Avokati i njohur paralajmëron fortunën nga Gjykata Speciale, tregon edhe arsyet

Politika

Avokati i njohur paralajmëron fortunën nga Gjykata Speciale, tregon edhe arsyet

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 14 prill 2017 Në ora: 08:00
Avokati Tomë Gashi

Nuk ka asnjë arsye që Gjykata Speciale, të shtyjë ngritjen e aktakuzave deri në fund të këtij viti. Kështu ka thënë për gazetën “Bota sot”, avokati Tomë Gashi, i cili ka komentuar deklaratën e gjyqtarit amerikan Charles L. Smith, se nuk do të marr rrugë për në Hagë deri në fund të këtij viti për shkak të ngritjes së aktakuzave nga kjo Gjykatë.

Smith ka deklaruar se parashikon se ngritja e aktakuzave të para nga Prokuroria do të marrë kohë deri atëherë.

Mirëpo, sipas avokatit Tomë Gashi, ka mbetur edhe shumë pak punë deri në fillimin e ngritjes së aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale.

“Absolutisht nuk ka asnjë arsye që ngritja e aktakuzave të para në Gjykatën Speciale të shtyhet deri në fund të këtij viti. Janë shumë arsye që kjo nuk do të ndodhë. Së pari, të gjithë gjyqtarët janë zgjedhur dhe janë emëruar nga organi kompetent i BE-së, po ashtu është zgjedhur kryetarja e gjykatës, pastaj është zgjedhur personeli përkatës i gjykatës , duke filluar nga stafi juridik deri te ai teknik, dhe kohë më parë gjykatësit kanë aprovuar rregullat e procedurave dhe të provave. Ka mbetur që për këto të jep mendimin lidhur me kushtetuteshmerinë paneli i Gjykatës Speciale që vepron si panel i veçantë i Gjykatës Kushetuese të Kosovës, dhe kjo punë do të kryhet brenda këtij muaji. Pastaj, të gjitha rrugët janë të hapura që Gjykata Speciale të fillojë punën e saj efektive”, ka theksuar ai.

Gashi ka kujtuar raportin e Prokurorit Wiliamson, i cili kishte deklaruar qysh para dy viteve se ka akuza të gatshme, e po ashtu, kryeprokurori Shëideman, i cili ka thënë se akuzat i ka gati.

“Ju kujtohet raporti i prokurorit special për hetim të posaçëm të raportit të Dick Marty zotit Clint Ëiliamson që para më shumë se dy vitesh në konferencë në Bruksel pati deklaruar se ai ka akuza të gatshme për t`i dërguar në gjykim, por nuk ka kujt t’ia dërgojë, sepse pritej formimi i Gjykatës Speciale. Ju kujtohet deklarata e kryprokurorit Shëideman kohë më parë që deklaroi se akuzat i ka gati dhe nuk do të kursej askënd nëse ka prova kundër tij. Ai tha se nuk do të ndikohet nga politika dhe është nëse në Kosovë mund të ketë turbulenca politike, akuzat do të ngritën”, ka nënvizuar ai.

Të gjitha këto dhe shumë arsye të tjera, sipas avokatit Tomë Gashi, lënë të kuptohet se jemi afër ngritjes së akuzave të para në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Pritja e fundit të vitit për ngritje të akuzave të para do ta dëmtonte rëndë imazhin e kësaj gjykate dhe do t`a humbte që në fillim besueshmërinë nga të gjithë duke pyetur pse harxhohen milionat për këtë gjykatë nëse ajo nuk është funksionale. Dhe akuzat e para duhet pritur relativisht shpejt, por dihet se me akuza dhe gjykime në këtë gjykatë Kosova do të merret në 10 deri 15 vjetët e ardhshme”, ka potencuar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat