PDK-ja hesht, Kadri Veseli nis fushatën

Politika

PDK-ja hesht, Kadri Veseli nis fushatën

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 mars 2017 Në ora: 08:32
Kadri Veseli

“Turi i dëgjimit”, titullohet kampanja të cilën javëve të fundit e ka nisur Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, të cilën po e zhvillon duke shkuar derë më derë nëpër takime me kategori të ndryshme të qytetarëve.

Sipas kreut të PDK-së, ai po dëgjon hallet e qytetarëve dhe njëkohësisht po merr këshilla nga ta se si duhet vepruar me problemet e ndryshmet me të cilat ballafaqohet vendi. Por Partia Demokratike e Kosovës në lidhje me vepimet e fundit të Veselit ka heshtur duke mos komentuar këtë.

Zyra për informim e PDK-së, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetën, nëse kjo që po bën lideri i tyre ka të bëj me zgjedhjet.

Analistët politik, këtë kampanjë po e quajnë edhe si një para fushatë zgjedhore të Veselit, me të cilën ai po lë të kuptohet se zgjedhjet e përgjithshme nuk janë larg.

Lojërat e Veselit

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, vizita të tilla  nga Kadri Veseli  asociojnë me fushatën parazgjedhore dhe se të njëjtat nuk janë të rastësishme.

“Lojërat e Kadri Vesielit karshi partnerit të koalicionit po e japin dëshminë se shumë shpejt mund të kemi  zgjedhje të parakohshme , të cilat do ta gjunjëzojnë LDK-në. PDK-ja si partner i koalicionit gjithherë ka ditë të dieg partneret e saj në bashkëqeverisje, duke dalë faqebardhë  me pretekste të cilat  kanë manipuluar opinionin publik. Edhe  tash, që në nga fillimi PDK-ja ka lozur  lojëra të dyfishta, në njërën anë duke minimizuar punën e dikastereve që udhëhiqen nga partneri i koalicionit, LDK-ja dhe shume herë Kryetari i  Parlamentit të Kosovës  e njëkohësisht Kryetar i PDK-së,Kadri Veseli  ka luajtur rolin e të parit të Qeverisë dhe shpesh  duke dalur në anën e kundërt të kësaj qeverie”, ka thënë Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Ai ka potencuar se, PDK-ja si partnere e koalicionit po përdor çdo vakum politike institucional që  ta qoj vendin në zgjedhje të parakohshme dhe të dalë fituese nga këto zgjedhje, duke gjunjëzuar partnerin e koalicionit qeverisës.

”PDK-ja në këtë drejtim është më e sofistikuar dhe largpamëse, kurse LDK-ja edhe ashtu është diegur në momentin që është futur në koalicion me rivalin tradicional të saj, rrjedhimisht duke tradhtuar elektoratin e saj. Plani i orekestar nga strukturat e PDK-së po shkon në vijë të drejtë dhe po jetësohet në përpikëri, dhe nuk ak dyshim se  vizita e e Kadri Veselit neper qytete te Kosovës  është një  sinjal që do të kemi zgjedhje të parakohshme. Kadri Veseli është improvizues i mire i një “lideri modern”, por realisht personaliteti i tij është përçarës dhe dinak, pasi që për interesa personale dhe politike do ta djeg partnerin e koalicionit,LDK-në”, ka nënvizuar Ahmeti.

Duke u mbështetur në retrospektivë, Ahmeti ka kujtuar se koalicionet nuk kanë qenë shumë të qëndrueshme ,pasi që Kosova ka sistem parlamentar dhe asnjëherë nuk ka mundur që një koalicion të përfundoj mandatin kushtetues e ligjor.

“Kurse tash për këtë koalicion është një realitet krejt ndryshe, ka numrat në kuvend dhe nuk mund të kaloj projekte të tilla siç është  Demarkacioni. Realisht po bahet fjalë për një koalicion jofunksional dhe gjykoj se është e domosdoshme dhe mese e nevojshme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Vlerësoj se me një koalicion të përfaqësuar nga dy subjektet më të mëdha politike dhe duke pasur numrat e nevojshëm në Kuvend qe është garanci e stabilitetit të një qeverie, dhe mos mund të kaloj projekte të tilla, është imperativ të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Është shumë demokratike dhe normale për një shtet siç është Kosova, që nëse një qeveri e koalicionit nuk funksionin karshi interesave qytetare duhet të reflektoj me zgjedhje, për të matur vullnetin qytetarë , rrjedhimisht për ta hapur rrugën integruse dhe të konsolidimit të shtetësisë”, është shprehur ai.

Kuvendi, i harruar nga Veseli

Ndërkaq, për analistin Ismet Haziri, kryetari i kuvendit duhet të kujdeset  për mirëvajtjen e punës në legjislativ, në të cilin, siç ka theksuar ai,  më shumë bisedohet  në planet personale duke u share e duke u ofenduar.

“Prandaj është shume  e dëshirueshme përkujdesja për cilësinë e punës së Kuvendit për të ngritur në shqyrtim problemet e duhura që janë të shumta dhe të pafundme për qytetarët. Kampanja që ka ndërmarr kryetari i Kuvendit nuk është për qytetaret, i përket  interesave puro-partiake, ngase duke analizuar zgjedhjet e Drenasit, pastaj frustrimin qytetar, duke qenë edhe lider përherë të parë i një subjekti më të madh dhe në mungesë të liderit shpirtëror të PDK-së, zotit Thaci, rrethanat që do të krijohen pas ngritjes së aktakuzës së Gjykatës Speciale  është shumë i vetdijshëm zoti Veseli se do të pësoj ndryshime  përqindja e votës elektorale në subjekte”, është shprehur Haziri.

Si rrjedhojë e kësaj, Haziri ka thënë se Veselit i duhet  një para-fushatë për t`u promovuar politikisht si lider para elektoratit të partisë që e drejton.

“Si do që të jetë, lidershipi dhe estabilshmenti i tanishëm duhet të kuptoj, se lumi i madh i votuesve janë gjeneratat e reja të cilët nga dita në dite po e kuptojnë duke u pajsur me një edukatë politike që vota të mos trafikohet  me inercione nepotiste, krahinore e feudale, por të jetë këmbim besimi me vende pune  dhe jetë cilësore”, ka thënë ai.

Veseli në kërkim të famës

Edhe sipas analistit Blerim Burjani, Kadri Veseli,  në vazhdimësi po kërkon famë, pra po punon në promovimin e tij, përmes takimeve dhe vizitave që po i bën.

“Edhe pse ai është kryetar Kuvendi ai po bën fushata për vete për u afirmuar sa më shumë sepse po hyn në gare dhe do të hyje në gare për zgjedhje ,kur të bëhen ato pra zgjedhjet nacionale”, ka thënë ai.

Sipas Burjanit, Kosova mund të shkoj në zgjedhje, por kjo varet  nga zhvillimet.

“Nëse deri ne maj nuk shpallen zgjedhjet nacionale pak mund të ketë gjasa më vone që të ketë zgjedhje por as PDK-së, nuk po i ngutet fare sepse e kontrollon plotësisht bordet , sektorin civil dhe ndërmarrjet publike, gjithandej qindra zyrtar të këtij subjekti janë neper poste të shumta prandaj nuk ka nevoje për nxitim për të shkuar në zgjedhje”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat