Thaçi kërkon nga shtetet islame ta njohin Kosovën

Politika

Thaçi kërkon nga shtetet islame ta njohin Kosovën

Më: 14 mars 2017 Në ora: 11:03
Presidenti Hashim Thaçi Hashim Thaçi dhe sekretari i Ligës së Botës Myslimane, Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa

(E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të martën në takim sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane, Muhamed bin Abdulkerim Al-Isa, të cilin e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen që Arabia Saudite i ka dhënë vendit tonë.

Thaçi u shpreh mirënjohës për zotimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ligës së Botës Myslimane për angazhime të intensifikuara në përkrahje të konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Duke marrë parasysh ndikimin e veçantë që shteti saudit ka tek shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), organizatë kjo që ka në radhët e saj 57 shtete anëtare, Republika e Kosovës ju është shumë mirënjohëse për përpjekjet e vazhdueshme të lobimit tuaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OBI-it, që ende nuk e kanë bërë këtë”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Myslimane, Muhamed bin Abdulkerim Al-Isa, u shpreh se kauza e Kosovës për pavarësi ka qenë e drejtë dhe se është turpëruese që disa shtete islamike nuk e kanë njohur Kosovën, gjë që, sipas tij, ndikon edhe te shtetet tjera në gjithë botën.

“Kosova është model për tolerancën, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin në mbarë botën, vlera këto të kultivuara nga OBI dhe të cilat gjithsesi do të ndikojnë në njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare të mbetura të kësaj organizate”, ka thënë Karim Al-Issa.

***

Presidenti Hashim Thaçi priti në takim sekretarin e Ligës së Botës Myslimane, Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa, i cili po qëndron në Kosovë me ftesë të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, u bisedua për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës dhe nevojën e njohjes nga të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe ato me shumicë myslimane.

Sekretari Muhamed Bin Abdel Kerim el Isa, tha se do të angazhohen që të sjellim investitorë në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e turizmit, pasi që ai tha se gjatë vizitës në Kosovë ka parë potencial të madh për këtë sferë.

Ndërsa shtoi se LBI-ja do të vazhdojë të japë kontributin edhe sa i përket njohës së Kosovës nga vendet me shumicë myslimane.

Thaçi falënderoi delegacionin ne Ligës Botërore Islame, për ndihmën e dhënë për Kosovën, duke kërkuar nga vendet e kësaj lige që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat