Tahiri: Marrëveshja e Brukselit për drejtësi konsolidon sistemin e drejtësisë në veri të vendit

Politika

Tahiri: Marrëveshja e Brukselit për drejtësi konsolidon sistemin e drejtësisë në veri të vendit

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 17:21
Debati në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka marrë pjesë sot në dëgjimin publik në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi dhe proceset e zbatimit, së bashku me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.


Fjala e ministres Edita Tahiri është një vijim:


E nderuar zëvendëskryetare e Komisionit, Selvije Halimi, 
e nderuar ministre e Drejtësisë, 
të nderuar anëtarë të Komisionit


Fillimisht ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë për të paraqitur para jush marrëveshjen e Brukselit për drejtësi si dhe për të diskutuar së bashku në lidhje me pyetjet që mund t'i keni.

Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë është një nga marrëveshjet më të rëndësishme të arritura në dialogun e Brukselit pasi që parasheh konsolidimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit. Marrëveshja për drejtësinë parasheh vendosjen e një sistemi unitar të drejtësisë në pjesën veriore të vendit, si dhe shuarjen e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë. Gjithashtu, ajo mundëson që gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët më herët kanë punuar në këto struktura paralele të integrohen dhe të funksionojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës.

Marrëveshja parasheh themelimin e një Gjykate Themelore dhe një Zyre të Prokurorisë në rajonin e Mitrovicës, në përputhje me ligjin e Kosovës, që do të mbulonin shtatë komuna si: Vushtrrinë, Skenderajn, Mitrovicën e jugut, Mitrovicën e veriut, Zveçanin, Leposaviçin dhe Zubin Potokun.

Marrëveshja e mundëson konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, pas shumë vitesh të sfidimit të tij nga ndërhyrjet e Serbisë përmes strukturave paralele në periudhën pas luftës, e veçanërisht që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008.  Qeveria e Kosovës e konsideron këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme, pasi që ajo padyshim do të ndihmoj në normalizimin e situatës në fushën e drejtësisë në pjesën veriore të vendit, gjithsesi duke ju shërbyer edhe nevojave për drejtësi të qytetarëve të saj.

Marrëveshja për drejtësinë është në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve e datës 19 prill 2013, (neni 10), si dhe ligjit të Kosovës për ratifikim e kësaj marrëveshje.

Negociatat për drejtësinë kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe komplekse. Qëndrimi i delegacionit të Kosovës ishte i prerë në mbrojtjen e vijave të kuqe, të cilat nënkuptonin respektimin e plotë të ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe vlerave universale të drejtësisë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pa diskriminim në çfarëdo baze. Marrëveshja përfundimtare ka rezultuar në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës.

Delegacioni i Kosovës në negociatat për çështjet e drejtësisë ka qenë i përbërë nga Kryeministri, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Zëvendëskryeministres dhe njëherazi Kryenegociatores ( më vonë Ministria e Dialogut), si dhe nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Supreme e Kosovës, Gjykata e Apelit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ndërsa me krijimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial edhe këto dy institucione janë pjesë e delegacionit të Kosovës.

Planet specifike të zbatimit janë dakorduar me qëllim që të përfshihen tri proceset relevante: 1. Vendosja e sistemit unitar të drejtësisë në veri të Kosovës, 2. Shuarja e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë, dhe 3. Integrimin e ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Zbatimi praktik i marrëveshjes ka ndjekur dinamikën e përcaktuar në marrëveshjet e zbatimit. Ka pasur vonesa të natyrave të ndryshme si politike, teknike dhe procedurale, dhe kjo është arsyeja pse edhe sot marrëveshja ende nuk është zbatuar plotësisht, edhe pse kanë kaluar pothuajse katër vjet që nga arritja e marrëveshjes. Megjithëse e ka nënshkruar marrëveshjen, Serbisë i mungon vullneti politik për zbatimin e shpejtë të saj, mirëpo ne besojmë në fuqinë ndikuese të bashkimit evropian, duke qenë se Dialogu i Brukselit është kusht për integrime evropiane për të dyja shtetet edhe Kosovën edhe Serbinë.

Kosova nga ana e saj është duke punuar shumë që të përmbush detyrimet e saj zbatuese, megjithatë në mënyrë që procesi të përfundohet, nevojitet zotimi nga të gjitha palët. Kosova ka zbatuar në mënyrë efektive edhe detyrimet e saj përfundimtare që dalin nga konkluzionet e dakorduara me ndërmjetësimin nga BE në 30 nëntor të vitit 2016 në Bruksel.

Zbatimi i planifikuar për 10 janar të vitit  2017 u bllokua nga provokimet e Serbisë me qëllim  destabilizimin të cilat u lansuan kundër Kosovës në dy muajt e fundit. Në këtë kohë tensionet janë ulur ndjeshëm në saje të dy takimeve të nivelit të lartë politik të dialogut të mbajtur me ndërmjetësimin e BE-së. Nëse vazhdon zotimi drejt frymës së dialogut për marrëdhënie fqinjësore, atëherë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi do të ndodhë në një të ardhme të afërt. 


1.  Vendosja e sistemit unitar të drejtësisë së Kosovës në veri të vendit 
 
Në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për Drejtësinë, institucionet e Kosovës kanë përfunduar përgatitjet institucionale për konsolidimin e Gjykatës Themelore në rajonin e Mitrovicës  dhe  Zyres së Prokurorisë Themelore në rajonin e Mitrovicës. Në përputhje me ligjin e Kosovës, ato do të mbulojnë shtatë (7) komuna: Vushtrrinë, Skenderajn, Mitrovicën Jugore, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, siç parashikohet me ligj. Përveç kësaj, është realizuar edhe procesi i zbatimit në lidhje me divizionin e apelit, siç është paraparë në marrëveshje.

Me qëllim që të sigurohet fillimi funksional adekuat dhe me kohë i punës së gjykatës dhe zyrës së prokurorisë, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë masa të ndryshme për të siguruar që objektet e përcaktuara nga marrëveshja të jenë gati për përdorim në kohë të duhur. Ka pasur pengesa në këtë proces, edhe pse me punë janë tejkaluar me sukses.

Gjykata Themelore e Mitrovicës është e vendosur në dy objekte: në hapësirat ekzistuese të Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës dhe në ish-ndërtesën e "Yugo Banka" në jug të Mitrovicës.

Zyra e Prokurorisë Ndërtesa për Këshillin Prokurorial të Kosovës (e vendosur në Mëhallën e Boshnjakëve) është rimodeluar dhe është gati për të filluar punën.

Pas përfundimit të procesit të integrimit, Gjykata e Mitrovicës që aktualisht ndodhet në Vushtrri do të transferohet në dy objektet në Mitrovicë: në lokalet e Gjykatës në veri dhe në jug.

Në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, Kryetari i Gjykatës Themelore do të jetë nga minoriteti serb ndërsa zëvendëskryetari nga shumica shqiptare, ndërsa kryetari i Prokurorisë do të jetë nga shumica shqiptare, ndërsa zëvendëskryetari do të jetë nga minoriteti serb.

Siç është përcaktuar me Ligjin për Gjykatat, janë katër degë, përkatësisht në Leposaviq, Zubin Potok, Vushtrri dhe Skenderaj.
Objektet për katër degët janë gati për përdorim.

Vendndodhja fizike e këtij Divizioni është në aneks ndërtesën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

2. Shpërbërja e strukturave paralele të drejtësisë

Në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të datës 19 prill 2013 (neni 10) dhe të konkluzioneve të dakorduara të BE-së mbi mos-pranimin e rasteve të reja të datës 31 maj 2013, strukturat paralele serbe të drejtësisë janë shpërbërë, gjykatat dhe prokuroritë paralele kanë ndalur funksionimin në fund të gushtit të vitit 2013. Konkluzioni mbi mos-pranimin e Rasteve të Reja i bën thirrje gjykatave paralele të veprojnë deri më 1 shtator 2013 deri në cilën datë ata mund të marrin vetëm raste urgjente civile (d.m.th gjendjen civile, kontestet e punës, pengim në posedim). Konkluzioni i përmendur kërkon nga EULEX-i të marr informacion për të gjitha parashtresat e regjistruara para datës 15 korrik 2013 në lidhje me parimet për mbrojtjen e të dhënave personale. Ruajtja e rasteve do të mundësoj respektimin e afateve të parashtrimit të rasteve në Gjykata, me ndihmën e EULEX-it.

3. Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Marrëveshja për zbatim specifikon detajet në lidhje me integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në institucionet e drejtësisë në Kosovë, në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Ky proces i rekrutimit është kryer në vitin 2015 në pajtim me ligjet e Kosovës në fuqi në atë kohë, në veçanti me Ligjin nr. 03/L-199 për Gjykatat, si dhe Ligjin nr. 03/L-225 për Prokurorinë e Shtetit. Rekrutimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serbë ka përfunduar.

Procesi i rekrutimit për gjyqtar dhe prokuror

a. Kriteret për përzgjedhje janë bazuar në ligjet e Kosovës, pra kandidatët kanë plotësuar kriteret siç janë: 1. Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, 2. Të kenë diplomë të Fakultetit Juridik, të pranuar nga ligjet në Kosovë 3. Të kenë kaluar provimin e jurisprudencës të akredituar në pajtim me ligjin në fuqi në Kosovë 4. Të kenë reputacion të lartë profesional dhe integritet moral 5. Të mos kenë qenë të dënuar për vepër penale 6. Së paku tre (3) vjet përvojë në fushën ligjore dhe 7. Të kenë kaluar provimin për gjyqtar, në përputhje me kushtet dhe procedurat e përcaktuara nga rregullorja e veçantë e miratuar nga Këshilli.

b. Marrëveshja për numrat dhe pozitat për gjyqtar dhe prokuror - Pas marrëveshjes së datës 9 mars 2015, janë zhvilluar diskutimet mbi shpërndarjen e pozitave dhe konkursit që do të realizohet për tërë territorin e Kosovës.

c. Shpallja e konkursit dhe procesi i përzgjedhjes - Konkursi u shpall më 25 mars të vitit 2015 nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) duke i ftuar kandidatët e kualifikuar që të aplikojnë për këto pozita. Konkursi ka qenë i hapur për 2 muaj, deri më 25 maj, një periudhë e cila u konsiderua e arsyeshme për aplikantët.

ç. Emërimi i gjykatësve dhe prokurorëve - Si rezultat final i procesit të përzgjedhjes, janë përzgjedhur 34 gjyqtarë dhe 9 prokurorë, të cilët i kanë plotësuar kriteret e kërkuara sipas konkursit dhe kanë kaluar filtrat e nevojshëm të rekrutimit.

d. Rishpallja e konkursit për vende të lira për pozitat të cilat nuk janë plotësuar - Duke pasur parasysh se raundi fillestar i rekrutimit rezultoi me një numër të pozitave të paplotësuara, institucionet përkatëse të Kosovës kanë shpallur sërish konkursin për vende të lira për të plotësuar pozitat e mbetura.

e. Raundi i dytë i procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve ka ndodhur në vitin 2016, në përputhje me kërkesat e paraqitura rishtazi në bazë të Ligjit të Kosovës nr. 05/L-032 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat, si dhe Ligjit nr. 05/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03 / L-225 për Prokurorin e Shtetit.

f. I tërë procesi i rekrutimit në të dy raundet u krye nga KGJK dhe KPK me ndihmën e EULEX-it.

g. Provimi i jurisprudencës është organizuar nga Ministria e Drejtësisë mbajtur për të gjithë kandidatët që e kanë pasur si kriterë për integrim.

Integrimi i stafit administrativ

Konkursi dhe procesi i përzgjedhjes është kryer në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Kosovës. Janë punësuar gjithsej 141 anëtar të stafit administrativ, prej të cilëve 107 për KGJK-në dhe 33 për KPK-në.

a. Pas shpalljes së konkursit për staf administrativ të gjykatave dhe prokurorisë, paneli për rekrutim të stafit për gjykatat dhe prokuroritë ka bërë rekrutimin sipas ligjit të Kosovës. Ky panel po ashtu u asistua nga EULEX-i.

b. Paneli i rekrutimit ka intervistuar të gjithë kandidatët e kualifikuar. Kandidatëve të pasuksesshëm iu mundësua të paraqesin ankesa në bazë të legjislacionit ekzistues.

c. Procesi i ankesave, në të dy institucionet, në KGJK dhe KPK, dhe pastaj në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ka shqyrtuar të gjitha ankesat dhe ka përfunduar procesi për integrimin e stafit administrativ.

Në fund dëshiroj të theksoj se funksionimi i Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në rajonin e Mitrovicës do të filloi pasi të jenë përfunduar hapat e fundit përgatitor të cilët përfshijnë: a) integrimin final/punësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përzgjedhur përmes ceremonisë zyrtare të dekretimit dhe betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Presidenti i Kosovës, në pajtim me ligjet e Kosovës.

EULEX-i i ka ofruar asistencë të drejtpërdrejtë procesit të dialogut për drejtësi duke marr pjesë si anëtar i paneleve për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për stafin mbështetës në të dyja instancat. Përveç kësaj, EULEX ka ofruar një rol këshillues dhe lehtësues për institucionet vendore.

Për më tepër, PSBE, EULEX-i, USAID-i kanë ofruar ndihmë për të mbuluar disa shpenzime imediate për renovime në ndërtesën e Gjykatës Themelore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat