Zgjedhje serbe brenda territorit të Kosovës, shkelje flagrante e shtetit

Politika

Zgjedhje serbe brenda territorit të Kosovës, shkelje flagrante e shtetit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 mars 2017 Në ora: 13:53
Ilustrim

Zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Serbi më 2 prill, janë paralajmëruar se do të mbahen edhe në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, në një postim në rrjetin social Facebook, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Emanuel Demaj, ka thënë se institucionet e Kosovës do të lejojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Demaj ka potencuar se është obligim dhe përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore që Kosova si shtet i të gjitha komuniteteve të ofroj shërbime dhe aplikim të të drejtave elementare, e që në këtë rast është lehtësimi i së drejtës për votim.

“Për hir të së drejtës për deklarim politik, të të drejtës elementare njerëzore, të fqinjësisë së mirë, paqes së qëndrueshme në rajon, serbët e Kosovës duhet lejuar të votojnë, por kandidatet serb për zgjedhjet presidenciale dhe çfarëdo lloj zgjedhjesh për institucionet e Serbisë nuk duhet lejuar të bëjnë fushatë në territorin sovran të Republikës së Kosovës. Kosovaret serb mund të përcjellin fushatat përmes mediave, apo, pse jo, edhe të marrin pjesë në fushata atje, në Serbi”, është shprehu ai. Por, sipas tij, institucionet e Republikës së Kosovës (konkretisht KQZ) në bashkëpunim me Zyrën e Serbisë në Prishtinë dhe Zyrën e Kosovës në Beograd mund të identifikojnë pikat zgjedhore në komunat me shumicë serbe.

“Kjo është sjellje paqësore institucionale. Jashtë këtij konteksti, aktivitetet duhet të kuptohen si ndërhyrje dhe cenim i sovranitetit shtetërorë. Konsideroj se duhet dhënë përgjigje institucionale çdo formë të irredentizmit dhe patriotizmit agresiv të institucioneve të Serbisë që po përkrahen nga tentativat gjeopolitike të Rusisë, qe me çdo kusht po përpiqet të vendose primatin në Ballkan”, ka theksuar zëvendësministri Demaj.

Veriu me struktura paralele që i përgjigjen Beogradit

Duke komentuar këtë çështje, analisti politik Albrim Badallaj, ka thënë se, Serbia edhe këtë vit do t'i mbajë zgjedhjet me mbikëqyrje të OSBE-së, si në vitin 2012 dhe 2014 të cilave Qeveria e Kosovës u ishte referuar si qendra “grumbullimi".

“I dhimbshëm është fakti që pjesëtar të qeverisë së Kosovës, nga lista serbe, si ministra por edhe deputet i proklamojnë këto zgjedhje dhe I quajnë demokratike pasi që organizimin e tyre po e bënë OSBE-ja dhe për këtë çështje nuk ka çka të bisedoj me liderët shqiptarë të Kosovës. Ne vendet tjera ky mesazh I tyre do të "shpërblehej" me shkarkim, por që liderët tanë nuk kanë guxim të marrin veprime të këtilla. Nëse nga ana e tyre përdoret si arsyetim se zgjedhjet mbahen për shkak se në këtë pjesë të Kosovës dhe Metohisë (emërtim i përdorur nga ana e tyre për Kosovën) jetojnë serb, atëherë duhet të ketë reciprocitet edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sipas kësaj logjike”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, sipas tij, deklarimet e Qeverisë së Kosovës, kanë qenë tejet të zbehta duke thënë se do të ndërmarrin veprime konform praktikave ndërkombëtare, duke aluduar në atë se personat me dyshtetësi votojnë në Ambasada apo zyrën ndërlidhëse në këtë rast, por që serbët e kanë mohuar këtë lloj praktike.

“Qeveria e Kosovës realisht është dashur që të mos I lejoj futjen e atij materiali zgjedhor dhe të ndërmerr një sërë veprimesh tjera duke ndaluar ardhjen e liderëve serb për të bërë propagandë zgjedhore, por që po "pengohen" pasi që po i organizon OSBE-ja. Kjo përbën shkelje të sovranitet të vendit, meqë një shtet tjetër po organizon zgjedhje brenda territorit saj, pa marrë leje dhe më të rëndë e bënë faktin se këtu është fjala për një shtet që se njeh shtetin tonë dhe që ka të kaluar kriminale ndaj popullit në Kosovë”, ka thënë Badallaj.

Kjo, sipas tij, tregon qartë që në Veri ka ende struktura paralele që i përgjigjen vetëm Beogradit, apo edhe si lista serbe që merr pjesë nëpër institucionet e Kosovës dhe paguhet prej tyre, por që i përgjigjet vetëm Serbisë.

“Ne e dimë se çfarë veprime ka ndërmarrë shteti serb në Kosovë kur mbaheshin zgjedhjet e shqiptarëve, paralel atyre që i organizonte serbët, duke ushtruar dhunë dhe terror. Ne nuk duhet të veprojmë njëlloj si shteti fashist serb I viteve '90-të, por që edhe OSBE-ja duhet të reflektojë, duke ia bërë me dije edhe Qeveria e Kosovës, se zgjedhjet në këtë formë paraqesin provokim dhe injorim ndaj shtetit tonë. Mos të harrojmë që këto zgjedhje mund të prodhojnë edhe tensione të panevojshme ndëretnike”, ka përfunduar ai.

Shkelje flagrante e shtetit

Ndërkaq, analisti Ali Hertica ka deklaruar se, Kosova si shtet multi etnik dhe shtet me garancione për të gjithë ata që jetojnë këtu, duhet të tregohet i matur dhe politikisht i përgatitur ta ruaj nocionin shtet.

“Kosova është e pranuar ndërkombëtarësh si shtet sovran me të gjithë kufijtë e saj të garantuara nga miqtë ndërkombëtarë, ku i ka të gjitha institucionet e shtetit. Atëherë kur i ka të gjithë aparatin  e shtetit duhet të tregohet shtet me ligj dhe shtet  me kushtetutë. Nëse Serbia fillon zgjedhjet e saja në territorin e Kosovës është një shkelje flagrante e shtetit dhe e institucioneve të saj, ku Kosova assesi nuk duhet të lejoj mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, sepse serbet e Kosovës kanë dy shtetësi ku le të shkojnë në Serbi që të votojnë  për kënd ata mendojnë se është i mirë e jo në Kosovë, sepse Kosova nuk mbanë zgjedhje në Serbi në Luginën e Preshevës ku ka shqiptar e bile as nuk ju lejon dërgimin e librave nga Prishtina në gjuhen shqipe, lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është totalisht anti kushtetuese dhe shkelje flagrante  e shtetit”, ka përfunduar Hertica./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat