Kuvendi as këtë javë nuk diskuton për formimin e ushtrisë

Politika

Kuvendi as këtë javë nuk diskuton për formimin e ushtrisë

Më: 27 mars 2017 Në ora: 18:06
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Kuvendi i Kosovës as këtë javë nuk do ta ketë në rend dite projektligjin për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Këtë javë kryesia e Kuvendit ka paraparë mbajtjen e dy seancave plenare, njëra të enjten e tjetra të premten.

Mos futjen e projektligjit për ushtrinë opozita e quan tërheqje të presidentit nga nisma e tij, edhe pse në fillim thoshte se ushtria do të bëhet medoemos. Madje, opozita kërkon zgjedhje si zgjidhje e situatës, meqë sipas tyre koalicioni qeverisës nuk po funksionon.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se Kuvendi nuk është duke funksionuar as për se afërmi me parametrat që ka dhe detyrat që ka me Kushtetutë. Ai tha pas mbledhjes së kryesisë se nuk patën në rend dite ligjin që mundëson transformimin e FSK-së në ushtri.

Derisa ka theksuar se VV-ja do ta përkrah projektligjin e propozuar nga Thaçi, porse në asnjë mënyrë nuk do të përkrahin nëse ai vjen në pako me demarkacionin e Asociacionin.

Sipas tij, kjo nuk do të ndodh as javën e ardhshme nga ajo që ai ka mundur të lexojë.

Konjufca: Presidenti është tërhequr

“Deri diku para dhjetë ditës kemi pasur ato deklaratat e presidentit se ligji për ushtrinë do të bëhet medoemos, pra që FSK-ja do të bëhet ushtri. Këtë javë mendoj apo më saktë javën e kaluar e patëm qëndrimin e zbutur të presidentit i cili tha se FSK-ja nuk duhet të bëhet ushtri pa një koordinim me ndërkombëtarët, pra tash ose është në koordinim me ndërkombëtarët ata po thonë se FSK nuk duhet të bëhet ushtri me ligj por me Kushtetutë, ose nëse mendon se duhet të bëhet me çdo kusht, duhet t’i bindësh ndërkombëtaret. Mendoj që presidenti është tërhequr javën e kaluar dhe deklaratat e tij nuk janë se FSK do të bëhet ushtri por janë tash që nuk do të shkojmë në mënyrë të njëanshme”, tha Konjufca.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes shtoi se deklaratat e bashkësisë ndërkombëtare që të mos bëhet ushtria përmes projektligjit, por ndryshimeve kushtetuese nuk kanë qenë kërcënime, por vetëm sugjerime.

Konjufca: Ndërkombëtarët nuk kërcënuan por sugjeruan

“Ne jemi të bindur se bërja e FSK-së ushtri në çfarëdo mënyre nuk do të qonte bashkësinë ndërkombëtare t’ia kthente shpinën Kosovës...nuk pajtohem që kanë qenë kërcënime, kanë qenë sugjerime që ne duhet t’i marrim me kujdes, mirëpo, duhet të shkojmë drejt FSK-së ushtri, nëse mendoni se duhet të mbetemi peng i Listës Serbe, atëherë, unë nuk mendoj që kjo do të ishte njëfarë programi i mirë për shtetin e Kosovës”, shtoi ai.

Konjufca ka kërkuar shkuarje në zgjedhje meqë thotë se koalicioni qeverisës pavarësisht numrave që ka, nuk po funksionon, derisa, përgjegjësia duhet të kërkohet tek partnerët e koalicionit.

Konjufca: Koalicioni s’po funksionon, duhet shkuar në zgjedhje

“Atëherë nëse nuk ka funksionim, natyrisht që vendi duhet të shkoj në zgjedhje, sepse nuk ka zgjidhje tjetër, kjo është vetëm zvarritje e proceseve. Derisa nuk e patëm edhe kryetarin në mbledhje të kryesisë, ai me siguri është në fushatë nëpër fshatra të Kosovës duke bërë fushatë zgjedhore. Kryetari i Kuvendit bënë fushatë zgjedhore, sillet si kryeministër. Kohët e fundit nuk po i vije rendi opozitës ta shaj pushtetin sepse po shahen mes veti, prej vrasjeve politike, e deri të prishja e marrëdhënieve me ndërkombëtarët. Jemi me një situatë jo serioze të një Qeverie të papërgjegjshme”, theksoi ai.

Por ndryshe mendon nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili mendon se koalicioni qeverisës po funksionon, porse nëse ka atëherë duhet të flasin krerët e partive, Kadri Veseli e Isa Mustafa. Derisa thekson se nuk di gjë nëse mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Haliti: S’kam dëgjuar për zgjedhje të parakohshme

“Unë nuk kam dëgjuar që ka probleme mes koalicionit të natyrës së tillë, sidoqoftë është në dorën e atyre që mund t’i thonë, mund të flasin në emër të partive, Mustafa e Veseli, që mund ta hapin problemin për ta shqyrtuar çështjen e koalicionit, nuk jam unë dhe nuk është ai, as kryesia e Kuvendit që do ta shpallë prishjen e koalicionit në kohën kur koalicioni është duke funksionuar, ç’është e vërteta, sepse unë me kolegët që punojë se kam asnjë problem....Nuk e di, nuk kam dëgjuar, ju e dini që zgjedhjet e parakohshme sipas Kushtetutës mbahen atëherë kur nuk ka kuorumin e duhur për votim dhe kur prishet koalicioni, në qoftë se nuk i ka Qeveria 61 vota, ajo normalisht që duhet të bjerë”, tha Haliti.

Mirëpo, mungesën e deputetëve në seanca plenare dhe dështimi i tyre për shkak të kuorumit sipas Halitit, po ndodhë për shkak të papërgjegjësisë së deputetëve, të cilët gjatë seancave plenare dalin kryejnë edhe punë personale.  

Haliti: Nuk do të thosha sabotim por papërgjegjësi e deputetëve

“Jo, jo çdoherë kur grupet janë të përgjegjshme dhe kur kemi bërë thirrje që vijnë deputetët kemi pasur kuorum. Nuk do të thosha sabotim por do të thosha papërgjegjësi e deputetëve dhe dalin sa është seanca e kryejnë edhe ndonjë punë të vetën dhe mungojnë në votim”, shtoi Haliti.

Derisa për mungesën e Veselit në kryesi, Haliti tha se nuk e dinë ku është, porse Veseli i ka pesë zëvendësa dhe mund ta zëvendësojnë në çdo situatë.

Rikthimin e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend e ka quajtur lajm të mirë, sepse ata duhet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës për t’i përfaqësuar votuesit e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat