Si do t’i bind Thaçi serbët për ushtrinë?!

Politika

Si do t’i bind Thaçi serbët për ushtrinë?!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 prill 2017 Në ora: 08:08
Presidenti i vendit Hashim Thaçi në kazermën "Adem Jashari", Prishtinë

Zëvendësndihmës-sekretari amerikan, Hoyt Brian Yee, ditë më më parë gjatë vizitës së tij në Kosovë ka kërkuar që formimi i ushtrisë të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe që presidenti Thaçi ta ndalojë nismën e tij. Vizita e tij ndodhi në një periudhë diskutimesh për ngritjen e ushtrisë së Kosovës që ka nxitur debate edhe me aleatët e Kosovës. Por, ka mjaftuar vizita e Yee që presidenti Thaçi të ndryshojë qasje. Sipas Thaçit, formimi i ushtrisë do të bëhet me ndryshime kushtetuese, e jo me ligj të veçantë, ashtu siç kishte kërkuar më herët.

“Ajo që është me shumë rëndësi është se kemi qëllimin e njëjtë, objektiven e njëjtë që Kosova të ketë Forcat e veta të Armatosura, të jetë një proces gradual, gjithëpërfshirës, me praninë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët. Ata janë të përfshirë edhe tani, por jemi që të marrin rol edhe më aktiv që të kemi Forca të Armatosura të Kosovës si Forcë multietnike, e standardeve të NATO-s. Dakordohemi plotësisht që ky proces të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese. Tani edhe koha që ka mbetur është një mundësi e re, në veçanti pas kthimit të Lista Srpska në institucionet e Kosovës, që të diskutojmë me ta, t’i dëgjojmë sërish shqetësimet në mënyrën më serioze të mundshme, vullnetin e tyre dhe që të gjithë të jenë pjesë e këtij procesi, pra gjithëpërfshirës vendor dhe partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë në veçanti të SHBA-së dhe NATO-s”, ka deklaruar Thaçi, pas takimit me Hoyt Brian Yee dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Por e kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zyra e presidentit Thaçi nuk ka sqaruar ndonjë detaj se si do të arrijnë të binden serbët që të votojnë ndryshimet kushtetuese.

Ndërsa zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, vlerësojnë se Institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe deri më tani, do të koordinohen me të gjithë miqtë e provuar ndërkombëtar, posaçërisht me SHBA-në

Ushtria e Kosovës do të bëhet me miqtë ndërkombëtar

Zv/Ministri në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal Bajram Gecaj, ka thënë për “ Bota Sot” se kryeministri Mustafa e ka përsëritur tanimë disa herë se ushtria e Kosovës do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me miqtë tonë ndërkombëtar.

“Institucionet e Republikës se Kosovës, ashtu si edhe deri më tani, do të koordinohen me të gjithë miqtë e provuar ndërkombëtar, posaçërisht me SHBA-te”, ka thënë Gecaj.

Askush në Kosovë nuk dëshiron që të krijojë ushtrinë në kundërshtim me NATO-n

Zyrtari i AAK-së Avni Arifi ka thënë se askush në Kosovë nuk dëshiron që të krijojë ushtrinë në kundërshtim me kërkesat e miqve apo NATO-s.

Sipas tij, është absurde, nga këta të besohet se Kosova në pafundësi do të pres listën Serbe që të marrë lejen nga Beogradi për votë pro.

“Miqtë ndërkombëtar nuk duhet të lejojnë që shtetasit e Kosovës ta shohin veten si viktima të "gjenerositetit" të treguar gjatë bisedimeve për status. Tekefundit plot kanë të drejtë kur thonë se as UÇK-në nuk i njoh dikur Perëndimi por të qenunit në kauzë të drejtë bëri që ata të bashkëpunonin me ta më vonë sepse AAK insiston në krijimin e ushtrisë”, ka thënë zyrtari i AAK-së Avni Arifi.

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se presidenti Thaçi ka hapur debat me partnerët ndërkombëtar rreth një temë që është ngritur kaherë por që është mbetur peng nga lista serbe dhe e shantazhuar tërë kohën dhe me vite.

Ai ka thënë kjo temë e hapur është zgjidhja dhe modeli për ti zgjidhur problemet, pasi ka pasur shumë marketing politik në këtë temë dhe pompozitet.

“Për shkak të rëndësisë së paraqitjes në këtë moment dhe në këtë kohë para Gjykatës Speciale edhe tema e ushtrisë e fusnota janë të hapura. Konsiderojë se presidenti Thaçi kishte të drejtë të plotë të merr iniciativë dhe këtë e ka bërë. Ai ka gëzuar dhe gëzon plotësisht vullnetin e të gjitha partive politike dhe të qytetarëve, prandaj në këtë çështje duhet patjetër të gjendet zgjidhja, sepse nuk ka edhe shumë kojë për të hapur”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, duhet patjetër të procedojnë ligjin ose duhet të zhbllokohet ndryshimi i kushtetutës, sepse disi duhet proceduar dhe të gjejmë rrugën për të themeluar ushtrinë.

“ Disi duhet të vij fundi në këtë temë. Duhet kohë shtesë për të lobizuar dhe biseduar me partnerët ndërkombëtar , edhe po që se ky ligj procedohet dhe votohet një kohë mund të mbetet pa validitet dhe përkrahje ndërkombëtar për tu pajisur me pajisje ushtarake, por pas një viti ky realitet do të pranohet edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe NATO”, ka thënë analisti politik Blerim Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat