“Përbuzja” e mesazhit të SHBA-ve, me pasoja të mëdha për politikanët e Kosovës

Politika

“Përbuzja” e mesazhit të SHBA-ve, me pasoja të mëdha për politikanët e Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 25 shkurt 2017 Në ora: 15:34
Ilustrim

Ditë më parë, kongresistët e administratës së re të kryetarit amerikan, Donald Trump, Peter Roskam dhe David Price, gjatë një takimi me shefat e grupeve parlamentare të partive në Kuvendin e Kosovës, kanë kërkuar që për çështjet politike me interes nacional, të ketë sa më shumë unitet dhe bashkëpunim mes gjithë spektrit politik në Kosovë.

Këtë kërkesë të kongresistëve amerikanë, ekspertët e shohin si një mesazh që politika vendore duhet ta marr parasysh, pasi që mund të këtë pasoja të pakëndshme.

Mbështetja amerikane, akt jetik për Kosovën

Duke folur për gazetën “Bota sot”, analisti Skender Zogaj e ka vlerësuar lartë vizitën e kongresistëve amerikanë dhe ka theksuar se është akt tepër i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që miqtë tanë po vazhdojnë të jenë të preokupuar me fatin e shqiptarëve të Kosovës.

“Vizita e delegacionit amerikan në krye me Peter Roskamin dhe David Price, e para e këtij lloji pas zgjedhjeve presidenciale ne Amerikë, është akt tepër i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që kanë sy e vesh dhe mendje për të vlerëruar se miqtë tanë po vazhdojnë të jenë të preokupuar me fatin e shqiptarëve të Kosovës që, edhe 17 vjet pas luftës dhe 9 viteve në pavarësi, ende janë në ankthin e traumës së thellë shpirtërore, dhe që po sillen sikur miza pa krye, duke mos treguar as edhe vigjilencën më elementare kombëtare e shtetërore, por edhe vullnetin minimal për të punuar mirë e mbarë për vetveten dhe të ardhmen e vendit”, ka thënë Zogaj.

Zogaj: S’ka gatishmëri për pranimin e mesazhit të SHBA-ve

Po ashtu, ai ka thënë se mesazhi i miqve amerikanë është i qartë, por nuk e sheh të gatshme klasën politike për të pranuar këtë mesazh.

“Shqiptarët e Kosovës e kanë prodhuar një konglomerat politik bizar, që po tërbon kohën me injorancën dhe kapriçiot mafioze, të cilat e kanë kapur popullin dhe po e shkallmojnë duke ia ngulfatur mendjen dhe shpirtin, për interesa meskine, antikombëtare, antinjerëzore dhe armiqësore, sepse, kriza aktuale politike e Kosovës është absolutisht e profilit që u konvenon armiqve tanë shekullor. Miqtë amerikanë e theksuan troç unitetin në mes të kampeve politike për interesat e vendit dhe përjashtimin e menjëhershëm të interesave personale! Ky mesazh është i qartë, por, nuk ka gatishmëri për ta pranuar nga klasa politike, e cila ka degjeneruar dhe, sa po shoh unë, nuk do të ndalet derisa t’a sakatojë qenien historike të Kosovës”, ka pohuar Zogaj.

Për më tepër, ai ka thënë se klasa politike tashmë ka hyrë në fazën kur nuk mund të ndryshojë dhe se rënia e koalicionit aktual, nuk ka asnjë mundësi të një zëvendësimi më të mirë.

Ai ka vlerësuar se këto këshilla duhet të mos të përbuzën,  pasi mund të ketë pasoja të pakëndshme.

“Klasa politike tashmë ka hyrë në fazën kur nuk mund të ndryshojë, dhe kjo është një tragjedi sepse, edhe ndryshimi me subjektet e tashme politike është i pamundur. Fjala vjen, rënia e koalicionit aktual, nuk ka asnjë mundësi të një zëvendësimi më të mirë, përkundrazi, do të ndodh rrënimi edhe më i thellë dhe keqësimi edhe më i fortë i situatës së gjithmbarshme. Do të kishte qenë mirë që, këshillat e miqve të mos përbuzën, sepse pasojat mund të jenë tepër të pakëndshme”, ka thënë Zogaj.

Kelmendi: Kërkesat e qëlluara, por pushtetarët s’do ta repsektojnë

Ndërsa, analisti tjetër Muhamet Kelmendi e ka quajtur të qëlluar dhe me vend kërkesën e kongresistëve amerikanë.

“Ishte një kërkesë e delegacionit tëkongresistëve të SHBA-së e qëlluar dhe me vend. Kur u kërkua kjo u mendua nga kongresistët në temat, respektivisht çështjet e karakterit shtetëror dhe kombëtar, si dhe ku kërkohet konsensusi midis pozitës dhe opozitës. Shkaku pse u kërkua kjo janë disa çështje me vete, të cilat Kosova tash e disa vite nuk po gjen rehati dhe pozita nuk ka treguar vullnet në drejtim të krijimit të konsensusit ndërpartiak. Fjala është këtu për demarkacionin, asociacionin dhe bisedimet me palën serbe në Bruksel”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se sa do të respektohen kërkesat u pa edhe në komisionin mbi matjen e territorit. Kelmendi për këtë, e hedhë fajin edhe te Qeveria e Kosovës, për të cilën ka thënë se nuk bëri mund për të kërkuar konsensus.

“Asaj nuk po i intereson uniteti dhe as konsensusi kundruall qëllimit për të bërë demarkimin në Kuvend, pavarësisht konflikteve të ashpëra. Duket se pushtetarëve në njërin vesh u ka fut dhe në tjetrin u ka dalur kërkesa e kongresisteve të SHBA-ve. Qeveria nuk po fton në bisedime opozitën pa kushte. Asaj nuk po i intereson unifikimi i mendimeve, po kalimi i demarkimit. Kështu po bënë edhe me Asociacion, edhe me bisedime në Bruksel”, ka shkuar Kelemendi.

Më tepër, ai ka thënë se askush,  as vetë pozita, e as opozita si dhe populli i Kosovës, nuk është i informuar fare mbi bisedimet në Bruksel dhe marrëveshjet e arritura.

“Ata po veprojnë sikurse Kosova mos me qenë fare e opozitës dhe e popullit. Dërgohet EditaTahiri, shkon Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, takohen në Bruksel, nënshkruajnë marrëveshje e marrëveshje, si dhe nuk din as Kuvendi, as opozita as populli se çka po bëhet me vend. Këto duhet ndalur nga qeveria. Nuk është vendi i tyre, po i popullit dhe prandaj duhet konsesus midis forcave politike në vend”, ka thënë Kelmendi.

Lufta për pushtet dhe kontrollin e parasë

Ndërkaq, sipas analistit Blerim Burjani, pozita dhe opozita, nuk kanë konsensus për asgjë, madje as për tema dhe interesa nacionale.

“Është e çuditshme kjo gjendje që mbretëron. Pozita dhe opozita nuk kanë konsensus për asgjë madje as për tema dhe interesa nacionale, nuk ka konsensus për të përkrahur qytetarin e lodhur nga mbyllja brenda kufijve të shtetit pa punuar për qytetaret, duke mos u interesuar aspak për kurrgjë. Kjo duket interesante e pa përgjegjshme dhe pa interes për të përkrahuragjendën e liberalizimit, dhe shumë gjëra tjera. Këto tema janë shndërruar në luftë për pushtet se kush kënd po rrëzon nga pushteti, duke dal haptas gjithçka për të pasur zgjedhje të reja nacionale, pra interesi parësor mbetet kontrolli i parasë publike”, ka thënë Burjani.

 Po ashtu, ai ka shtuar se kjo klasë politike nuk po i bindet as faktorit ndërkombëtar dhe se ata po sjellin stagnim të integrimeve evropiane.

“Këta nuk dëshirojnë ti bindin asgjëje përveç interesit të tyre se si të vijnë në pushtet dhe të kontrollojnë pasuritë publike”, ka përfunduar Burjani./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat