Në prag të aktakuzave, kjo është kërkesa e veteranëve për Gjykatën Speciale

Politika

Në prag të aktakuzave, kjo është kërkesa e veteranëve për Gjykatën Speciale

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 mars 2017 Në ora: 08:32
Protesta e veteraneve në sallën e Kuvendit

Përfaqësuesit e organizatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bllokuar punimet e seancës së fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ata kanë paralajmëruar se asnjë seancë tjetër nuk do të mbahet pa u shqyrtuar edhe një herë ligji për Gjykatën Speciale, e cila sipas tyre, nuk duhet t’i gjykojë vetëm shqiptarët, por edhe serbët. 

Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari , ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” se OVL e UÇK-së ishte kundër themelimit të Gjykatës Speciale, që nga fillimi, pasi sipas tyre, ajo është e njëanshme dhe politike.

“Të gjykosh luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, e të mos gjykosh ata që kanë bërë krime, ata që kanë dhunuar, ata që kanë tentuar edhe shfarosjen e një populli, mendojmë se kjo është absurde”, është shprehur ai.

Jashari ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të korrigjojnë këtë gabim dhe t’a kthejnë në rishqyrtim këtë ligj, e të mos e votojnë këtë ligj të njëanshëm.

‘Me këtë ligj ka tendenca të barazimit të atyre që kanë krime, me luftën e pastër. Gjithë kjo na ka shtyrë në vazhdimësi që të mos lejojmë që të bëhet një gjykatë e tillë. Ne i kemi bërë thirrje presidentit, kryeparlamentarit dhe faktorit politik vendor, gjithashtu deputetëve që ta kthejnë atë ligj dhe le ta rishqyrtojnë edhe një herë, sepse nuk ka vend në Kosovë, ku policia dhe ushtria serbe nuk ka kryer masakra. Edhe sa persona të zhdukur janë”, ka theksuar kreu i shoqatës së dëshmorëve.

Ai ka shtuar se OVL është për krijimin e një gjykate, por jo për tërë luftën, derisa ka theksuar se veprimet nuk do t’i ndalin deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.

“Ne jemi që të krijohet një gjykatë, por jo të krijohet gjykatë për tërë luftën, të tentohet me kinse akuza që pjesëtarët e UÇK-së na paskan bërë krime dhe të shëtiten lirshëm policia serbe. Kjo ka qenë e papranueshme për neve dhe do të vazhdojë të mbetet e papranueshme. Do të kërkojmë në vazhdimësi. Për masat dhe të gjitha ato që do t’i ndërmarrim në vazhdimësi, do të njoftoheni me kohë. Jemi duke punuar me të gjitha degët në komunat e Kosovës dhe do t’iu njoftojmë se cilat do të jenë veprimet apo vendimet tona të ardhshme”, ka përfunduar Xhavit Jashari për “Bota sot”.

Kelmendi: Ligji për Specialen, i njëanshëm

Duke folur lidhur me këtë anëtari i kryesisë së AAK-së Muhamet Kelmendi, i ka thënë gazetës “Bota sot” se që para se të nxirrej ky ligj në Kuvend, ishte kundër tij. Kjo pasi, siç ka thënë ai, ky është Ligj tipik një nacional, prej nga krijon pabarazi të mëdha midis viktimës dhe gjenociduesve.

“Kisha me qenë dhe jam për këtë gjykatë, me kusht që kjo të merret me të gjitha krimet e bëra në Kosovë, pavarësisht përkatësisë nacionale. Kështu me këtë është bërë një barazim midis veprave penale të karakterit individual nga UÇK-ja, me gjenocidin e shtetit serb dhe këta nuk po ndiqen penalisht”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka theksuar se Ligji do të duhej të kthehej në Kuvend për rishyrtim dhe plotësim.

“Plotësimi duhet të bëhet pikërisht në drejtim të tillë, që edhe krimet e shtetit serb mbi popullin shqiptar, të gjykohen. Ata po vijnë në Kosovë dhe askush nuk i ka. Kemi mbi 23 mijë shqiptarë të mbytur dhe as 10 krimenlë nuk janë dënuar. Kjo nuk shkon”, ka thënë Muhamet Kelmendi.

“Veteranëve vonë i’u doli gjumi, tash priten akuzat e para”

Ndërsa, analisti politik Islam Krasniqi, ka hedhur akuza në drejtim të kryesisë së veteranëve të UÇK-së, për shkak se siç ka thënë ai, ata nuk i përfaqësojnë me dinjitet luftëtarët e lirisë.

“Ata iu shërbejnë partive në pushtet dhe i respektojnë kërkesat e tyre, që gjë e pranuan edhe ardhjen e Gjykatës Speciale dhe ratifikimin e saj në Kuvend. Veteranëve iu ka dalur gjumi pak vonë, sepse në këtë muaj priten akuzat e para të saj”, ka thënë Islami për “Bota sot”.

Sipas tij, Ligji për Gjykatën Sepciale nuk mund të rikthehet në Kuvend, pasi ajo a filluar tani me punimet për akuzat e para.

Krasniqi: Kërkesa e veteranëve me prapavijë politike

Ai madje ka e gjithë kjo mund të ketë prapavijë politike.

“Përgjegjësia le të bie mbi ata që e sollën dhe e votuan këtë Ligj. Pas kësaj mund të ketë prapavijë politike nga partitë në pushtet, sepse veteranët e kanë ditur që kjo Gjykatë nuk mund t’i gjykojë e as dënojë serbët, por vetëm shqiptarët. Kur opozita është munduar t’i ndal, këta i kanë injoruar kërkesat e tyre”, është shprehur Islam Krasniqi.

Ndryshe, tashmë është bërë e ditur nga Gjykata Speciale, se aktakuzat e para të kësaj gjykate, mund të ngrihet brenda muajit mars, apo në fillim në muajit të ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat