Kush po i kërkon "kokat" e krerëve të shtetit?

Politika

Kush po i kërkon "kokat" e krerëve të shtetit?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 mars 2017 Në ora: 08:08
Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Atentati ndaj Azem Vllasit, ka nxjerrë në dritë skenarin e një grupi kriminal të mirëorganizuar që kishte në shënjestër krerët e shtetit. Organizata, e cila u tha që operon në tre shtete, kishte  bërë një listë me emrat e personave, që sipas tyre duhej të ekzekutoheshin. Nga Qeveria nuk ka patur asnjë koment për këtë çështje edhe pse në listën e përfolur u përmend emri i Kryeministrit Isa Mustafa. Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një emision televiziv,  ndërsa ka komentuar për listën e shumëpërfolur të Murat Jasharit për atentate ndaj figurave publike në vend, ka thënë se 26 persona janë pjesë e saj.  Në këtë listë, sipas Presidentit Thaçi, janë liderë politikë të Kosovës,  shumica prej tyre, bartësit e luftës të UÇK-së, udhëheqës fetarë (të të gjitha besimeve), opinionistë e gazetarë. Thaçi ka potencuar, se organizata e Jasharit, ka lidhje me agjentura të ndryshme, të cilat janë të lidhura direkt me Moskën. Ndërkaq, Avokati i Murat Jasharit, Emrush Kastrati, ka thënë se klienti i tij e ka pranuar  veprimin, por që nuk qëndron pohimi, se ka një listë të personave sikurse është thënë për t’i eliminuar.

Institucionet e sigurisë, konfuze

Gazeta “Bota sot”, është interesuar të di nëse Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka informacione për grupin që po përmendet, se ka planifikuar "eliminimin e tradhtarëve", mirëpo zyra e AKI-së, nuk ka dhënë detaje në lidhje me rastin.  

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk mund të komentojë asgjë lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të AKI-së për gazetën “Bota sot”, duke sugjeruar që për këtë të pyetet Policia e Kosovës. Ndërkohë, zyrtarët për Informim të Policisë së Kosovës, kanë thënë për gazetën “Bota sot”, se Policia e Kosovës komfor hetimeve dhe vlerësimeve të saja, në koordinim dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë do të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme policore. “Lidhur me rastin ne fjale Policia e Kosovës i ka bere publike veprimet e saja, duke përfshirë arrestimin e personave te dyshuar dhe sekuestrimin e dëshmive relevante qe ndërlidhen me rastin. Policia e Kosovës komfor hetimeve dhe vlerësimeve te saja, ne koordinim dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë lidhur me rastin në fjale do të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme policore”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Kosovës. Nga ana tjetër, gazeta nuk ka marr përgjigje nga Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së, nëse ata do ta thërrasin për raportim lidhur ne rastin, drejtorin e AKI-së, Agron Selimaj.

Kalkulimet e pasluftës

Ndërkaq, Muhamet Kelmendi, njohës i çështjeve juridike, duke komentuar rastin e plagosjes së z. Azem Vllasi, ka thënë për gazetën, “Bota sot”, se i takon shtetit që të veproj në këtë rast.   “Vrasjet e çfarëdo natyre janë të dëmshme dhe nuk duhet lejuar. I takon shtetit të së drejtës të merret me to. Po natyrisht se ku heshtin shteti ligjor vjen në shprehje e drejta zakonore,e cila është e ashpër. Në Kosovë nuk janë zbardhur shumë raste të para luftës, gjatë dhe të pas luftës. Këtu e merr përgjegjësinë shteti. Po natyrisht, se vrasjet e tilla janë shqetësuese për shtetin tonë. I takon shtetit te veprojnë”, është shprehur Kelmendi.  Kurse, sipas analistit Nexhat Haziri, është vështirë të definohet, se kush janë tradhtarët e kush patriotët, pasi, siç është shprehur ai, këto dy kategori në shoqërinë tonë i ndan vetëm një fije e hollë.  “Nuk e di se kush mund ta mbajë këtë licencë, për t`i përcaktuar të tjerët se kush janë tradhtarët dhe patriotët. Sot është bërë diçka e zakonshme dhe lehtësisht e shpallur për dikë tradhtarë, sa që nëse në mbrëmje bie në gjumë si patriot, mëngjesi mund të të zbardh si tradhtarë. Të gjitha këto kanë prapavijë politike, apo janë si mjete të luftës politike ndërmjet grupeve të caktuara në Kosovë që nga mbarimi i luftës”, ka theksuar Haziri.  Sipas tij, ekzistimi i këtyre grupeve, që pretendojnë eliminimin e personaliteteve të caktuara, ka një histori të gjatë. “Mund të themi, se që nga vitet '90, të cilat kanë qenë në shërbim të disa grupimeve e lëvizjeve të majta shqiptare në Diasporë, dhe pas luftës kanë vazhduar serish të jenë në shërbim të partive të caktuara politike në Kosove, siç është PDK-ja dhe SHIK”, është shprehur ai.  Analisti Haziri, ka theksuar se me këto lloje shpalljesh si "tradhtar", grupet e tilla, kane vrarë publicistin dhe gazetarin, Enver Maloku, po ashtu politologun e shquar Xhemajl Mustafën, deputetin Smajl Hajdarajn, avokatin Shaban Manaj, kolonelin Ahmet Krasniqin e Tahir Zemajn, e personalitete të tjera te jetës politike e shoqërore në Kosovë. “Pra, thjesht janë grupe kriminale, nëntokë e partive të caktuara politike, të cilat me çdo kusht dëshirojnë që ta mbajnë nën tension situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, situatë kjo që ju konvenon vetëm këtyre grupeve dhe partive për llogarinë e të cilave veprojnë . Natyrisht, se këto ngjarje do ta tensionojnë situatën politike në Kosovë, edhe ashtu të brishtë, pasi vetë, vetëm në këtë gjendje të tillë tensioni partitë e caktuara politike që mbështesin këto grupe, mund ta ruajnë jo vetëm pushtetin apo t`i fitojnë zgjedhjet, por krahas tyre ato i ruajnë paratë, bizneset e tyre të jashtëligjshme dhe privilegje të tjera. Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: "Ujku do mjegull".

“Patriotë” hakmarrës

Ndërkaq, për analistin Hidajet Ahmeti, koncepti tradhtarë e patriot është bastarduar që nga paslufta, dhe sipas tij shkaku i kësaj gjendjeje të krijuar nuk ka një referencë të qartë si kujt t’i thuhet tradhtarë  e kujt patriot.  “Gjykoj, se patriotizmi nuk do të thotë të kapësh pushkën për një kohë të caktuar e pastaj  ta zhvatësh shtetin për shumë vite, por patriotizmi është proces ku përfundon me qenin e gjithsecilit. Është krijuar një standard i ri, ku brenda natës të etiketojnë si tradhtarë, patriot, shpifës, manipulatorë, korruptues e mashtrues, por duhet të ndryshojmë mendësinë shoqërore përmes rrugëve demokratike. Trendi i etiketimeve si patriot dhe tradhtarë ka marr hov shumë të madh, e pikërisht nga “komandantët e luftës”, ku një pjesë e tyre në emër të luftës kanë zhvatur shtetin në forma të ndryshme duke i bërë milionat, por pa gjeneralizuar të gjithë  komandantët e luftës, është fjala për një pjesë e komandantëve që janë futur në politikë”, është shprehur Ahmeti.  Në këtë drejtim, ai ka theksuar, se duhet të hulumtohen dosjet e së kaluarës, për t`u ditur veprimtaria e secilit person. “Kush janë tradhtarë e kush patriot, nuk duhet paragjykuar, duhet hulumtuar në dosjet e më hershme, duke filluar nga periudha kur Kosova ka qenë Krahinë autonome brenda RFJ-së, kurse për një pjesë të viteve 90-ta e deri mbas viteve 2000 duhet hulumtuar të organizata “kriminale”  ShIK, për të cilën nuk janë hapur akoma dosjet, dhe nuk kemi njohuri për financimin, hierarkinë e mbi të gjitha funksionimin e kësaj organizate “kriminale” dhe ilegale. Gjuha e fakteve duhet të jetë e pranishme në çdo diskutim publik, e jo të përdoren qëllimet e caktuara politike për të etiketuar, fyer, e denigruar personalitetin e dikujt”, është shprehur Ahmeti.

Përpjekje për të frikësuar Kryeministrin Mustafa

Për analistin Ajet Avdyli, tendenca për t`u rikthyer në vitet e pas luftës, është përpjekje për ta destabilizuar shtetin. “Murat Jashari i cili është vëllai i Komandat Kumanovës, për mendimin tim ka bërë përpjekje për të qenë në skenë, ka qenë një skenar i orkestruar, i përgatitur nga kuzhinat e marksistëve dhe leninistëve, të cilët prej kohësh kanë jetuar në Zvicër.  Nga një analizë që e kam bërë, më del kjo gjendje faktike: Se Murat Jashari, e klika e tij pas luftës kanë jetuar në luksin e madh, dihet parat e tubuara për luftën, nga fondi i famshëm “Vendlindja thërret”, apo (Vendlindja Bërtet). Tani me kalimin e kohës sikur,  nuk janë marrë vesh si duhet me ndarjen e Kulaçit të Fondit “Vendlindja thërret”, (Vendlindja Bërtet), dikush ka qenë më i fuqishëm, i kamur me para e me pushtet, dihet ka grabit më shumë, ka marrë më shumë, e tani ka filluar një luftë në mes tyre. Në këtë vijë e hark e kemi edhe Ibrahim Kelmendin me akuzat e tija”, ka thënë Avdyli. Plagosjen e avokatit Azem Vllasi, analisti Avdyli e ka quajtur “teatër”, për ta frikësuar LDK-në dhe Kryeministrin Mustafa.  “Murati ishte në përballje të drejtpërdrejtë me Azem Vllasin. Vllasi është futur në shtëpi për t’ i dhënë pastaj numrin e telefonit Muratit, nga koha që Vllasi është futë brenda Murati ka pasur kohë të mjaftueshme që kur të dalë nga banesa z. Vllasi ta godas për vdekje. Andaj, kjo lojë në teatër është më tepër për t’i frikësuar, të tjerët në këtë rast Isa Mustafën e LDK -në, kur dihet se,  pas luftës vetëm LDK -ja e aktivistët e saj janë vrarë nga këto hordhi vrastare”, ka nënvizuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat