Konfirmon Haziri: S'kemi përplasje me PDK-në për ushtrinë e demarkacionin

Politika

Konfirmon Haziri: S'kemi përplasje me PDK-në për ushtrinë e demarkacionin

Më: 16 mars 2017 Në ora: 17:00
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se koalicioni PDK-LDK po funksionon mirë dhe se nuk ka përplasje në mes tyre as për çështjen e Ushtrisë dhe as për Demarkacionin.

I pyetur se a ka përplasje apo mungesë të koordinimit në mes të partnerëve të mëdhenj të koalicionit, Haziri ka thënë se koalicioni po funksionon mirë.

“Nuk kemi të bëjmë me përplasje në asnjë mënyrë. Kemi të bëjmë me koordinim dhe me angazhim konkret për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që janë në interes të vendit edhe temat  që janë “kauzë” e opozitës si Demarkacioni dhe Shoqata e Komunave me shumicë serbe apo edhe transformimi i FSK në armatë përmes ligjit. Koalicioni po funksionon mirë dhe me vetë fakti që është duke u angazhuar për shumë çështje, nuk kemi hapësirë që të cilësojmë ndryshe”, ka thënë Haziri.

Kurse, duke komentuar takimet e kryetarit të Kuvendit dhe të PDK-së, Kadri Veselit me qytetarë, Haziri ka thënë se nuk e sheh si përgatitje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por si angazhim të kreut të Kuvendit për të kuptuar brengat e qytetarëve.

“Unë e shoh si angazhim të kryetarit të Kuvendit për gjendjen në vend dhe sipas agjendës që ai e ka paraparë me stafin e tij. Pra kjo është në aspektin institucional, por gjithashtu atij nuk mund t’i mohohet mundësia që ta kryej punën e kryetarit të Partisë së tij”,  ka shtuar per lajmin Haziri.

Ai gjithashtu ka thënë se në këtë kohë edhe LDK është duke u përgatitur për takime me struktura, por ka thënë se është herët të flitet për fushatë parazgjedhore, pasi ka thënë se zgjedhjet lokale janë në vjeshtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat