Meta, Hoxhajt: Shqipëria e ka për detyrë angazhimin e saj për të ndihmuar vendin fqinj

Politika

Meta, Hoxhajt: Shqipëria e ka për detyrë angazhimin e saj për të ndihmuar vendin fqinj

Më: 12 prill 2017 Në ora: 12:04
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kryeatri i Kuvendit, Ilir Meta

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin shqiptar.

Para pak çastesh, ai ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit , Ilir Meta, me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimeve të fundit në rajon.

Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy Kuvendeve dhe theksoi se organi që ai drejton mbështet punën e përbashkët të dy Qeverive respektive në funksion të përmirësimit të cilësisë së partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Hoxhaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shtetit shqiptar dhe në veçanti të Kryetarit të Kuvendit ndaj rritjes së përfaqësimit të Kosovës në platformat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në forumet ndër parlamentare.

Ai vuri në dukje se “mbështetja e Shqipërisë është tepër e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës”.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, nënvizoi se “Shqipëria e ka për detyrë angazhimin e saj të gjithanshëm në funksion të njohjeve të shtetit të Kosovës, pjesëmarrjes dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe në shërbim të konsolidimit të perspektivës euro-atlantike të vendit fqinj”.

Në përfundim, kryetari Meta dhe ministri Hoxhaj diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben stabilitetit dhe sigurisë së vendeve të tjera fqinje si dhe axhendës euro-atlantike të tërë rajonit të Ballkanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat