilat ne do te mujshim me parashtrua një gjë të tillë”, thekson Ferati.

Sipas tij kjo duhet të bëhet edhe në partneritet me ndërkombëtarët dhe parterët e koalicionit, pasi një gjë e tillë kërkon 2/8 e votave të deputetëve të kuvendit për ndryshime kushtetuese, e të cilën sipas Feratit në këto rrethana nuk mund ta sigurojnë.

PDK kundër ndryshimeve

Ndërsa, Bislim Zogaj, deputet nga radhët e PDK-së, e cila bashkëqeverisë me LDK-në, për gazetën “Bota sot”, thekson se deklarimet e kryeministrit Mustafa, kanë qenë më shumë një fushatë, duke shtuar se simbolet që ka tani Kosova janë të arsyeshme dhe nuk është nevoja që të ndryshohen.

“Secili deputet i ka bindjet e veta, por derisa ka fitu në kuadër të një partie, sigurisht është i obliguar për të respektuar vendimet e partisë. Sa i përket mendimit tim, ajo mendoj se ka qenë një fushatë, dhe sigurisht se çdo parti në fushatë jep disa premtime të cilat shkojnë në favor të asaj partie për ta fituar votën. Unë mendoj se këto simbole që i kemi për momentin janë të arsyeshme,  dhe mendoj që nuk kemi nevoje me i ndryshu, por megjithatë edhe për këtë çështje vendos partia dhe sigurisht që do të respektoj vendimin e partisë. Për momentin këto simbole janë të arsyeshme, dhe nuk është e nevojshme që të hymë në një agjendë të tillë e cila nuk ka ndonjë dobi të veçantë për shtetin e Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Por, ai ka shtuar se nëse organet e partisë do të vendosin për një gjë të tillë atëherë edhe ai do ta respektonte vendimin e partisë.

AAK do ta votonte pro idesë së Rugovës

Kurse zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, për gazetën “Bota sot”, thotë se nëse do të vije në kuvend një propozim i tillë, atëherë AAK-ja do ta përkrahte një gjë të tillë, por ai ka kritikuar LDK-në.

“LDK e Isës të gjitha parimet mbi të cilat LDK është krijuar parti gjithëpopullore i ka shkelur. Kjo LDK e sotit kurrë ska pasë synim as hymnin as flamurin por i ka pas synim votat e elektoratit Rugovian. PDK nuk e ka penguar LDK-në këtë temë. AAK kishte me përkrahë një propozim të tillë”, ka theksuar Arifi.

LDK e penguar nga PDK-ja

Kurse, analisti Faik Krasniqi thotë se ndryshimi i simboleve shtetërore dhe vendosja propozimeve të presidentit Rugova, padyshim që në këtë pikë, LDK është duke u penguar nga partneri i koalicionit, pra PDK-ja.

“Padyshim që jo vetëm për flamurin dardan dhe himnin e propozuar nga Presidenti Rugova të bëhen simbole të shtetit të Kosovës, janë të penguar nga partneri i koalicionit PDK-ja, por edhe për shumë gjëra të tjera. Mirëpo për këtë gjë LDK-ja dhe z.Mustafa kanë qenë në dijeni që do të kenë probleme. Vlen të kujtojmë nxitjen për djegien e flamurit dardan nga disa nga OVL-UÇK dhe militantët e PDK-së në vitin 2005”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se është i bindur që AAK-ja do ta votonte për këto ndryshime në rast se LDK-ja do ta sillte një propozim të tillë në Kuvend.

“Nëse LDK-ja do ta sillte një propozim të tillë në Kuvend, jam shumë i bindur që AAK-ja do ta përkrahte një propozim të tillë, marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera mes Presidentit Rugova dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj. Por një propozim i tillë nga LDK-ja nuk do të vije, për shkak të frikës së prishjes së koalicionit nga ana e PDK-së”, përfundon Krasniqi.

Kujtojmë se për çfarëdo ndryshime kushtetuese, nevojiten 2/3 e deputetëve të kuvendit të Kosovës.

“Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës”, thuhet në nenin 144, pika 2, të kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat