Gaxherri: LDK e para kurdo që të ketë zgjedhje, VV po bënë sondazh dëshirash

Politika

Gaxherri: LDK e para kurdo që të ketë zgjedhje, VV po bënë sondazh dëshirash

Më: 21 mars 2017 Në ora: 21:27
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri

(E plotësuar) - Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, sondazhin e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje ku LDK del e treta si parti politike, e ka quajtur si ‘fontanë dëshirash’.

Ajo ka thënë se ky sondazh i Vetëvendosjes është një propagandë elektorale.

Ajo thotë se LDK është duke punuar që në zgjedhjet nacionale dhe ato lokale që të del e para si parti politike. Sipas saj kurdo që të ketë zgjedhje LDK do të jetë e para.

“ Sondazhi i VV-së  është një fontanë dëshirash, në kuadër të propagandës elektorale. Çdo parti konsideroj se i bën sondazhet e veta, prandaj LDK po punon që në zgjedhjet lokale në këtë vit dhe në zgjedhjet nacionale në vitin e ardhshëm, të jetë forca e parë politike. Duke pasur parasysh begraundin e këtij subjekti politik, LDK është e para, kurdo që të ketë zgjedhje”, ka thënë Gaxherri.

Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme ka publikuar një sondazh e cila e nxjerr këtë parti si më të votuarën në vend.

**************

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri duke folur për zgjedhjet e parakohshme, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje.

“Çdo  parti politike serioze duhet të jetë e gatshme për zgjedhje, por natyrisht ne që për herë të parë po e udhëheqim shtetin me kryeministrin, pretendojmë që të shkojmë deri në afatin kushtetues, në vitin 2018”

“Një subjekt politik nuk mund të shkojë vetëm në zgjedhje e as t’i ndalë ato, këto janë çështje kompromisi por them se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje nacionale”.

Gaxherri në Ora e Fundit ka folur edhe për koalicionin qeverisës PDK-LDK duke e quajtur si të vështirë.

“Nuk është lehtë qeverisja me rivalin kryesor, PDK-në. Në atë moment që PDK mendon se duhet të shkojmë në zgjedhje, duhet ta thotë drejtpërdrejtë dhe kjo nuk është problem”.

“Është shumë  e vështirë se janë dy filozofi krejt të kundërta por ne tashmë kemi marrë përgjegjësinë”.

Gaxherri ka folur edhe për iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri.

“Nuk ka asnjë qytetar, asnjë shqiptar nuk e pret me admirim transformimin e FSK-së në Ushtri dhe duke pasur parasysh edhe situatën gjeo-politike globale ne duhet të kemi Ushtri”.

Ajo  ka thënë se Kosova ka nevojë për Ushtri, por vetëm në koordinim me ndërkombëtarët.

“Iniciativa e Thaçit është e ngutshme dhe e pakuptueshme, më shumë e shtyrë nga bajraktarizmi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat