Zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe koalicionet në mes partive

Politika

Zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe koalicionet në mes partive

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 mars 2017 Në ora: 08:22
Zgjedhjet në Kosovë, foto nga arkivi

Mundësia që Kosova të shkojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ka qenë temë debati që nga viti i kaluar, por këtë vit e këtë muaj zgjedhjet e jashtëzakonshme janë duke u diskutuar më shumë.

Është raportuar edhe për një mbledhje të fshehtë në mes partive për diskutim të kësaj çështjeje, ndërsa burimet e mediave thonë se ato do të mbahen më 4 qershor.

Ndërsa, së bashku me zgjedhjet e jashtëzakonshme vijnë edhe koalicionet e mundshme para dhe pas zgjedhore.

Partitë politike në Kosovë, kanë folur rreth koalicioneve të mundshme dhe vijave të kuqe që ata kanë.

LDK nuk ka frikë nga zgjedhjet

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, thotë se LDK-ja politikat e saja në raste të tilla i realizon duke respektuar vullnetin e organeve partiake të cilat funksionojnë ngjashëm me organet e partive serioze që janë pjesë e familjes së EPP-së.

Mirëpo, sipas Çunit fillimisht zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë rruga më e mirë për të dërguar sinjalet pozitive tek qytetarët dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Në politikë është normale që secila parti të punojë në vazhdimësi sikur zgjedhjet do të ndodhin ditën apo javën tjetër, por respektimi i afateve ligjore për zgjedhje mendoj se është rruga më  e mirë për të dërguar sinjale pozitive tek qytetarët dhe miqtë  tanë ndërkombëtare se po synojmë që Kosovën ta bëjmë shtet serioz dhe kredibil” shprehet Çuni.

Ai duke folur për “Bota sot” thotë se çuarja e vendit në zgjedhjet e jashtëzakonshme, flet për jo seriozitetin e klasës politike në Kosovë.

“Çuarja e vendit, në vazhdimësi në zgjedhje të parakohshme, flet për jo seriozitetin e klasës politike në Kosovë, shpenzon buxhetin e saj dhe humb kohë në realizimin e shumë proceseve të rëndësishme për vendin si dhe realizimin e shumë projekteve me rendësi për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve tanë. Përndryshe nëse rivalet tanë politikë, cilët do qofshin ata, synojnë zgjedhje të parakohshme, LDK-ja është parti e cila nuk ka frikë nga zgjedhjet, përkundrazi jemi të përgatitur dhe të gatshëm në  çdo kohë të ballafaqohemi me qytetarët dhe vullnetin e tyre” pohon Çuni.

Ai shprehet se LDK-ja respekton vullnetin e organeve partiake të cilat funksionojnë ngjashëm me organet e partive serioze që janë pjesë e familjes së EPP-së.

“Sa i përket kombinimeve të mundshme për koalicione pas zgjedhore, LDK-ja si parti me traditë 27 vjeçare në skenën politike dhe si anëtare e vetme nga partitë e Kosovës në EPP-se, politikat e saja në raste të tilla, siç e dini, i realizon duke respektuar vullnetin e organeve partiake të cilat funksionojnë ngjashëm me organet e partive serioze që janë pjesë e familjes së EPP-së” thekson Çuni.

PDK e vetme në zgjedhje

Ndërsa, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, shprehet se çështja është nëse do të krijohen zgjedhjet tani apo më vonë.

Hasanit pohon se PDK-ja, brenda vetës ka pasur një grup të partive të vogla që janë pjesë e koalicionit, mirëpo siguria që të jetë e vetme në zgjedhje është më e madhe.

“Tash çështja nëse shkohet në zgjedhje varet nga rrethanat politike. Në kohën se kur shkohet në zgjedhje, a do të shkohet në zgjedhje në një rrethanë të tashme a po të mëvonshme. Mendoj që PDK-ja, ka pasur brenda  vetes një grup të partive të vogla që janë pjesë e koalicionit. Formimi i koalicionit parazgjedhor është i mirë nëse krijohet në bazë të një stabiliteti. Shkuarja në zgjedhje e vetme është një siguri me e madhe e partive politike” thotë Hasani për “Bota sot”.

Ai thekson se PDK-ja do të shkojë e vetme për të pasur mundësinë e krijimit të një balanci politik dhe udhëheqje politike në Kosovë.

“Mendoj që PDK-ja në zgjedhje duhet ta bëjë një fushatë të mirëfilltë me një program politik për  arsim  cilësor, shëndetësi për të gjithë qytetarët dhe për zhvillim ekonomik dhe  për sigurinë e qytetarëve në luftë kundër dukurive negative dhe terrorizmit. PDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje që të ketë mundësi të krijojë një balanc politik dhe udhëheqje politike në Kosovë, kurse me partitë e vogla shumë herë humbet kredibiliteti, kur ato krijojnë privilegje që janë shumë të dëmshme për qeverinë. Kështu që, shkuarja në zgjedhje vetë do të thotë krijimi i një qeverie të mirëfilltë dhe stabile” shprehet Hasani.

Koalicioni AAK-NISMA

Kurse, tashmë një koalicion në mes dy partive opozitare, AAK dhe Nisma, është krijuar që nga viti 2016.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, thotë se ata fillimisht pretendojnë të jenë fitues.

Haxhiu tregon për “Bota sot” se janë duke diskutuar edhe me subjektet tjera më të vogla që t’iu bashkangjiten koalicionit të tyre.

“Ne pretendojmë të jemi fitues bashkë me Nismën. Tani jemi duke diskutuar edhe me subjektet tjera më të vogla, ne në fund do t’i finalizojmë edhe këto, kemi edhe personalitet tjera të shoqërisë civile  dhe njerëz të pavarur që do t’i bashkëngjiten Aleancës” pohon Haxhiu.

Haxhiu thotë se koalicionet ndonjëherë nuk janë të dëshirueshme, por është vendimi partiak dhe nuk mund të flasin për këtë çështje para zgjedhjeve.

“Në rast të zgjedhjeve ne pretendojmë të jemi fitues dhe nëse atëherë nuk jemi fitues të vetëm, që normalisht që ne pretendojmë sado që e di që kemi një rritje shumë të madhe, por përsëri varet nga verdikti i qytetarëve. Dhe koalicionet nuk janë ndonjëherë të dëshirueshme, mirëpo, nuk mund të them sepse është vendim i partisë, nuk  mund të flasim sot para zgjedhjeve për vijat e kuqe me asnjë subjekt politik. Mirëpo, pretendojmë të jemi fitues, pastaj pas zgjedhje vendosim” thekson Haxhiu.

Ndërsa, partia më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje , e cila ditë më parë ka dalë me një sondazh sipas së cilit ajo paraqitet si fituese e zgjedhjeve, nuk kanë pranuar të flasin për koalicionet e mundshme të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat