Deklarohet Nehat Mustafa: Ja pse u hoqa nga posti i zëvendësministrit në MPB

Politika

Deklarohet Nehat Mustafa: Ja pse u hoqa nga posti i zëvendësministrit në MPB

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 mars 2017 Në ora: 17:32
Nehat Mustafa, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Disa javë pasi kishte dalë me një serë akuzash për Policinë e Kosovës, Nehat Mustafa, më nuk do të jetë zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Tashmë Mustafa do të jetë zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Këtë, e ka bërë të ditur vet ai, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas Mustafës, vendimi për t`u zëvendësuar i erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë disa lëvizje nëpër disa ministri. Disa zëvendësministra janë tërhequr për shkak të zgjedhjeve lokale dhe për shkak të angazhimeve të tjera në struktura të larta të partisë, ndërsa disa zëvendësministra të tjerë jemi zëvendësuar nëpër ministri të tjera, për të krjua vend për aktivistët tanë të ri”, ka thënë Mustafa.

I pyetur nga gazeta nëse zëvendësimi i tij ka të bëj me akuzat e mëparshme për parregullsi të shumta brenda policisë së Kosovës, Mustafa, ka thënë se nuk është në dijeni për këtë.

“Nuk e di a ka të bëj me to, nuk e besoj që ka të bëjë me to. Këtë nuk e besoj, sepse ky nuk është shkarkim, por është kalim nga një ministri në një ministri tjetër. Në skenën politike janë veprime të njohura ku ndodhin edhe në vendet tjera. Gjatë një mandati qeverisës kryesia e subjektit mendon se ku mund të funksionoj më mirë”, ka theksuar Mustafa.

Ndryshe, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mustafën do ta zëvendësoj ish deputeti i PDK-së Behar Selimi. Për më tepër, javë më parë, Mustafa kishte deklaruar se në Kosovë ka shumë polic të korruptuar. Madje ai kishte thënë se brenda Policisë së Kosovës ka edhe shumë çështje të tjera që duhet të diskutohen, siç janë frekuentimi i kazinove nga pjesëtarët të këtij institucioni si dhe ruajtja e diskotekave të vendit nga disa policë, e në këto vende siç ka thënë Mustafa dyshohet se ka edhe përdorim të substancave narkotike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat