Ushtria në koordinim me SHBA-në dhe NATO-n

Politika

Ushtria në koordinim me SHBA-në dhe NATO-n

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 mars 2017 Në ora: 08:30
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me pjesëtarët e FSK-së në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë

Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës, ditë më parë ka dorëzuar kuvendit të Kosovës projektligjin, me anë të të cilit ligj Forca e Sigurisë së Kosovës transformohet në ushtri të Kosovës.   “Projektligji për FSK-në rregullon misionin, funksionimin e FSK-së  dhe çështje tjera lidhur me aktivitetet tjera në FSK. Tri vite më parë kam paralajmëruar themelimin e Forcave të Armatosura fatkeqësisht realiteti ka mbetur i njëjte për arsye të njohura. Do të doja që transformimi i FSK-së, të ndodhte përmes një procesi transparent përcjellë me ndryshime kushtetuese. Por s’kemi mundur ta bëjmë sepse deputetët serbë e kanë bërë të qartë që kurrë s’do të bënin ndryshimet kushtetuese”, kishte deklaruar presidenti.

Reagimi i SHBA-së dhe NATO-s

Por, kjo nismë e presidentit Thaçi, që FSK-ja të transformohet në ushtri, pa ndryshime kushtetuese ka nxitur reagimin e partnerëve strategjikë të Kosovës.   I pari që reagoi ishte sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili theksoi se NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së, si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje, por që transformimi i saj në ushtri duhet të behët në përputhje me Kushtetutën.  “Sot kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’iu përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur, pa ndryshime kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm sic janë këta janë të padobishëm. Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë cështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me kushtetutën e tyre", ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s.   Po ashtu, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka bërë të ditur se transformimi i FSK-së në ushtri duhet të jetë në përputhje me kushtetuan e Kosovës, duke shprehur shqetësimin e tyre për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues.   “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pa amandament kushtetues.   Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s.  Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane, duke bërë të ditur se SHBA është e gatshme që ta mbështesë transformimin e FSK-së, por me një proces këshillues me të gjithë hisedarët. 

Insistimi i Presidentit Thaçi

Por, presidenti Thaçi, pas reagimit të SHBA-së dhe NATO-s,  ka insistuar në vendosmërinë për transformimin e FSK-së, në Forca të Armatosura të Kosovës, përmes ndryshimeve ligjore, meqë nuk ka pajtim të deputetëve serbë që kjo të bëhet përmes ndryshimeve Kushtetuese, duke shtuar se FSK-ja,  do të transformohet me ndihmën e SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s, dhe se tash i mbetet qeverisë së Kosovës që të japë mendimin e saj, të cilin e pret se do të jetë pozitiv.  Por të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zyrtarët qeveritarë nuk kanë dashur të përgjigjen në lidhje me këtë çështje. Ndërsa gjatë ditës së  enjte, Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është e interesuar që Qeveria e interesuar ta bëjë ushtrinë në partnerët strategjikë. 

Ushtria në koordinim me SHBA-në dhe NATO-n

Kurse ish komandanti në luftën e Koshares, tash deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, për gazetën “Bota sot”, thotë se deklaratat e SHBA-së dhe NATO-s, duhet të kuptuar drejt dhe miqësore.  “Deklaratat e Sekretarit të NATO-s dhe Ambasadës së SHBA-ve, duhet kuptuar drejt dhe shumë miqësore. Vendimet e njëanshme të autoriteteve të Republikës së Kosovës, duke e transformuar FSK-në, jashtë dispozitave kushtetuese nuk është e pranueshme për partnerët strategjik por të njejtit e shprehin gadishmërinë që të ndihmojnë në transformimin e FSK-së në FAK, gjithënjë në partneritet të sinqert si nevojë e gjeostrategjive, gjithëjë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Quni.   Ai më tej, ka propozuar që çdo hap për transferimin e FSK-së në ushtri duhet të bëhet në koordinim e parterët strategjikë të Kosovës. “Së këndejmi, gatishmëria e SHBA-së, që të punojë edhe me komunitetin serb qe të jenë konstruktiv në këtë çështje,  është mundësi e mirë për të ardhmen e FAK-ut, si forcë profesionale dhe e pakontestueshme. Prandaj në të mirën e Republikës së Kosovës në përgjithësi është mirë që nga ky moment, çdo hap në drejtim të transformimit të FSK-së, të jetë në bashkëveprim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjik”, thotë deputeti Quni.  Po ashtu edhe zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë  e Kosovës, Muharem Nitaj, ka thënë se shtet ndërtimi i Kosovës është projekt i përbashkët ndërkombëtar dhe çdo segment i shtetit duhet të jetë në koordinimin me partnerët strategjikë të Kosovës.  “Procesi i shtendertimit të Kosovës ka qenë një projekt i përbashkët i Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar. Çdo segment i shtetit të Kosovës, duke përfshirë edhe ushtrinë, duhet të jetë i koordinuar me ta”, thotë Nitaj.

Lista serbe, pengesë për ushtrinë

Ndërsa, Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, thotë ushtria e Kosovës duhet të formohet, pavarësisht çfarëdo nisme, pasi që lista serbe nuk ka gatishmëri që ta njoh shtetin e Kosovës.  “Ne kemi kërkuar edhe me herët që të formohet Ushtria e Kosovës si nevojë për të siguruar stabilitet dhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës. E kemi thënë, se cila do iniciativë qoftë me ligj  apo me ndryshime kushtetues ne në fakt do e përkrahim. Duke e parë, se lista serbe nuk ka gatishmëri për kooperim dhe për integrim në institucionet e Kosovës, duke deklaruar se nuk e njeh shtetin e Kosovës e as Qeverinë e Kosovës,  atëherë ne nuk e kemi parë disponim që do të bashkëpunojnë për formimin e ushtrisë se Kosovës. Andaj cilado qoftë,  nisme ne jemi për formimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë deputetja e AAK-së. Ajo ka shtuar,  se tema e Ushtrisë assesi nuk duhet të përfshihet në dialogun e  Brukselit.  “Unë mendoj qe tema e ushtrisë së Kosovës nuk duhet të bisedohet ne Bruksel. Kosova është shtet i pavarur dhe e ka obligim kushtetues që ta formojë ushtrinë”, thotë time Kadrijaj.  Ndërsa, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka thënë, se mbështet ndryshimet kushtetuese që e bëjnë FSK-në Forcë të Armatosur. “ Në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese ne i kemi përkrahur edhe ndryshimet ligjore që e avansojnë misionin e FSK-së në mision ushtarak. Në kushtet e aktuale ne i mbeshtesim edhe ndryshimet ligjore të draftuara nga udhëheqja e FSK--së dhe MFKS-s,ë që e avancojnë misionin e FSK-së, ndonëse këtë P/Ligj është munduar Thaçi,  që ta përvetësoj si iniciativë personale. Reagimi i aleatëve pas kësaj iniciative tregon që Thaçi nuk ka vepruar në koordinim me ta dhe se e ka dëmtuar krejtë procesin. Të vetmin koordinim duket se Thaçi e ka bërë me Vuçiqin me telefon, siç tha edhe ai vetë në konferencë për media”,  është shprehur deputeti Selimi. Ndërsa zyrtarë nga PDK e Nisma edhe pse të kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, nuk janë përgjigjur në interesimin tonë në lidhje me këtë çështje.

“Nuk na duhet ushtria pa SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Ternava, ka thënë rruga më e mirë për formimin e ushtrisë do të ishte krijimi i saj në bazë të ndryshimeve Kushtetuese.  “Ushtria e Kosovës ishte dashur qysh moti me u kriju si në bazë të Kushtetutës apo edhe ne bazë të Ligjit nëse ndryshe nuk bahet. Rruga më e mirë që të formohet Ushtria kishte me qene në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. E qartë është,  se tani Lista Serbe është pengesë,  që të formohet Ushtria dhe t’i marrë votat e nevojshme në Parlamentin e Kosovës, sipas kësaj Kushtetute që e kemi tani në fuqi. Edhe mes Ligjit duhet të tentohet të krijohet Ushtria, por gjithsesi në harmoni me miqtë tonë,  që na ndihmuan të çlirohemi e ata janë Amerika dhe BE me NATO-n”, thotë Tërnava.   Ai më tej, ka shtuar se formimi i Ushtrisë nuk duhet të merret me eufori, dhe se pa partnerët strategjike, SHBA-së, NATO-s e BE-së, nuk duhet të formohet Ushtria, duke kujtuar se ishin po këta që ndihmuan ne çlirimin e Kosovës nga shteti okupues serb. “Nuk duhet të ngutemi. Tash  sikur u bë nami që deri tash,  që nuk u formua kjo ushtri. Ndoshta, se edhe tash që se kemi Ushtrinë fare i kemi punët më rehat,  se garantues i kufinjve të Kosovës është KFOR-NATO. Kur ta formojmë ushtrinë tonë  gjithsesi dot kemi edhe konflikte mes dy ushtrive rreth kufirit Kosove-Serbi, sepse i njohim ne fqinjët çfarë i kemi.  Edhe formimi i ushtrisë  në eufori është për t’u habitur, bëhet pyetja e pse tash kaq menjëherë dhe patjetër t’u formuar  ushtria? A mos është në pyetje ndonjë kompromis? A mos i ka hy frika dikujt nga Gjykata Speciale,  prandaj edhe kompromiset ne disfavor të Kosovës dikujt i konvenojnë”, thekson Tërnava.  Sipas të njëjtit,  bisedimet në Bruksel, përveç shumë temave  të tjera duhet të insistohet në formimin e ushtrisë së Kosovës, por jo me kompromise të padëshiruara për Kosovën. “Edhe në bisedimet e mundshme që bëhen në Bruksel mes dialoguesve shqiptaro-serb  për shumë çështje për Kosovën, duhet te insistohet në formimin e Ushtrisë se Kosovës,  por jo me kompromise të padëshiruara për Kosovën. Kur të vijë deri te pajtimi mes Serbëve dhe Kosovës edhe kjo çeshtje do të kryhet dhe Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe tëpavarur prandaj edhe formimi i ushtrisë do të ndodhë me çfarë emri të dojë Kosova”, thotë Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat