Vazhdon beteja për demarkacionin, por ushtria votohet

Politika

Vazhdon beteja për demarkacionin, por ushtria votohet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 prill 2017 Në ora: 08:22
Pjestarët e FSK-së

Deri më tani ende nuk është bërë procedimi i  ndryshimit të ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu as çështja e  Demarkacionit me Malin e zi dhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk janë riproceduar në Kuvend.

Përkundër që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veselit të cilët janë pajtuar që në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që të vazhdohet me procedimin e këtyre çështjeve, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.  Lidhur me këtë çështje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur në një intervistë për “Bota sot”, ku ka  ka thënë se procedimi i këtyre marrëveshjeve duhet të behet sa më shpejt që është e mundur. 

“Asociacioni duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundshme sepse kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është proces kushtetues dhe ligjor dhe në të njëjtën kohë është edhe produkt i marrëveshjeve të Brukselit. Por edhe Lista serbe duhet të kthehet në institucionet e Republikës së Kosovës, të marrë përgjegjësitë e veta për këtë proces integrues të komunitetit serb”, ka thënë Thaçi për “Bota sot”. 

Ndërsa i pyetur nga “Bota sot” rreth takimit me kryeministrin Mustafa dhe me kryeparlamentarin Veseli  për të cilin ka thënë se është një takim i zakonshëm ndërmjet liderëve të shtetit. 

“Takime me Kryeparlamentarin Veseli dhe Kryeministrin Mustafa unë  i kam të rregullta, prandaj nuk e është ndonjë e veçantë e atij takimi që po flisni ju. Angazhimet tona janë të koordinuara edhe për Asociacionin por në të njëjtën kohë edhe për Demarkacionin dhe për themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kritikohet Qeveria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë për “Bota sot” se  Qeveria e Kosovës nuk është treguar transparente sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.   

Po ashtu, ka thënë se për këtë të fundit ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese.   “Komunat me shumicë serbe mund të formojnë një OJÇ dhe për këtë nuk duhet vendim të Kuvendit të Kosovës. Sa i përket Asociacionit, Qeveria e Kosovës do të duhej të kërkonte  vet nga Kuvendi që të votonte kundër Marrëveshjes për Demarkacionin për t’i hapur rrugë negociatave të reja me Malin e Zi për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje”, ka thënë Topalli. 

Ai ka thënë se, insistimi i Kryeministrit për çështjen e Demarkacionit vjen më shumë se një kryeneçësi e Kryeministrit për mos ta pranuar një betejë të humbur.

“Qëndrimi i z. Mustafa për ta ratifikuar marrëveshjen me çdo kusht në  Kuvend, përkundër  205 000 nënshkrimeve kundër, gjithë opozitës dhe deputetëve të caktuar brenda vet taborit të mazhorancës, nuk është racional. Insistimi vjen më shumë se një kryeneçësi e Kryeministrit për mos ta pranuar një betejë të humbur”, ka thënë deputeti Topalli për “Bota sot”. 

Gjithashtu, deputeti Topalli ka thënë se çështja e Ushtrisë mund të sillet në çdo kohë në Kuvend, por kjo varet shumë nga qëndrimi i Qeverisë me theks të veçantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

“Ne jemi për atë që Ligji të sillet në Kuvend dhe ne si Lëvizje Vetëvendosje do ta japim mbështetjen tonë. Për shkak që ligji për Ushtrinë aktualisht ka shumë mangësi, do të angazhohemi për përmirësimin e tij. Është koha e fundit që Republika e Kosovës ta ketë ushtrinë e vet”, ka thënë Topalli.

Vlerësohet takimi i udhëheqësve të shtetit

Kurse, Albrim Badallaj ka vlerësuar,  se takimet e këtilla duhet të shërbejnë që të kemi unitet dhe bashkërendim të iniciativave, e sidomos kur fjala është për Ushtrinë.

“Mendoj, që tani tema e Demarkacionit ka dalë në rend të dytë, meqë Ushtria është tema që i ka unifikuar subjektet politike shqiptare dhe siç po duket është deklaruar njëzëri si prioriteti kryesor i këtij legjislativi. Problemi i vetëm që ka dalë është mospërkrahja nga ana e miqve ndërkombëtarë, që ky transformim i Ushtrisë të bëhet përmes ligjit, duke ua humbur ndikimin (e panevojshëm) që e ka komuniteti serb në Kuvend”, ka thënë Badallaj për “Bota sot”.  

Po ashtu, ai ka thënë, se edhe pse mesazhet e ndërkombëtarëve gjatë gjithë kohës kanë qenë,  që Kosova të transformojë FSK-në, duke aluduar në atë që të kalojë në një pako së bashku me Asociacionin, tani së fundmi kanë "kërcënuar" haptazi se duhet ndjekur agjendën e tyre.   

“Kësisoji, liderët politik tek ne do të drejtojnë akuza ndaj njëri-tjetrit, meqë siç po duket nuk munden t'a bëjnë Ushtrinë pa përkrahjen ndërkombëtare, e sidomos pa SHBA-të. Mendoj që ligji për transformimin e FSK-së nuk do të procedohet, për fat të keq, për arsye të lartcekura, përveç se nëse bëhen ndryshimet kushtetuese ashtu siç kanë kërkuar partnerët tanë strategjik”, ka thënë Badallaj. 

Ai ka thënë në këso rrethana as që vjen  në shprehje që Demarkacioni të kalojë, e aq më pak Asociacioni, i cili në këtë mënyrë me fuqinë që e ka është tejet i dëmshëm për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Kosova po vazhdon t'i prijë varfërisë dhe papunësisë në nivel rajoni dhe Europe, vazhdon të jetë shteti i vetëm i izoluar dhe i kushtëzuar nga minoriteti ardhacak serb, kjo falë privilegjeve ndërkombëtare, që i bëjnë serbëve dhe standardeve të dyfishta të përdorura karshi Kosovës dhe shumicës shqiptare. Derisa, ndërkombëtarët po e vënë si mundësi rishikimin e përkrahjes ndaj Kosovës, për një çështje që është e brendshme, ata po harrojnë skepticizmin që po prodhojnë tek qytetarët e Kosovës dhe po i bëjnë t'i shohin me sy kritik këta partner, pasi që i kanë dëshpëruar në shumë dimensione”, ka përfunduar Badallaj për “Bota sot”. 

Ndërsa, analisti Albinot Maloku ka thënë për “Bota sot” ka thënë se këto tri çështje po e rëndojnë funksionalitetin e vendit të cilat duhet të zgjidhen edhe pse nuk janë të kategorisë së njejtë.  “Asociacioni i Komunave me shumicën Serbe në Kosovë, Demarkacioni dhe transformimi i FSK-së në FAK janë tema që për një kohë të gjatë po e rëndojnë funksionalitetin shtetëror e shoqërorë të Republikës së Kosovës. Si të tilla këto çështje duhet të zgjidhjen, pavarësisht se për nga karakteri nuk i përkasin të njëjtës kategori juridike”, ka thënë Maloku. 

Po ashtu, Maloku e ka quajtur dështim të udhëheqësve politik pasi që nuk janë përfshirë edhe opozita vendore. “Në çështjen e demarkacionit e të asociacionit veç Kosovës janë të përfshira edhe dy shtete tjera, kurse transferimi i FSK-së në FAK i përket veç Kosovës. Në të gjitha politika drejtuese e shtetit të Kosovës ka dështuar, por një rrugëdalje duhet të gjendet. Prova që të gjendet kjo rrugë dalje përmes takimeve të presidentit, kryeministrit e kryekuvendarit pa u përfshi edhe opozita është për të mos thënë dështuese, është e vogël”, ka përfunduar Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat