Akuzat e Bulliqit, pse Hashim Thaçi ia la “pataten e nxehtë” në duar Isa Mustafës

Politika

Akuzat e Bulliqit, pse Hashim Thaçi ia la “pataten e nxehtë” në duar Isa Mustafës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 prill 2017 Në ora: 11:17
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Ditë më parë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se në lojën e demarkacionit fitues i vetëm ka qenë Hashim Thaçi.

Lidhur me këtë deklaratë, Bulliqi ka sqaruar për “Bota sot” se vetëm nga fakti që arritur që të bëhet president, e nxjerr Thaçin si fitues pasi ai u tërhoq dhe i la obligimet siç është demarkacioni Qeverisë së Kosovës.

“Vet fakti që tashmë presidenti Thaçi arriti të bëhet president, e arriti synimin e tij, u tërhoq nga Qeveria, ia la obligimet Qeverisë ose siç thotë populli "ia la Qeverisë këmbët e arushës" , kishte mundësi mos ta bënte këtë, sepse marrëveshjen që po kundërshtohet ishte pikërisht Thaçi ai që e bëri ose nisi atë, nuk e mori parasysh askënd që e kundërshtojë atë marrëveshje (Demarkacionin)”, ka thënë Bulliqi.

Sipas, tij ai ka hyrë në tema serioze me jo seriozitet dhe pastaj pas nënshkrimit të marrëveshjes nuk la mundësi për të korrigjuar dhe as nuk lejoi që të merren seriozisht ankesat.

Po ashtu, Bulliqi ka thënë për “Bota sot” se pas tij i është bashkangjitur edhe kryeministri Isa Mustafa, dhe se Kosova edhe pas dy viteve rrezikon që të humbas territorin.  

“Këtë e bëri duke hyrë me jo seriozitet në tema serioze, me Malin e zi u stërngut që të nënshkruajë marrëveshjen edhe pse shumë e kundërshtonin, pastaj edhe pas nënshkrimit të saj u përkujdes qe të mos rishqyrtohen mundësitë për korrigjim të saj , nuk la mundësi që të merren seriozisht ankesat, insistonte verbërisht që gjithçka ishte në rregull. Kësaj valleje të tij iu bashkëngjit edhe kryeministri dhe ja ku jemi sot, Qeverisë Mustafa i mbeti patatja e nxehtë, ndërsa Kosova i humbi dy vite kohë dhe ende rrezikon te humb territor”, ka thënë Bulliqi.

Gjithashtu, ai ka theksuar se tërë ky proces është bërë për t`i plotësuar dëshirën Thaçi për t`u dukur si lider dhe se për të ka rëndësi përfitimi personal politik i çastit pa i menduar pasojat.

“Besoj se krejt ky proces i komplikuar u bë për t’i kënaqur Thaçit dëshirën që të duket si lider kur u ngut dhe nënshkroi në Vjenë në gusht 2015 kur ishte në pozitën e ministrit të jashtëm, për proceset nëpër të cilat kalon Kosova. Për të ka rëndësi përfitimi personal politik i çastit pa i menduar pasojat/situatat që do t`i sjellë një veprim”, ka thënë Bulliqi.

Vetëvendosje përkrah Bulliqin

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është pajtuar me qëndrimet e Bulliqit rreth demarkacionit.

“Ne jemi pajtuar me qëndrimet e z. Bulliqit rreth demarkacionit. Kjo marrëveshje është e dëmshme për qytetarët e Kosovës dhe ne e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë edhe në të ardhmen. Ne kemi një koalicion qeverisës dhe të dy partnerët e koalicionit janë përgjegjës për situatën e krijuar. Sikur tërheqja nga marrëveshja të ishte bërë më herët, ne do ta kishim gjetur deri tani një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme edhe për Malin e ZI edhe për Kosovën”, ka thënë ai.

Gjithashtu, deputeti Topalli ka thënë se partnerët e koalicionit e kanë shfrytëzuar këtë marrëveshje për t’i fshehur dështimet në ekonomi dhe ndërtimin e një shteti të së drejtës.

“Partnerët e koalicionit e kanë shfrytëzuar këtë marrëveshje më shumë për t’i fshehur dështimet në ekonomi dhe ndërtimin e një shteti të së drejtës. Ne kemi mbi 420 000 dosje të pazgjedhura në gjykata dhe shumë njerëz të varfër anë e kënd Kosovës. Të rinjtë e vendit tonë, të cilët përbëjnë shumicën e qytetarëve nuk kanë asnjë perspektivë dhe për të gjitha këto nuk është përgjegjëse opozita, por ata që e kanë në dorë dhe përgjegjësi qeverisjen”, ka thënë  Topalli për Bota sot.

Kushtëzimi i deputetëve

Ndërkaq, analisti Albrim Badallaj ka thënë se deputeti Bulliqi është ndër të paktët realist sa i përket çështjes së Demarkacionit në mesin e mazhorancës dhe deri më tani ka sjell shumë argumentime duke dal edhe kundër lidershipit të partisë së tij, në këtë drejtim.

“Ne nuk mund të mbetemi peng i asaj që ka ndodhur, qoftë edhe nëse e ka nënshkruar ish-kryeministri Thaçi, meqë tani udhëheqës i Qeverisë është Mustafa dhe është duke u parë qartazi që më shumë Mustafa e ka "sponsoriziuar" që Demarkacioni të kalojë, duke qenë më i zëshëm se partneri tjetër qeveritar. Për një gjë që qytetarët duhet të jenë të sigurt, është se nuk janë votat e nevojshme që Demarkacioni të kalojë, në këtë formë që komisioni qeveritar e ka përcaktuar”, ka thënë Badallaj.

Po ashtu, ai ka thënë se ne kemi dy lloj mendime të ndryshme edhe brenda partive mazhorative, “ku shumica përkrahin versionin e komisionit për shënjimin e vijës kufitare dhe nga ana tjetër, disa deputetë përkrahin versionin e Bulliqit dhe disa profesorëve tjerë universitar”.

“E vetmja sfidë është se mos këta deputetë që janë kundër, do të ndërrojnë qëndrime, sepse mund të kushtëzohen se nuk do të jenë pjesë e listave zgjedhore, gjë që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Qeveria aktuale dhe kryeministri Mustafa do të mbajnë përgjegjësinë më të madhe nëse Demarkacioni kalon, edhe pse tentohet të arsyetohet se hisedar në faj është edhe Qeveria e kaluar. Në prag te zgjedhjeve lokale dhe potencialisht edhe parlamentare, partitë mazhorative do të etiketohen si "tradhtarë" nga një pjesë e popullit, po që se kalon ky version i Demarkacionit”, ka thënë “Badallaj” për Bota sot .

Sipas tij, humbësi i vetëm është qytetari pasi që gjendet në mes zjarreve, dhe se qytetarët do të jenë nën thundrën e korrupsionit pasi që është ngecja kryesore e vendit.

“Në këtë drejtim, qytetari është ai që humb dhe që gjendet mes dy zjarreve, ku ose duhet pranuar që Demarkacioni të kalojë, të humbet tokë dhe potencialisht të fitojmë liberalizimin e vizave ose po të mos kalojë Demarkacioni, do të vazhdojmë të mbetemi vendi i vetëm i izoluar në rajon dhe të vazhdojmë të mbetemi nën precedentët e rinj që do të sillen nga Evropa për të fituar liberalizimin. Deri atëherë, qytetarët do të jenë nën thundrën e korrupsionit, i cili është armiku kryesor i stagnimit të vendit dhe i aplikimit të standardëve të dyfishta të aplikuara nga Evropa”, ka përfunduar Badallaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat