Çfarë do të ndodhë me Misionin e UNMIK-ut në Kosovë?

Politika

Çfarë do të ndodhë me Misionin e UNMIK-ut në Kosovë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 mars 2017 Në ora: 14:20
Misioni i UNMIK-ut

Kosova nuk ka nevojë fare për misionin e UNMIK-ut, i cili po kërkohet që patjetër të mbahet në Kosovë. Kështu vlerësojnë, njohësit e çështjeve juridike e politike, ku sipas tyre ky mision u dëshmua si i dështuar. Sipas tyre, kjo strukturë e UNMIK-ut, është produkt i OKB-së, i cili kishte kompetenca të udhëhequr me Kosovën prej vitit 1999 deri me shpalljen e Pavarësisë me 17 shkurt të vitit 2008. 

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka deklaruar se Kosova nuk e ka pasur asnjëherë të nevojshëm misionin e UNMIK-ut, mision i cili edhe ashtu u dëshmua si i dështuar. “Ndoshta, pikërisht, për shkak se është i dështueshëm po vazhdon të mbahet në Kosovën e dështueshme, po ashtu. Në anën tjetër, prezenca e UNMIK-ut, në Kosovë manifeston edhe një herë që Kosova s'ia ka arritur ende të pavarësohet, as kundrejt botës e as kundrejt Serbisë”, ka thënë deputeti Selimi. Ndërsa, deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi ka thënë, se nuk është në dijeni nëse ndokush nga vendorët ka kërkuar që UNMIK-u, të mbetet në Kosovë, sepse kaherë ka kaluar koha e atij misioni. Sipas tij, pas 17 shkurt 2008, ai mision pas transferimit të kompetencave, do të duhej t’i përkiste të kaluarës, mirëpo që ai mision vazhdojë të mbetet në Kosovë, edhe pse si vetëm si mision në hije. “Nuk jam në dijeni, se a e kanë shfrytëzuar institucionet e Kosovës prezencën e këtij, misioni vitet e fundit për bashkëpunim me Interpol,  për pastrim listash të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës. Por, përfundimisht ky mision nuk ka çfarë kërkon më në Kosovë”, ka thënë deputeti Bulliqi.

Rezoluta 1244, pengesë për Kosovën

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka pohuar,  se Kosova nuk ka nevojë fare për një mision të UNMIK-ut, meqë sipas tij, UNMIK-u, është vendosur në bazë të Rezolutës 1244 të Kosovës në OKB. Sipas tij, ky organ ka kontradikta dhe për shkak të ndarjes së anëtarëve të përhershëm në Kosovë,  kemi dy qëndrime diametralisht të kundërta. “Rusia dhe Kina janë pro mbetjes dhe zgjatjes së mandatit të UNMIK-ut,  në Kosovë me Rezolutën 1244. Kemi në anën tjetër,edhe SHBA-në Anglinë dhe Francën, natyrisht kundër mandatit të ri të UNMIK-ut në Kosovë. K ëtu qëndron çështja, përndryshe, Kosova me EULEX-in  të vendosur në Kosovë, nuk ia kanë fare nevojën këtij subjekti të OKB-së. Deri sa është në fuqi Rezoluta e KS të OKB-së 1244 edhe statusi i shtetit ka pengesa të mëdha. Me atë Rezolutë nuk është Kosova anëtare e OKB-së. Me veton e Rusisë apo Kinës nuk anëtarësohet shteti i Kosovës në OKB. Duhet atëherë njohje mbi 2/3 e anëtarëve të OKB-së të shtetit të Kosovës për t’u bërë Kosova anëtare e OKB-së. Gjendja e tillë nuk i konvenon Kosovës. Ajo i shikon për shtati pikëpamjeve të shtetit Serb, duke e konsideruar me Rezolutë Kosovën si territor të vetëm. Këtë mundet dhe duhet Kuvendi të heqë nga fuqia për Kosovën. A ka forcë Kuvendi i Kosovës në këtë kam dyshim”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Kelmendi.

UMNIK –u, për të mbikqyrë Kosovën

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava ka vlerësuar, se kërkesa për pranimin e UNMIK-u në Kosovë bëhet që të mos pavarësohet Kosova, sepse kjo strukturë e UNMIK-ut është produkt i OKB-së  i cili kishte kompetenca të udhëheqë me Kosovën, prej vitit 1999 deri me shpalljen e Pavarësisë me 17 shkurt 2008.

Ai ka vlerësuar, se çdo qëndrim i UNMIK-ut në Kosovë e argumenton mbikqyrjen e Kosovës nga ky institucion ndërkombëtar i krijuar nga OKB. Me praninë e UNMIK-ut në Kosovë, shtetet që s’kanë pranuar Pavarësinë e Kosovës kërkojnë qëndrimin sa ma të gjatë të tij, si dëshmi e qeverisjes të Kosovës nga OKB-ja.

“Edhe procedura e largimit të UNMIK-ut nga Kosova është shumë e koklavitur, sepse përfaqësuesit e OKB-së që nuk pajtohen me Pavarsinë e Kosovës e ushtrojnë veten, që e kanë këtë të drejtë, dhe situata mbetet ashtu siç është tani edhe që Pavarsinë e Kosovës e kanë njohur 114 shtete të botës. Për Kosovën UNMIK-u si mision ndërkombëtar, nuk ka nevojë të qëndrojë në Kosovë, sepse tani jemi të pavarur”, ka thënë Tërnava.

Zogaj: Misionet e huaja nuk duhet të largohen

Ndryshe analisti politik Skender Zogaj,  ka thënë, se misionet ndërkombëtare në Kosovë janë vendosur në sajë, të marrëveshjeve të caktuara që janë arritur në kuadër të protektoratit që në Kosovë, është vendosur pas intervenimit ushtarak të NATO-s për çlirimin e Kosovës.   Sipas tij, KFOR-i dhe UNMIK-u kanë qenë dy strukturat e domosdoshme për sigurimin e lirisë dhe të shtetësisë së Kosovës, mandati i të cilave ka qenë i kufizuar, varësisht nga marrja e përgjegjësive nga ana e vendorëve. “Ky ka qenë kushti, që nuk është plotësuar ende, prandaj, mbikëqyrja ndërkombëtare po vazhdon në Kosovë. KFOR-i forca mbrojtëse e tërësisë territoriale dhe e sovranitetit të Kosovës, ndërsa në fillim UNMIK-u, e pastaj EULEX-i, struktura administruese e Kosovës, që vazhdon të mbikqyrë shtetësinë e Kosovës. Zëra, që thonë se misionet ndërkombëtare duhet të largohen, jo vetëm që janë të gabuara, por janë fatale, sepse, pa KFOR-in dhe EULEX-in, Kosova do të ishte një kullë kartoni, që do të përtokej sa çel e mbyll sytë, jo vetëm nga armiqtë e shumtë të jashtëm, por edhe nga vetvetja e vet, sepse, të gjithë po e shohim dhe po bindemi se, shtetësia e Kosovës po kalon nëpër një krizë të thellë - me epilepsi politike, ekonomike dhe të gjithmbarshme zhvillimore dhe morale”, është shprehur Zogaj.  Ai ka deklaruar,  se Kosova nuk po mund të vetëqeveriset dhe misionet ndërkombëtare patjetër që duhet të qëndrojnë ende, dhe jo vetëm këto që janë, por të vijnë edhe misione të tjera, siç është Gjykata Speciale, misionet e specializuara ushtarake ndërkombëtare, Interpoli, si dhe misione politike e diplomatike të specializuara që do ta rrumbullakosnin institucionalizimin e shtetësisë së Kosovës dhe ta integrojnë në BE dhe strukturat e tjera Euro-Atlantike.

“Është çështje tjetër që, mund të ketë vërejtje për segmente të caktuara të mënyrës së funksionimit të misioneve të ndryshme ndërkombëtare, në kuadrin e të cilave ka pasur, ka e do të ketë edhe devijime ndërmarrjesh dhe manifestimesh të individëve dhe grupeve të caktuara. Këto devijime, për më tepër janë rezultat i dobësive të vendorëve, që, në pothuajse të gjitha rastet, kanë qenë të implikuar në keqpërdorimet e ndërkombëtarëve”, është shprehur analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat