Zbulohet kush po e bllokon Demarkacionin, opozita paralajmëron masa

Politika

Zbulohet kush po e bllokon Demarkacionin, opozita paralajmëron masa

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 1 prill 2017 Në ora: 10:25
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kthimi i Listës serbe në Kuvendin e Kosovës i ka dhënë “një fije shpresë” Qeverisë së Kosovës se do të procedojë në Kuvendin e Kosovës çështjen e demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Por, sipas opozitës kjo marrëveshje nuk do të kalojë, pasi që koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për shkak të kundërshtime brenda partive të tyre. Sipas opozitës, vënia e këtij kushti nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është i padrejtë.

Qeveria nuk jep datë për demarkacionin

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri i Pushtetit Lokal dhe këshilltari i kryeministrit të Kosovës Bajram Gecaj, ka mirëpritur kthimin e Listës serbe, duke konfirmuar se ata janë të gatshëm të votojnë këtë marrëveshje.

Gecaj ka njoftuar se ka mbetur që partnerët e koalicionit të koordinohen për kohën se kur do të dërgohet marrëveshja në Kuvend, duke mos dhënë ndonjë datë se kur do të ndodhë kjo.

“Është i mirëseardhur deklarimi i Listës Serbe në lidhje me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, një sepse ata po kthehen në institucione, ku e kanë vendin, dhe se po theksojnë se janë të gatshëm të votojnë marrëveshjen. Tani mbetet tek partnerët e koalicionit të koordinohen për kohën më të përshtatshme kur do të duhej që marrëveshja të dërgohet në Kuvend”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Vetëvendosje vazhdon kundërshtimin

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli, ka konfirmuar se Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë të kundërshtojë edhe më tutje çështjen e miratimit të demarkacionit, sipas marrëveshjes që është bërë më Malin e Zi.

 “Jam shumë i lumtur që kundër kësaj marrëveshje janë tani jo vetëm qytetarët e Kosovës, opozita, por kemi kundërshtarë edhe brenda vet mazhorancës, madje edhe brenda vet Qeverisë. Pra, është krijuar një front i gjerë brenda kësaj marrëveshje dhe kjo marrëveshje nuk mund të kalojë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Topalli.

Po ashtu, ai ka thënë se pozita është munduar që shpesh t’ia vë fajin opozitës për çështjen e mos miratimit të demarkacionit, duke lidhur këtë me çështjen e vizave.

“Në fakt demarkacioni ka mbetur pa miratuar jo për shkak të opozitës, po pikërisht për shkak që kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës duke e parë kundërshtimin e madh, ka pasur frikë për ta sjellë këtë çështje në Kuvend, duke ditur pasojat të mëdha politike që mund t`i kem”, ka thënë Topalli për gazetën “Bota sot”.

Topalli: Qeveria nuk i ka numrat

Për më tepër, Topalli ka pohuar se Qeveria e Kosovës ka mundur që të miratojë demarkacionin ashtu siç e ka miratuar buxhetin në vitin 2015, por nuk i ka numrat dhe ka kundërshtime brenda kësaj të fundit.

“Ashtu siç e kanë miratuar buxhetin 2016 mes gazit lotsjellës, Qeveria duke pasur shumicën parlamentare ka pasur mundësi që çështjen e demarkacionit ta përfundojë qysh në vitin 2015, pavarësisht kundërshtimit të opozitës. Për këtë nuk e ka bërë, ashtu siç thashë për shkak që nuk i ka numrat, madje edhe brenda vet qeverisë ka kundërshtime”, ka thënë Topalli.

Ai e ka quajtur të pa drejtë kushtin e Bashkimit Evropian për ndërlidhjen e liberalizmit të vizave dhe ka propozuar që të prishet kjo marrëveshje dhe të bëhet përcaktimi i ri i vijës kufitare.

 “Ka shumë vende në botë edhe brenda shteteve që kanë liberalizmin e vizave që nuk e kanë të rregulluar çështjen e demarkacionit, madje brenda Bashkimit evropian ky kusht është i padrejtë, ne jemi sigurisht të interesuar që të kemi demarkim të vijës kufitare me Malin e zi, por mendojmë që duhet të kemi një konsensus për prishjen e kësaj  marrëveshje ekzistuese për fillimin e negociatave dhe një përcaktim të ri të vijës kufitare”, ka thënë tutje Topalli.

Kelmendi: 50 deputetë kundër demarkacionit

Edhe Muhamet Kelmendi, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se shkaku i mos demarkacionit është kundërshtimi i kësaj marrëveshje edhe nga pozita. 

 “Marrëveshja e demarkacionit në variantin e nënshkruar nga dy ministrat e Qeverisë së Kosovës ka mbetur pa u proceduar në Kuvend nga qeveria Mustafa. Duket se shkaku i mos procedimit vjen jo vetëm nga kundërshtimet e ashpëri të opozitës, por edhe nga kundërshtimet e pozitës, nga e cila kanë dal në dhjetëra deputetë kundër”, ka thënë Kelmendi.

Po ashtu, ai ka thënë se si marrëveshje e tillë dhe e veçantë, ajo nuk ka mundësi të kalojë në Kuvend.

“Kundër janë mbi 50 deputetë aktual. Nga kjo anë, është shikuar nga Qeveria që të bëhet marrëveshje me Listën Serbe dhe demarkacioni, asociacioni dhe ushtria të votohen në paketë”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka shtuar se marrëveshja është kundër Kushtetutës dhe se nuk do të veprohet kështu në Kuvendin e Kosovës.

“Çështjet janë të rëndësive të mëdha dhe çdo njëra duhet veç e veç të diskutohet dhe të votohet. Votimi tjetër është antikushtetues dhe është çështje për Gjykatën Kushtetuese, sepse e shkel të njëjtën. Po të shpresojmë se kështu nuk veprohet në Kuvend”, ka thënë Kelmendi.

Demarkacioni në duar të LDK-së dhe PDK-së

Ndërsa, duke folur në lidhje me këtë, analisti Faik Krasniqi ka thënë së me rikthimin e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës pas bojkotit 6 mujor, Qeveria e Kosovës së shpejti do ta riprocedojë Demarkacionin në Kuvend për ratifikim.

“Edhe shefi i grupit parlamentar të kësaj Liste deklaroi që janë kthyer për ta votuar Demarkacionin. Opozita prej fillimit ka qenë kundër ratifikimit të Demarkacionit në këtë formë, sepse sipas ekspertëve Kosova me këtë marrëveshje humb 8200 hektarë tokë, prandaj votat e deputetëve të saj do të jenë kundër. Kjo ka qenë edhe kauza e saj tash e dy vite, respektivisht e AAK-së e cila prej fillimit fuqishëm e ka kundërshtuar këtë marrëveshje, që sipas ekspertëve Kosova humb territor”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Se a do ti ketë numrat e nevojshëm koalicioni qeverisës për kalimin e saj, Krasniqi ka thënë se kjo varet nga deputetët e LDK-së dhe PDK-së. Por, ka thënë se duke i njohur për qëndrimet e tyre të luhatshme, edhe kësaj radhe ata do të ndryshojnë qëndrimin.

“Nëse gjithë ata deputetë të të dyja partive do të kenë qëndrim të njëjtë se nuk do ta votojnë Demarkacionin, atëherë nuk do të kalojë. Por, nëse ndryshojnë qëndrim ashtu siç vepruan me votimin e Gjykatës Speciale, atëherë edhe Demarkacioni pa asnjë problem do të kalojë. Prandaj, Demarkacioni është në dorën e LDK-së dhe PDK-së se a do të kalojë apo jo, sepse opozita dhe disa deputetë të pavarur për nga numrat në Kuvend, nuk mund ta parandalojnë ratifikimin e saj. Duke i njohur për qëndrimet e tyre të luhatshme, jam i bindur që edhe kësaj radhe do të ndryshojnë qëndrim, edhe pse janë deklaruar shumë herë që këtë marrëveshje të dëmshme kurrë nuk do ta votojnë”, ka thënë Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat