Junker paralajmëron Trump-in: Nëse BE shpërbëhet, shpërthen lufta në Ballkan

Politika

Junker paralajmëron Trump-in: Nëse BE shpërbëhet, shpërthen lufta në Ballkan

Më: 24 mars 2017 Në ora: 15:33
Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian

Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian, ia ka tërhequr vërejtjen presidentit amerikan Donald Trump që të mos nxisë vende të tjera të BE-së të imitojnë Brexitin me argumentin se shpërbërja e BE-së mund të bëhet shkak për luftë në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazeta prestigjioze “The Financial Times”.

Trump është i pandërgjegjshëm për historinë e ndërlikuar të Evropës, mendon Junckeri. Veterani luksemburgas i politikës evropiane, Junckeri 62 vjeçar, e ka tërhequr vërejtjen në takim me zëvendës presidentin amerikan Mike Pence kur ky ishte në vizitë në Bruksel muajin e kaluar.

“I thashë zëvendëspresidentit: ‘Mos e thoni këtë, mos i nxisni të tjerët ta lëshojnë BE-në, sepse po qe se Bashkimi Evropian shembet, do të keni luftë të re në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Junckeri.

Presidenti i Komisionit Evropian ka thënë se është me rëndësi që vendeve të rajonit t’u jepet perspektiva e anëtarësimit në BE.

“Nëse i lëmë vetëm – Bosnja Hercegovina, Republika Srpska, Maqedonia, Shqipëria, të gjitha ato vende – do të kemi luftë sërish”.

Gjatë një interviste në drekë që zgjati dy orë, Junckeri ka folur për shtrëngesat në marrëdhëniet transatlantike dhe ndikimin negativ të Brexitit, të cilin e quajti “tragjedi” me pasoja.

Ai tha se Trump po u shkaktonte frikë evropianëve me retorikën e tij “Së pari Amerika”.

“Për herë të parë në historinë e pasluftës kemi një president amerikan që lë përshtypjen se nuk është i interesuar për çështjet evropiane”, i ka thënë Juncker gazetës “Financial Times”.

Presidenti i Komisionit Evropian Juncker do të vizitojë Uashingtonin muajin që vjen, por, nga fjalët dhe toni i intervistës së tij, duket se ka pak shpresa se do ta takojë Presidentin Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat