Shokon deputeti i PDK-së: LDK ka mundësi t’i zbulojë vrasjet politike, mund të jenë kryer nga vet bashkëpartiakët

Politika

Shokon deputeti i PDK-së: LDK ka mundësi t’i zbulojë vrasjet politike, mund të jenë kryer nga vet bashkëpartiakët

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 prill 2017 Në ora: 08:38
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja Bislim Zogaj

Thirrjet për zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë vrarë pas vitit 1999, janë bërë “mollë sherri”,  për përplasje  mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës, LDK-PDK. Kjo pasi kjo e fundit, e ka akuzuar LDK-në se po shfrytëzon kërkesën e saj për zbardhjen e këtyre vrasjeve për të bërë fushatë zgjedhore.

Por, deputeti i LDK-së Sadri Ferati, ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë, se akuzat nuk i drejtohen askujt, por zbulimi i tyre, është kërkesë e familjarëve. Ai ka theksuar, për gazetën “Bota sot”, se LDK është kundër politizimit të këtyre vrasjeve.  

“Ajo është një plagë dhe kërkesë e familjeve që të zbardhen ato vrasje. Vetëm organet e drejtësisë mund t’i zbardhin ato. Ato nuk duhet t’i pengojnë askujt dhe nuk duhet të politizohen”, është shprehur deputeti Ferati.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja Bislim Zogaj, është i mendimit se vrasjet politike janë politizuar shumë edhe pse një gjë e tillë sipas tij, nuk është dashur të ndodhte.   

“Mendoj se është politizuar shumë çështja e “vrasjeve politike”, sepse nuk mund të themi vrasje politike, sepse mbi të gjitha jemi shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi dhe vrasjet, pavarësisht a je në politikë apo nuk je, ato nuk duhet të ndodhin”, është shprehur Zogaj.  

Duke folur për periudhën e vrasjeve të pasluftës,  ai ka pohuar se vrasjet mund të kenë ndodhur për arsye të ndryshme, duke filluar nga ato personale e deri tek ato politike. Sipas tij, vrasjet mund të jenë shkaktuar edhe nga vet bashkëpartiakët.  

“Mendoj se vrasjet politike, fatkeqësisht LDK-ja i përdor në kohë fushatash që shpeshherë deri më tani kanë shkuar në favor të disa individëve te LDK-ja, që e kanë përdor këtë si viktimë. Mendoj, se nuk qëndron ajo që të gjitha vrasjet kanë ndodhur nga rivalët politikë , por këto vrasje me siguri janë të arsyeve të ndryshme”, ka thënë deputeti i PDK-së, për “Bota sot”.  

Sipas tij, po të ishin kryer këto vrasje nga PDK-ja, LDK-ja ka mundur t’i zbardhte ato qysh moti. 

“Po t’i kishte bërë ato PDK-ja, qysh aludohet nga disa individë të LDK-së, besoj se shpesh herë vet LDK-ja ka pasur mundësi t’i zbulojë dhe të zbardhë këto raste, pasi e ka pasur pushtetin edhe në të kaluarën, por edhe tash i ka instrumentet që t’i zbardhë ato, duke filluar nga Ministri i Punëve të Brendshme, që ai më shumë se të gjithë të tjerët ka mundësi t’i zbulojë këto vrasje.  Ne jemi të interesuar që të zbulohen ato vrasje një herë e përgjithmonë dhe të mos jenë barrë e shoqërisë që sa herë mbahen zgjedhje në Kosovë, çdo herë të luhet me ndjenja të familjarëve të këtyre të vrarëve”, ka përfunduar deputeti i PDK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat