Vrasja e dëshmitarëve dhe pengesat e zbardhjes së vrasjeve politike

Politika

Vrasja e dëshmitarëve dhe pengesat e zbardhjes së vrasjeve politike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 mars 2017 Në ora: 11:35
Disa nga viktimat e vrasjeve poltike

“Vrasjet politike nuk janë raste për prokurorë të caktuar nga politika dhe klani Pronto. Këto vrasje kanë lidhshmëri të afërt me krijimin e ardhjes në pushtet të njerëzve që janë qenë në krye të SHIK-ut dhe kapjes së shtetit. Nevojitet një taskforcë kombëtare me prokurorë profesional dhe të pavarur, të shkolluar në Amerikë dhe Evropë për të ndihmuar prokurorinë speciale dhe institucionet tjera për të zbardhur të vërtetën për vrasjet politike, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, ka thënë Abazi.

Vrasjet e personave publik dhe zbardhja e tyre është një çështje mjaft aktuale dhe për të cilën çdoherë bëhet thirrje për punë, në mënyrë që të zbulohen kryerësit e tyre.

Për këtë, ditë më parë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë një takimi me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, u bëri thirrje atyre që të rishikojnë lëndët e vrasjeve të personave publik dhe të ndërmarrin veprime të nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve.

Ai bëri thirrje që të zbardhen këto vrasje, edhe pse shumica nga këto raste janë trajtuar në kohën e kryerjes së veprave penale dhe nuk është arritur të zbulohet identiteti i kryesve të këtyre veprave penale.

Por, sa është e mundur dhe sa duhet të ketë shpresë për zbulimin e këtyre vrasjeve?

Prokuroria: Autorët do të vihen para drejtësisë

E kontaktuar nga gazeta “Bota Sot”, Prokuroria e Kosovës, lidhur me kërkesën e Kryeprokurorit Lumezi, ka thënë se janë në fazën e mbledhjes dhe grumbullimit të informacioneve dhe të dhënave, e ku me pas, sipas tyre sapo të zbulohet identiteti i autorëve të këtyre veprave penale do të merren veprimet e nevojshme që të njëjtit të vihen para drejtësisë.

“Ka filluar mbledhja e informacioneve dhe grumbullimi i të dhënave në kohën që është kuptuar për këto vepra penale dhe është kërkuar nga policia që të grumbullojnë informacione për zbulimin e identitetit të kryesve të veprave penale. Disa prokurori kanë ndërmarrë veprime në drejtim të zbulimit të autorëve të këtyre veprave. Sapo të zbulohet identiteti i autorëve të këtyre veprave penale do të merren veprimet e nevojshme që të njëjtit të vihen para drejtësisë, nëse ata persona do të jenë të arritshëm për organet e ndjekjes. Në këtë fazë të hetimeve ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, ka thënë Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e Prokurorisë.

Shkarkimi i prokurorëve

Ndërsa, profesori i të drejtës kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota Sot” se thirrja e Kryeprokurorit është e duhur, por në qoftë se prokurorët nuk punojnë sipas kësaj thirrjeje, do të duhej të shkarkoheshin.

“Kryeprokurori me bazë kërkon që të zbardhen misteret e vrasjeve, të jo pak personave me emër afirmativ dhe me vlera të theksuara. Mirëpo, kërkesa në fjalë duhet të jetë e sanksionuar dhe e konkretizuar, ashtu që prokurorët të cilët nuk do ta zbatonin me përkushtim, pashmangshëm do të duhej të shkarkoheshin, madje të akuzoheshin për obstruksione të aromës perverse e korruptive”, është shprehur Smaka.

Tutje, ai shton se ka kapacitet në drejtësi por që nuk ka vullnet dhe ka shumë lëndë të pazgjidhura.

“Gjykoj se sistemi i drejtësisë së vendit tonë ka kapacitete kuadrovike e institucionale për të qenë efikas dhe efiçient. Mirëpo, së paku në sajë të numrit të rasteve prokuroriale e gjyqësore të pakryera e të parashkruara, indikon dobësi të konsideruara në të. Pikërisht, referuar dobësive të tilla e të tjera duhet t’i eliminojnë eprorët, tok me këshillat prokurorial e gjyqësorë për çfarë janë të themeluar dhe mirë të paguar”, ka thënë Smaka për “Bota sot”.

Vrasjet në lidhshmëri me SHIK-un

Ndërsa, drejtori i Rockefeller Brothers Fund, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota Sot” se gjyqësori nuk është i pavarur dhe kjo vjen pasi vriten dëshmitarët, ndërsa njerëzit e lidhur me politikën mbrohen nga ligji.

“Është e qartë se në Kosovë gjyqësori e ka shumë të vështirë për të qenë i pavarur dhe në një vend ku dëshmitarët vriten, ligji i mbron njerëzit e lidhur me politikën, është e domosdoshme që kryeprokurori duhet të përkrahet edhe në mënyrë direkte edhe duke i dhënë mundësi financiare të pavarur nga Qeveria dhe duke i mundësuar ekipe profesionale prokurorësh që kanë mundësi dhe mbrojtjen e duhur për të kryer punën e tyre. Kjo gjë nuk po ndodhë dhe si rezultat proceset po nisen por nuk po fillojnë”, ka thënë Abazi.

Tutje, ai shton se vrasjet politike që kanë ndodhur nuk janë për prokurorë të caktuar nga politika dhe klani pronto.

“Duhet një luftë agresive kundër krimit të organizuar politik, përkrahje ndërkombëtare të llojit të Shqipërisë për vettingun, largim të duarve të politikës nga gjyqësori, sidomos ndikimit partiak në gjyqësor dhe përkrahje qytetare dhe të shoqërisë civile për proceset që janë përfunduar por nuk po ekzekutohen. Vrasjet politike nuk janë raste për prokurorë të caktuar nga politika dhe klani Pronto. Këto vrasje kanë lidhshmëri të afërt me krijimin e ardhjes në pushtet të njerëzve që janë qenë në krye të SHIK-ut dhe kapjes së shtetit. Nevojitet një taskforcë kombëtare me prokurorë profesional dhe të pavarur, të shkolluar në Amerikë dhe Evropë për të ndihmuar prokurorinë speciale dhe institucionet tjera për të zbardhur të vërtetën për vrasjet politike, para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, ka përfunduar Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat