Mustafa: Zgjedhja e Vuçiqit president, s’do ndikojë në rritjen e patateve në Kosovë

Politika

Mustafa: Zgjedhja e Vuçiqit president, s’do ndikojë në rritjen e patateve në Kosovë

Më: 3 prill 2017 Në ora: 12:34
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në Vushtrri

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot kompaninë ‘Pestova’ e cila merret me prodhimin, kultivimin, përpunimin si dhe shitjen e distribuimin e patates dhe produkteve të saj në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

Me këtë rast, ai vizitoi edhe fabrikën, depon dhe disa nga arat e kësaj kompanie.

Mustafa tha se kompania ‘Pestova’ ka arritur të kapërcejë 50 përqindshin e eksportit të produkteve të veta në tregje shumë të rëndësishme regjionale, evropiane dhe jashtë tregut evropian.

Mustafa: Kompania Pestova tatimpaguese e rregullt

“Sot jo për herë të pare vizituam një firmë e cila është kulminante jo vetëm për rrethanat e Kosovës por edhe për produktet e tilla në tregun e Bashkimit Evropian. Është një firmë e cila po luan një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me prodhuesit privat, sepse llogaritet që janë rreth 2 mijë punëtorë që janë të lidhur me këtë veprimtari dhe përmes Pestovës organizojnë veprimtarinë e tyre. Është një kompani e cila ka arritur ta kapërcej 50 përqindëshin të eksportit të produkteve të veta në tregje shumë të rëndësishme regjionale, evropiane dhe jashtë tregut evropian, u informuam se edhe në Irak ka filluar eksportin. Po ashtu është një firmë e cila është tatimpaguese e rregullt e Kosovës dhe kontribuuese shumë e rëndësishme e buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kryeministri tha se Qeveria do të vazhdoj t’i mbështesë kompanitë e tilla. Po ashtu, ai tha se mbetet të mbyllin pakon fiskale 2 në mënyrë që të krijojnë kushte të barabarta të afarizmit të gjitha kompanive.

Ndërsa, i pyetur lidhur me demarkacionin se kur do të shkojë në Kuvend dhe se a i kanë votat e nevojshme për kalimin e tij në Kuvend, kryeministri tha se nuk e sheh të arsyeshme të flas për punë të tjera përveç punës që po e bënë kjo kompani.

Image
Vizita e Mustafës në Vushtrri

Mustafa: Është me rëndësi të punojmë në zhvillimin ekonomik të vendit

“Për neve është me rëndësi themelore që ne të punojmë në zhvillimin ekonomik të vendit, të krijojmë hapësirë për punësime të të rinjve, të krijojmë hapësirë për konkurrencë çështjet tjera mbetet ti diskutojmë kur diskutohen ato çështje. Por, sot unë nuk shoh arsye që jashtë kësaj pune të mrekullueshme që po e bënë kjo kompani të flasim”, tha ai.

Kurse, i pyetur lidhur me fitoren e Vuciqit në zgjedhjet presidenciale të cilat u mbajtën dje në Serbi, kryeministri  tha se ‘nuk do të ketë asnjë efekt në prodhimin e patates’

Mustafa: Nuk do të ketë efekt në prodhimin e patateve

“Nuk do të ketë asnjë efekt në prodhimin e patateve”, tha ai.

Ndërsa, pronari i Kompanisë ‘Pestova’, Bedri Kosumi, tha se pakoja 1 fiskale ka qenë ajo që e kanë kërkuar por se nuk është arritur përfundimisht.. Ai tha se krejt çka kërkojnë është të jenë të barabartë me prodhuesit në rajon dhe më gjerë.

Kosumi: Pakoja numër 1 fiskale ka qenë ajo që e kemi kërkuar

“Pakoja numër 1 fiskale vërtetë ka qenë ajo që e kemi kërkuar por nuk është arritur krejt. Presim që me pakon dy fiskale dhe disa lëndë të para që nuk mund të prodhohen në Kosovë të hekë nga taksat dhe ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër vetëm të jemi të barabartë me prodhuesit në rajon dhe më gjerë. Duke ju falënderuar pakos numër 1 fiskale kompania Pestova ka 2 tregje të reja në BE sepse janë dy faktorë, njëri është faktori kualitet dhe çmim dhe në lehtësirat që i kemi marrë nga qeveria me pakon 1 kemi pasur mundësi që ta ulim çmimin për aq sa është konkurrues dhe tash jemi prezentë në tregun e BE-së, në rajon dhe në tregun e tretë në Irak”, theksoi Kosumi.

Ndërsa, Ministri i Financave Avdullah Hoti, lidhur me pakon 2 fiskale tha se janë në fazën finale të diskutimit.

Hoti: Jemi në fazën finale të diskutimit

Jemi në fazën finale të diskutimit, besoj që shumë shpejt tash janë kryer me Qeverinë dhe të merret vendimi dhe pastaj ministritë përkatëse ato masa i fusin në fuqi”, tha ai.

Bashkë me kryeministrin Mustafa për ta vizituar kompaninë ‘Pestova’ ishin edhe Ministri i Financave Avdullah Hoti, zëvendësi i tij Ramiz Kelmendi dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku.

Mustafa: Zgjedhja e Vuçiqit president, s’do ndikojë në rritjen e patateve në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka vizituar fabrikën e prodhimit te çipsave ”Vipa Çips”, në Pestovë të Vushtrrisë.

Por, në prononcimin para medieva Mustafa nuk ka preferuar të flas për çeshtjet aktuale në vend siç është puna e Demarkacionit

“Nuk shoh arsye që në një ditë si kjo në një vizitë te biznesi të suksesshëm të flas për tema tjera” ka thënë Kryeministri Mustafa.

Ai po ashtu ka zgjedhur një formë për të komentuar zgjedhjen e homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, në poston e Presidentit të Serbisë.

Në pyetjen se si do të ndikojë në dialogun Kosovë – Serbi, zgjedhja e Vuçiqit President i Serbisë, Mustafa ka thënë se kjo nuk do të ndikojë në rritjen e patateve në Kosovë.

Kryeministri Isa Mystafa, ka thënë se Kosova ka nevojë për biznese të suksesshme e hapje të vendeve të reja të punës.

Ndërsa ka shtuar se do të vazhdojnë përkrahje për biznese me pakon e re fiskale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat