Opozita kërkon mocion mosbesimi, Mustafa nuk shqetësohet

Politika

Opozita kërkon mocion mosbesimi, Mustafa nuk shqetësohet

Më: 6 prill 2017 Në ora: 16:29
Kuvendi i Kosovës, seancë e mëhershme

Jo vetëm AAK dhe Nisma janë për një mocion mosbesimi për Qeverinë e Kosovës. Është edhe Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila mbështet iniciativën e kreut të Nismës Fatmir Limaj për një mocion mosbesimi për Qeverinë LDK-PDK që udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, nuk po brengoset për këtë nismë, duke thënë se opozita s’ka me çfarë të merret pos të kërkoj zgjedhje.

Limaj  në një status në rrjetin social Facebook, ka thënë se si pasojë e kësaj qeverisje vendi tashmë një vit e gjysmë është në krizë politike, duke mos arritur të adresoj dhe të zgjidh as edhe një problem me të cilin ballafaqohet Kosova.

Madje sipas tij, ka një mosbesim dhe mosfunksionim total brenda vet kabinetit qeveritar, sikurse të gjitha institucionet e vendit në tërësi janë jo funksionale.

“E vetmja zgjidhje për të dal vendi ynë nga kjo situatë, e në të cilën edhe praktikisht të gjitha institucionet janë jo funksionale, janë zgjedhjet e lira dhe demokratike. Prandaj i takon opozitës që të nis iniciativën për mocion mosbesimi për këtë qeveri dhe me këtë ti hapim rrugë zgjedhjeve. Unë në emër të NISMA-së thërrasë të gjitha grupet parlamentare opozitare në Kosovë që ta ndërmarrim këtë iniciativë dhe me këtë t’ju mundësojmë të gjithë deputetëve të parlamentit që të shprehen përmes votës për mocionin e mosbesimit dhe kështu të dalim nga kjo situatë e krijuar, e në të cilën asgjë nuk po funksionon”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Idenë e Limajt po e mbështesin edhe partitë tjera opozitare. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi tha se secilën iniciativë kundër kësaj Qeverie do ta përkrahin, e edhe mocionin e mosbesimit.

Selimi: Çdo nismë kundër Qeverisë, ne do ta përkrahim

“Askush nuk do të duhej të priste nga Vetëvendosje diçka ndryshe përveç një pozicionimi kundër kësaj Qeverie, qoftë edhe me mocion. Prandaj është e kuptueshme dhe i pritshëm qëndrimi i Lëvizjes, se do ta mundësojmë cilëndo shanse që të jepet për ta çuar vendin në zgjedhje si zgjidhje të problemeve. Legjitimiteti i kësaj Qeverie ka munguar qysh në fillim, por kjo qeveri përveç se jo legjitime është edhe jo legale, sidomos prej vendimit të Kushtetueses kur këtë qeveri e nxjerr shkelëse të kushtetutës me rastin e ‘Zajednicës’”, tha Selimi.

Sipas tij, edhe pse pushteti ka mbi dy të tretat e deputetëve, po shihet se tashmë kanë ndryshuar raportet brenda vet koalicionit që tregon se duhen zgjedhje të parakohshme. Madje, Selimi thotë se po të varej nga opozita, kjo Qeveri moti do të shkonte në shtëpi.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nuk po shqetësohet nga nismat e opozitës për mocion mosbesimi, duke thënë se nuk kanë punë tjetër pos të kërkojnë zgjedhje. Madje, sipas tij, opozita ka filluar të merret me këtë tash e dy vjet duke mos pasur me çka të merret tjetër.

Mustafa: Opozita s’ka punë tjetër pos të kërkoj zgjedhje

“Unë jam i preokupuar me punë të përditshme të Qeverisë, jam i preokupuar me hapjen e perspektivës zhvillimore, me stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Opozita nuk ka asnjë punë tjetër përpos të kërkoj zgjedhje të shpall mocione të ndryshme, prandaj është punë e opozitës. Unë e respektoj opozitën, por më shumë e respektoj nevojën që ne të bëjmë punë, të hapim mundësi për punësim, për integrime evropiane”, tha Mustafa.

Inicimi i mocionit të mosbesimit, ka disa procedura se si duhet të bëhet. Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thotë se opozita e ka të vështirë inicimin e kësaj nisme, meqë duhen 40 nënshkrime të deputetëve, të cilat pa ndihmën e deputetëve të pozitës nuk mund t’i arrijnë.

Krasniqi: Duhen 61 vota për kalimin e mocionit

“Konsideroj se do të jetë e vështirë vet inicimi i kësaj procedure, sepse kërkon një të tretën e votave të deputetëve, përkatësisht 40 nënshkrime të deputetëve dhe në rast se votojnë për këtë mocion të mosbesimit të kryeministrit duhen që të jenë së paku 61 vota për, çka nënkupton se duhet të dalin  përtej votave të deputetëve opozitar, pra të ketë përkrahje edhe të partive që janë në pushtet. Në rast se i merr 61 e më shumë vota, atëherë qeveria konsiderohet e shkarkuar dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mirëpo në rast se nuk kalon ky mocion i mosbesimit atëherë për 90 ditë të tjera nuk ka të drejt të inicimit të një mocioni të ri të mosbesimit të Qeverisë”, tha Krasniqi.

Por,  për zgjedhje të parakohshme janë shprehur edhe disa nga deputetët e pozitës e në veçanti ata nga Partia Demokratike e Kosovës. Shaip Muja, Shukri Buja dhe Nait Hasani tash e disa javë edhe publikisht kanë kërkuar që të prishet koalicioni LDK-PDK dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Dy partnerët e koalicionit, kur kishin nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje, në një prej pikave të marrëveshjes është edhe pika për mospërkrahjen e mocioneve që vijnë nga palët tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat