Tentim-vrasja e Vllasit, rast i përgatitur?

Politika

Tentim-vrasja e Vllasit, rast i përgatitur?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 mars 2017 Në ora: 12:09
Vendi ku u plagos Azem Vllasi

“Vet fakti që është sekuestruar një revole e cila është përdorë në këtë rast me pajisjen shtesë silenciator, ajo dyshon se mund të jetë një rast i përgatitur, mirëpo është herët që ne të konstatojmë këtë pasi duhet të presim rezultatet finale nga hetuesit që janë duke u marrë me rastin konkret. Kështu që këto janë informacionet e para që ne i kemi nga vendi i ngjarjes dhe duhet pritur gjithë procesin që të përfundoj për të dal me informacione të tjera që mund të saktësojnë apo të vërtetojnë atë se a ka qenë qëllimi i vrasjes aspo tentim vrasje. Deri në këtë moment rasti është i cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë Baki Kelani,  zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Mëngjesi i 13 marsit rezultoi të jetë fatkeq për avokatin Azem Vllasi, i cili u plagos në vendin e tij të punës me një armë shurdhuese (silenciator), nga personi i quajtur Murat Jashari.

Ai u dërgua në QKUK për trajtim dhe nuk pati nevojë për operacion, derisa kishte marrë një lëndim në krahë.

Gjatë ditës Policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar në lidhje me këtë rast, Murat Jasharin dhe Avni Llumnica, ku dhe personi që e kishte sulmuar, e pranoi se e kishte bërë.

Sa i përket motiveve zëdhënësi i Policisë Baki Kelani, ka thënë se në bazë të informacioneve që posedojnë deri tani, nuk bëhet fjalë për ndonjë çështje e cila mund të lidhet me detyrën apo veprimtarinë që ka ushtruar Azem Vllasi në të kaluarën, por që dyshohet se ky rast ka qenë i përgatitur.

“Vet fakti që është sekuestruar një revole e cila është përdorë në këtë rast me pajisjen shtesë silenciator, ajo dyshon se mund të jetë një rast i përgatitur, mirëpo është herët që ne të konstatojmë këtë pasi duhet të presim rezultatet finale nga hetuesit që janë duke u marrë me rastin konkret. Kështu që këto janë informacionet e para që ne i kemi nga vendi i ngjarjes dhe duhet pritur gjithë procesin që të përfundoj për të dal me informacione të tjera që mund të saktësojnë apo të vërtetojnë atë se a ka qenë qëllimi i vrasjes aspo tentim vrasje. Deri në këtë moment rasti është i cilësuar si vrasje në tentativë”, tha zëdhënësi i Policisë.

Ndërsa, e kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Prokuroria e Kosovës nuk është përgjigjur për çështjen në fjalë.

Murat Jashari e ka pranuar se ka dashur për ta vrarë Azem Vllasin, pasi atë e konsideron tradhtar. Jashari, që zyrtarisht është i dyshuari kryesor për plagosjen e Vllasit, ka thënë po ashtu se pos tij është edhe një grup i madh i njerëzve me të cilët ai bashkëpunon. Ai ka thënë se grupi shtrihet edhe në dy vende të tjera, pos Kosovës. Jashari ka deklaruar edhe se ky grup i quajtur ‘Syri i popullit’ ka për qëllim vrasjen e atyre që i konsiderojnë tradhtarë.

Havolli: Goditje e rëndë për sistemin e drejtësisë

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, i cili sulmin ndaj Vllasit e ka quajtur goditje në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe se po cenohet siguria e avokatëve.

 “Oda e Avokatëve të Kosovës shpreh brengën dhe shqetësimin tonë shumë të madh se kjo është goditje në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe është në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut që është synimi kryesor i krijimit të një shteti ligjor dhe një shteti funksional. Prandaj, neve duhet të jemi shumë të fokusuar në këtë fushë dhe sigurisht që policia dhe organet të cilat merren me çështjen e drejtësisë do të japin lehtësime e tyre rreth zhvillimeve të kësaj ngjarje e cila e ka goditur sigurisht edhe Oden e Avokatëve të Kosovës. Pasi që kjo nuk është shenjë e mirë, nuk është lajm i mirë dhe sigurisht edhe për sistemin e gazetarisë në Kosovë”, ka thënë Havolli.

Gashi: Hetuesia të zbulojë motivimin e tentim-vrasjes ndaj Vllasit

Ndërsa, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se edhe pse në fillim ishte menduar si sulm për punën e tij si avokat, më vonë ka dalë e kundërta.

“Sa i përket funksionit të Azem Vllasit, fillimisht është menduar se ai është sulmuar për shkak të punë së tij si avokat në kuadër të punës që kryen ai, mirëpo më vonë është vërtetuar se nuk ka të bëjë fare me profesionin e tij, por sipas njoftimeve është thënë se ai është sulmuar qëllimisht për shkak të veprimeve të mëparshme që ka qenë zyrtar i lartë në lidhjen komuniste në kohën e mëparshme deri në periudhën kohore kur ai është arrestuar, më duket se ka qenë viti 1989 dhe një prej arsyeve tjera mund të jetë publikimi i fundit që është bërë i librit të tij ku ai duket se ka dhënë komente për ngjarje të vitit 1982 respektivisht demonstratave të vitit ’81”, ka thënë Gashi.

Tutje, ai ka thënë se tani i mbetet hetuesisë që të merret me këtë rast deri në fund.

“Është një çështje shumë e thjeshtë kualifikimi juridik i veprës penale ndaj Azem Vllasit. Tash për tash është çështje e prokurorit të prokurorisë speciale se si ai e ka kualifikuar këtë fazë të hershme të hetimit, mirëpo rasti pastaj do të shqyrtohet edhe nga prokuroria edhe nga gjykatat dhe nëse nuk ka ndonjë arsye tjetër, tani për tani mund të jetë vetëm tentim vrasje dhe asgjë tjetër. Është çështje e hetuesisë që ta zbulojë motivin e vërtetë për sulmin ndaj zotit Azem Vllasi, kjo tani është punë e policisë dhe prokurorisë”, ka thënë Gashi për Bota sot.

Ndërsa, i dyshuari kryesor për tentim-vrasjen ndaj avokatit, Murat Jashari, kur ka dalë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka dashur që ta vrasë Azem Vllasin, por vetëm që ta lëndojë fizikisht dhe kjo për shkak të kaluarës politike të Vllasit.

Ai ka përmendur organizatën ‘Syri i popullit’, që sipas tyre ka në listë persona, përfshirë krerë të shtetit, për t’i likuiduar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat