Koalicioni LDK-VV dhe vijat e kuqe të PDK-së!

Politika

Koalicioni LDK-VV dhe vijat e kuqe të PDK-së!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 mars 2017 Në ora: 07:48
"PDK nuk do të jetë pjesë e as diskutimeve e as e në kuptimin e koalicionit të mu ndshëm qeveritar. Megjithatë, Vetëvendosje nuk përjashton mundësinë e bashkëqeverisjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por pa Isa Mustafën”, ka thënë Molliqaj.

Gjatë ditës së djeshme, sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, ka prezantuar rezultatet e një sondazhi, ku sipas të cilit, Vetëvendosje do të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme. Por, Molliqaj duke folur për koalicionet e mundshme, ka mohuar në të ardhmen që të ketë bashkëqeverisje me PDK-në, për shkak se qëndrimet e VV-së si subjekt dallojnë nga të tjerët.

Ndërsa, në lidhje me një koalicion të mundshëm me LDK-në, Molliqaj ka theksuar se nëse, VV del e para në zgjedhje, Vetëvendosje nuk përjashton mundësinë e bashkëqeverisjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por pa Isa Mustafën në krye, duke shtuar se Qeveria duhet ndërtuar rishtas.

“Ne duhet me ndërtuar Qeverinë nëse VV-ja del e para. Ne bazohemi në dy kritere dhe ato duhet të jenë me përzgjedh subjektin i cili i ka bërë më së paku dëm Kosovës . Jo pse është më i miri po ndoshta që ka pasur mundësi me bërë më pak dëme dhe e dyta subjektin që mundesh më së lehti me bashkëqeverisje...Ajo që është qartë për neve është që PDK njëherë duhet të jetë në opozitë. nuk ka kuptim që i gjithë ky ndryshim të ndodh dhe krejt këta votues që e votojnë VV ti me u kthye e me bër koalicion me subjektin i cili ka qenë që 10 vite në Qeveri....Për një mandat qeverisës PDK është e përjashtuar në kuptimin e mundësisë për me forum institucione...PDK nuk do të jetë pjesë e as diskutimeve e as e në kuptimin e koalicionit të mu ndshëm qeveritar. Megjithatë, Vetëvendosje nuk përjashton mundësinë e bashkëqeverisjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por pa Isa Mustafën”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, me LDK-në mundet edhe të ketë koalicion por vetëm pa Isa Mustafën.

“Nëse VV duhet të ndërtoj Qeverinë dhe e vetmja mënyrë për me e ndërtua numrat është me bashkëqeverisje edhe me LDK-në . Këtu e kemi vetëm një kusht të vetëm ajo përveç kushteve të tjera ajo është pa Isa Mustafën” është shprehur Molliqaj gjatë ditës së djeshme.

Dyshojnë në Vetëvendosjen

Por zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të kontaktuar nga “Bota sot”, lidhur me kushtin e Vetëvendosjes për koalicion, thonë se askush nuk mund të parashtroj kushte të tilla në adresë të LDK-së.

Zëvendësministri  në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, nga radhët e LDK-së, Bajram Gecaj ka thënë për “ Bota sot” se as VV, dhe askush tjetër, nuk mund të parashtrojë kushte të tilla në adresë LDK-së, duke dyshuar se Vetëvendosje, sipas tij mund ta kaloi pragun zgjedhor.

“VV duhet të heq dorë përfundimisht nga dhuna, që të mund të konsiderohet e denjë për bashkëqeverisje. Megjithatë, unë dyshojë se ata do të mund ta kalojnë pragun zgjedhor në rrethanat e tanishme”, është shprehur  Gecaj.

PDK nuk e përjashton koalicionin

Kurse, zyrtarë nga PDK-ja thonë se nuk e përjashtojnë një koalicion me Vetëvendosjen. Deputeti i PDK-së Bislim Zogaj ka vlerësuar  se PDK-ja nuk do të ketë vija të kuqe të asnjë partie, por koalicioni sigurisht se do të bëhet duke u pajtuar rreth programit.  

Sipas tij, PDK gjithsesi do të jetë fituese edhe në këto zgjedhje dhe sigurisht se në qoftë se pajtohet VV me programin dhe premtimet e PDK-së dhe të kenë një koordinim rreth programit qeverisës sigurisht se mund të hyjnë në koalicion, dhe mund të jetë e pranueshme edhe Vetëvendosje.

“Edhe pse politikat që është duke i ndjekur për momentin VV-ja do të ishte më së vështiri të bëjmë koalicion me Vetëvendosjen”, ka thënë deputeti i PDK-së Zogaj.

Koalicioni i pa mundur LDK-Vetëvendosje

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se nuk mundet një subjekt të përcaktojë se kënd e pranon si lider të një partie tjetër.

Sipas tij, kjo është fjalë e thënë dhe asgjë më tepër pasi kjo pamundëson një koalicion të tillë, përderisa Isa Mustafa vepron në pajtim me vullnetin e anëtarësisë së LDK-së, përderisa ai është edhe kryetar ,ose përderisa anëtarësia e këtij subjekti politik nuk vendos ndryshe.

“Pra kjo mbyll rrugën e bashkëpunimit dhe është ndërhyrje ne një subjekt tjetër politik. Gjithçka është e mundshme por me këtë subjekt politik, kanë telashe të dy këto parti aktuale që janë në koalicion, dhe nuk kanë respekt për një lëvizje të tillë. Koalicion me këtë subjekt është i pamundshëm përderisa nuk ndryshon konceptin për politikën, vendimmarrjen ose politikat ndërkombëtare, kjo mbetet një lëvizje ende pa u transformuar në një subjekt politik. Pra VV-sje duhet sa më parë të bëhet parti politike,  e jo lëvizje e cila nuk ka rregulla unike, por ka rregulla politike individuale si lëvizje ,pra politik të aktit të kryer, dhe duhet të ketë më shumë fleksibilitet”, ka thënë analisti politik Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat