Sherifi: Rasti i Haradinajt të shpallet çështje e interesit të lartë shtetëror!

Politika

Sherifi: Rasti i Haradinajt të shpallet çështje e interesit të lartë shtetëror!

Nga: BOTA SOT Më: 2 mars 2017 Në ora: 19:38
Sekretari i Nisma-s, Bilall Sherifi

Sekretari i Nisma-s, Bilall Sherifi, ka thënë Parlamenti i Kosovës duhet të ndërpresë mbajtjen e seancave, deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Sherifi në një postim në Facebook, ka thënë se Nisma për Kosovën, kërkon që shteti i Kosovës rastin Haradinaj menjëherë ta shpallë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe konform kësaj të ndërmerr veprimet e nevojshme, përcjell Bota sot.

Reagimi i plotë:

“Rasti i Ramush Haradinajt të shpallet çështje e interesit të lartë shtetëror!

Nisma për Kosovën me shqetësim të madh pranoi lajmin për shtyrjen e vendimit për lirimin e Ramush Haradninajt deri në muajin prill të këtij viti nga gjykata e Colmarit.

Sidomos shqetëson fakti se kjo shtyrje është bërë siç thuhet për t’i dhënë kohë Serbisë që të sjellë gjoja ende “prova” kundër Ramush Haradinajt.

Zhvillimet e ditës së sotme në rastin e Ramush Haradinajt dëshmuan se shteti i Serbisë i ka angazhuar të gjitha mekanizmat shtetëror në funksion të arritjes së qëllimit të tyre, që gjykata të besojë në shpifjet e tyre. Prandaj, para shtetit të Kosovës, si detyrë mbi të gjitha detyrat, shtrohet nevoja e angazhimit të të gjitha potencialeve shtetërore për t’i dalë përballë kësaj tendence të Serbisë.

Nisma për Kosovën, kërkon që shteti i Kosovës rastin Haradinaj menjëherë ta shpallë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe konform kësaj të ndërmerr veprimet e nevojshme.

Në kuadër të angazhimeve shtetërore, duhet të përfshihen të gjitha institucionet e shtetit, sepse Serbia përmes luftës kundër Ramush Haradinajt ka për synim të godasë Kosovën, prandaj Kosova nuk guxon më ta lërë Ramushin vet në këtë përballje me Serbinë.

Në kuadër të kësaj, Nisma kërkon që Parlamenti i Kosovës të ndërpresë mbajtjen e seancave deri në lirimin e Ramush Haradinajt.

Nëse kjo nuk do të ndodhë, Nisma për Kosovën në shenjë proteste, do t’i bojkotojë punimet e Kuvendit të Kosovës. Përjashtim do të bëjë vetëm seanca për demarkacionin sepse këtë çështje e konsiderojmë po ashtu si një nga çështjet e interesit të lartë shtetëror.

Prandaj, deputetët e Nismës e kanë për detyrë të shkojnë në Kuvend për t’i shpalosur të gjitha faktet se ky version i demarkacionit është i gabuar, dhe si i tillë i pa pranueshëm prandaj edhe duhet rrëzuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat