“Sinjalet” e para të tensionimit të situatës në Kosovë

Politika

“Sinjalet” e para të tensionimit të situatës në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 mars 2017 Në ora: 12:17
Pamje nga Prishtina

Ndodhitë e fundit në Kosovë, janë një sinjal që situata në Kosovë mund të shkoj drejt tensionimit.  Ngjarjet e ndodhura së fundi, si duket si qëllim kanë destabilizimin e vendit, në prag të akuzave te para nga Gjykata Speciale.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se tensionim i situatës po i konvenon Partisë Demokratike të Kosovës, e cila sipas analistëve do të preket më së shumti nga Specialja.

Sipas tyre, në të tilla situata të tensionuara politike, Kosova dhe qytetarët kanë paguar një kosto të lartë.

Analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se marsi si muaji i luftërave, i ngjarjeve me rezultat humbës përgjithësisht për shqiptarët, gati - gati po bëhej traditë që të ishte sjellës i fatit të keq për shqiptarët.

“Nuk dua të besoj se do të përsëriten marsat e këqinj për Kosovën, ndonëse duken në sfond hije me zjarrin në duart për tu kallër Kosovën e të nesërmen tonë si komb. Nëse do të destabilizohet situata do të na thonë se ne shkelim më shumë se dy herë në gropën ku kemi thyer qafën. Për hatër të disa eksponëntëve që kanë marrë më tepër se sa duhet nga e ardhmja jonë, që ndjehen më shumë, se sa duhet pronarë të luftës e të lirisë, pronarë të se sotmes e të ardhmes, nuk besoj se populli do të bjerë pre e destabilizimit që u intereson vetëm disa hajnave e haraçistave”, ka thënë analisti politik Shahu.

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se për “ Bota Sot” se në Kosovë kemi një tensionim të situatës politike në Kosovë, me theks të veçantë në mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës në vend, LDK-së dhe PDK-ë dhe kjo sipas tij, pa dyshim se prodhon një situatë të paqëndrueshme politike në Kosovë.

“Ky tensionim ka quar deri te bllokimi i punës së organit më të lartë ligjvënës në vend Kuvendit, ku çështje të rëndësishme nuk mund të procedohen për shqyrtim dhe miratim për shkak të marrëdhënieve të tensionuara në mes LDK-së dhe PDK-së si partnerë të koalicionit qeverisës. Ngjarjet e fundit që lidhen me procesin e formimit të Ushtrisë pa një konsultim në mes partnerëve të koalicionit, Demarkacioni me Malin e Z dhe kërkesa nga shoqatat e luftës së UCK-së, për rishqyrtim të ligjit për Gjykatën Speciale, kërkese kjo që është sponzoruar nga vet PDK-ja, dhe Asociacioni i Komunave serbe, janë çështje këto për të cilat duket se nuk ka një konsensus as brenda partnerëve të koalicionit qeverisës e lëre m me opozitën, paralajmërimet për protesta, dhe si të tilla vendi lehtë do të mund të shkojë në zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ky tensionim i situatës po i konvenon PDK-së dhe partive opozitare, sidomos për shkak se të gjitha partitë politike, përjashto LDK-në, do të preken nga Gjykata Speciale.

“Për ta penguar këtë proces, PDK-ja dhe partitë opozitare, si mundësi të vetme e shohin tensionimin e situatës politike dhe quarjen e vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nga e kaluara kemi mësuar se në të tilla situata të tensionuara politike, ka ditur të përfitojë vetëm PDK-ja, e në anën tjetër  Kosova dhe qytetarët, kanë paguar një kosto të lartë, që është parë me një progres në të gjitha sferat e jetës. Ky tensionim i situatës politike në vend, është rënduar akoma edhe me ngjarjen e të së hënës, ku ndodhi anentati ndaj avokatit Azem Vllasi. Pra kjo gjë që tregon se një stabilitet i brishtë politik në vend mund të prodhojë edhe pasiguri të përgjithshme për qytetarët. Dhe krejt kjo po i kushton Kosovës, me një ngecje në zhvillim ekonomik, mungesë e mirëqenies sociale, dhe segmente të tjera, e po ashtu është pengesë e madhe në proceset integruese të Kosovës, në veçanti sa i përket procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë Haziri.

Njohësi i çështjeve politike Ali Hertica ka thënë se kjo gjendje shpërthyese natyrisht se do të duhej të jetë e orientuar me koncept të qartë të një tensionimi të shoqërisë sonë në Kosovë.

“Ngjarjet e fundit po tregohen si matëse e situatës politike dhe te asaj ekonomike se Kosova nuk është dukë shkuar drejt një stabiliteti , por ka tendenca shumë të qarta se kanë filluar disa xixa të një destabiliteti, por organet e shtetit tani duhet të jënë në një përcjellje të situatës së tensionuar dhe të ketë në kontroll që mos të vie deri tek një gjendjë jo e mirë dhe destabilizuse. Sepse  ngjarjet e fundit po japin sinjale se shteti i Kosovës mund të jetë si një bombë e kurdisur, nga shumë qarqe brenda dhe jashtë saj”, ka thënë Hertica.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat