Shteti, UNMIK-u, EULEX-i, dështuan në zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve nga dora kriminale

Politika

Shteti, UNMIK-u, EULEX-i, dështuan në zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve nga dora kriminale

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 mars 2017 Në ora: 11:25
Gazetarët e vrarë të "Botës sot" Xhemaj Mustafa, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti

Janë bërë 18 vite që nga përfundimi i luftës në Kosovë, mirëpo zbardhja e rasteve të gazetarëve të vrarë e të zhdukur ende nuk është bërë.

Sipas raporteve të IFJ, Reporters sans Frontieres dhe AJASE (Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë në Zvicër dhe Evropë), tregohet  se në Kosovën e pas luftës janë vrarë 4 gazetarë, e të cilët ishin gazetarë/kolumnist të gazetës “Bota sot”, ndërsa janë kërcënuar mbi 200 gazetarë.

Edhe pse, IFJ dhe organizatat tjera ndërkombëtare kanë kërkuar nga specialja për krime në Kosovë të merret edhe me likuidimin e gazetarëve shqiptarë në Kosovën e pas luftës, përsëri një gjë e tillë nuk është bërë.

Ndërsa, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, institucionet ndërkombëtare kanë dështuar totalisht në hetimin e vrasjeve të gazetarëve.

Mungon vullneti

Kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj, thotë se UNMIK-u, EULEX-i kanë dështuar t’i hetojnë këto vrasjet.

Hysenaj tregon edhe arsyetimin e tyre për mos zbulimin e këtyre rasteve.

“Fatkeqësisht, këto vrasje ka dështuar t'i hetojë së pari UNMIK, pastaj EULEX ndërsa tani konsiderojmë se me këto raste duhet të merren institucionet e Republikës së Kosovës. Aktualisht misioni i EULEX i ka në trajtim edhe disa nga rastet e vrasjes së gazetarëve. Disa prej tyre fatkeqësisht janë mbyllur dhe mund të rihapen për hetim sërish. Arsyetimi i misioneve ndërkombëtare për mos zbulimin e këtyre rasteve ka qenë se për shkak të rrethanave dhe kohës kur kanë ndodhur, ka qenë e pamundur të gjenden autorët. Një  element tjetër që  kanë përmendur në vazhdimësi institucionet ka qenë se nuk ka pasur edhe dëshmitarë. Konsiderojmë se sidomos institucinet ndërkombëtare kanë dështuar totalisht në hetimin e këtyre vrasjeve” shprehet Hysenaj për gazetën “Bota sot”.

Hysenaj pohon që ata si organizatë kanë kërkuar zbardhjen e këtyre vrasjeve, mirëpo sipas tij edhe në të kaluarën ka munguar vullneti për zbulimin e këtyre vrasjeve.

“Së fundi ne si organizatë kemi kërkuar sërish zbardhjen e këtyre vrasjeve. Fatkeqësisht nuk ka pasur shumë vullent në të kaluarën nga të gjithë mekanizmat në zbulimin e këtyre vrasjeve. Megjithatë së fundi ka pasur iniciativa të ndryshme që e kanë sjellë në qendër të vëmendjes rastet e pazbuluara” thekson Hysenaj.

Ai tregon se kanë arritur ta bindin kryeprokurorin që ta caktojë një koordinator nga zyra e tij që të merret me rastet e gazetarëve.

“Ne kemi arritur që ta bindim kryeprokurorin që të caktojë një koordinator nga zyrja e tij që  do të  merret me rastet e gazetarëve. Ndërkohë  që  nëpër prokuroritë themelore poashtu është caktuar nga një person përgjegjës që ka për qëllim reagimin me prioritet për rastet e gazetarëve” shprehet Hysenaj.

Ai gjithashtu tregon se siguria e gazetarëve sot është më e madhe në krahasim me vitet paraprake.

“Normalisht se tani ka siguri  më të madhe edhe për shkak të forcimit të sundimit të ligjit. Megjithatë ambienti për të ushtruar profesionin e gazetarit në vendin tonë mbetet i vrazhdë. Megjithatë ne si organizatë kemi gjetur mirëkuptim të sistemit të drejtesisë për të  përmirësuar situatën” pohon Hysenaj.

Përkundër që ka pasur kërkesa nga organizata të ndryshme ndërkombëtare që specialja të merret edhe me vrasjet e gazetarëve pas luftës, ka pasur edhe të atillë që kanë kërkuar një gjykatë tjetër speciale që të hetohen vetëm gazetarët e vrarë pas luftës.

Të zgjerohet mandati i Speciales

Mirëpo, për formimin e një gjykate tjetër speciale, është kundër njohësi i zhvillimeve në vend, Haki Abazi.

Abazi, shprehet se duhet zgjeruar mandati i speciales deri në fund të vitit 2004.

“Që  nga vrasjet e para në Shqipëri të Ahmet Karsniqit dhe gazetarit Ali Uka e deri të secila vrasje e gazetarëve dhe politikanëve, përfshire edhe Enver Malokut si shef i Qik duhet kërkuar drejtësi. Nuk ka nevojë të krijohet gjykatë speciale, por duhet zgjeruar mandatin e gjykatës speciale deri në fund të vitit 2004” thekson Abazi.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kanë udhëhequr pothuajse të gjitha partitë politike, duke filluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por asnjëra nuk ka pasur vullnetin për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve pas luftës.

“Bota sot” ka kontaktuar me zyrtarët e këtyre partive politike lidhur me këtë çështje, mirëpo asnjëra nga palët nuk kanë dashur të flasin.

Kurse, njohësi i zhvillimeve në vend, Haki Abazi, thotë se asnjëra nga partitë nuk e ka me sinqeritet ligjin dhe drejtësinë e pakompromis.

“Asnjë nga partitë nuk e ka me sinqeritet ligjin dhe drejtësinë e pakompromis, por qytetarët duan drejtësi për të gjithe të vrarët, pavarësisht se nga vijnë dhe kush janë dhe çfarë ideologjie i takojnë” pohon Abazi.

Kujtojmë se gazetari i parë i vrarë në Kosovë,  ishte Enver Maloku, i cili ishte kolumnist në “Bota sot”.  Vrasja e tij ndodhi më  11 janar të 1999.  Shefki Popova,  u vra më 10 shtator 2000, në Vushtrri. Ai ishte gazetar, i gazetës "Rilindja".  Xhemajl Mustafa u vra më 23 nëntor të vitit 2000. Mustafa në atë kohë ishte kolumnist  në gazetën “Bota sot”.  Bekim Kastrati, gazetar i “Bota sot", i cili  është vrarë më 19 tetor të vitit 2001. Bardhyl Ajeti gjithashtu gazetar i “Bota sot”, i cili u vra në qershor të vitit 2005.

“Bota sot” ka kontaktuar edhe prokurorinë, për t’i pyetur sa është punuar për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve pas luftës, sa kanë punuar ata në këtë aspekt, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat