Demarkacioni “peng” i Kadri Veselit

Politika

Demarkacioni “peng” i Kadri Veselit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 mars 2017 Në ora: 11:31
Kadri Veseli dhe demarkacioni

Janë bërë më shumë se dy vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Por, edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, kjo çështje e cila nuk është finalizuar ende vazhdon të jetë ndër temat më aktuale politike, për të cilën janë bërë edhe protesta të shumta.

Deputetë nga opozita e disa edhe nga pozita kanë shprehur vazhdimisht kundërshtimet e tyre, duke dhënë arsyet pse janë kundër dhe pse nuk duhet të votohet kjo marrëveshje.

Muja: Kadri Veseli e ka në dorë Demarkacionin

Kjo marrëveshje, tani pritet që të sillet në Kuvend për ratifikim, por zyrtarë nga koalicioni qeverisë kanë pohuar se nuk i kanë numrat për miratimin e saj.

Lidhur me çështjen e Demarkacionit, deputeti nga radhët e PDK-së, Shaip Muja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se si kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli duhet ta sjellë atë në Kuvend, qoftë për ratifikim apo për kundërshtim dhe jo ta dërgojnë nëpër komisione.

“Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit e ka në dorë sjelljen e Demarkacionit në Kuvend në takim me partitë politike të prezantuara në Kuvend dhe të arrijnë një koncesus nacional në Kuvend, qoftë edhe nëse kundërshtohet, duhet të sqarohet për çfarë forme të kundërshtimit bëhet dhe të fillohet të bisedohet me Malin e Zi për të gjetur atë që ne pretendojmë që janë të gabuar ose qoftë edhe për ta çuar në Arbitrazh. Ai është kryetar në Kuvend dhe me kapacitetet e tij si kryetar i Parlamentit, e jo marrëveshja e Demarkacionit të shëtitet nëpër komisione dhe interpretime edhe duke u tall me publikun se po e bëjmë komisionin e matjeve, sepse nuk kanë bërë kurrfarë matje, kanë bërë një hajgare të madhe dhe kanë krijuar një opinion që nëse demarkacioni kalon, atëherë ne i fitojmë vizat, e as kjo nuk qëndron sepse po i përkthejnë siç po kanë dëshirë vet”, ka thënë ai.

“Demarkacioni nuk i siguron vizat”

Tutje, Muja ka shtuar se Demarkacioni nuk i siguron vizat, por vetëm hap mundësitë për liberalizim.

“Zyra e Mogherinit ka thënë se me votimin e marrëveshjes së demarkacionit hapen mundësitë për viza dhe jo që bëhet liberalizimi i tyre. Por, edhe çuarja në Arbitrazh, edhe anulimi i këtij opsioni për të biseduar me Malin e Zi është zgjidhje e problemit, është sinjal edhe për bashkimin evropian edhe për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë se ne jemi në rrugën e zgjidhjes së problemit. Mënyrën si e ka menaxhuar kryeministri me qëndrimet e tij si qeveri e ka lënë problem të varur që tri vite dhe fajtori numër 1 për mos kalimin e demarkacionit është Qeveria”, ka deklaruar deputeti Muja për “Bota sot”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën Bota sot se Marrëveshja e Demarkacionit është politizuar shumë dhe duket se deputetët nuk janë ende të bindur për ta votuar.

“Çështja e demarkacionit është politizuar aq shumë, sa që më askush nuk ka ndonjë kontroll të plotë të situatës. Normalisht që një koalicion i madh do të duhej t'i kishte edhe numrat nën kontroll, në mënyrë që t'i shtyejnë agjendat e tyre përpara. Natyrisht që në këtë rast mbetet enigmë edhe pamundësia e dy subjekteve për t'i bindur deputetët e tyre që ta votojnë demarkacionin. Megjithatë, është e kuptueshme që njerëzit tashmë janë të hutuar tejmase, përmes gjithë kësaj historie që është bërë me këtë rast”, ka thënë ai.

Demarkacioni s’mund të dërgohet as në Arbitrazh

Më tej, Duhanaj ka theksuar se për ta dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit Demarkacionin, duhet të ketë marrëveshje mes shteteve.

“Për ta proceduar një mosmarrëveshje në Gjykatën e Arbitrazhit, së pari duhet të ekzistojë një mosmarrëveshje mes shteteve, që në këtë rast nuk qëndron. Pra, shteti i Kosovës dhe Malit të Zi nuk kanë problem, sepse marrëveshja është e nënshkruar. Në anën tjetër, për ta trajtuar një mosmarrëveshje eventuale në Gjykatën e Arbitrazhit, kërkohet një pajtim paraprak i të dyja shteteve për t'iu nënshtruar Gjykatës. Në këtë rast, mbetet që problemi të zgjidhet brenda nesh, sepse edhe aty qëndron. Madje, edhe nëse do t'i kërkohej Malit të Zi një trajtim nga Gjykata e Arbitrazhit, do të duhej që brenda nesh të kemi konsensus të plotë. Përderisa partitë në Kosovë ndjekin agjenda tjera e jo atë të interesit të vendit, vështirë që mund kemi përparim”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Hertica: Demarkacioni mund të prish koalicionin dhe të sjell zgjedhjet e jashtëzakonshme

Duke folur në lidhje me këtë, analisti politik Ali Hertica, ka vlerësuar se votimi i Demarkacionit nuk varet nga PDK-ja e as nga kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Por, sipas tij, mos sjellja e kësaj marrëveshjeje në Kuvend apo mos votimi i saj, mund ta prish koalicionin dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Çështja tjetër është se opozita është deklaruar se do të përdor prapë gazin në parlament, ku mundet të eskalojë situata brenda tij. Kapërcimi i kësaj mosmarrëveshjeje politike në mes të subjekteve politike, do të jetë i vetmi shpëtim për stabilitet politik. Mos reagimi i tyre do të jetë Arbitrazhi, i cili do të jep verdiktin për Demarkacion”, është shprehur Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat