Lutfi Haziri tregon pse PDK e ka mizën nën kapuç për vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së

Politika

Lutfi Haziri tregon pse PDK e ka mizën nën kapuç për vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së

Nga: Bota Sot Më: 15 prill 2017 Në ora: 12:19
Nënkryetari i LDK-së, njëkohësisht edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, njëkohësisht edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur rreth çështjes së vrasjeve të pasluftës.

Ai ka hedhur poshtë se LDK-ja po përdor për fushatë elektorale vrasjet e aktivistëve të saj.  Sipas tij, e gjithë kjo është në duar të drejtësisë së “vonuar” në Kosovë.

“Nuk ka të bëjë me asnjë lloj fushate. Ka të bëjë me drejtësinë, e cila është vonuar në Kosovë sa i përket zbardhjes së këtyre rasteve. Derisa nuk zbardhen rastet dhe derisa ata që kanë bërë vetëgjyqësi gjatë dhe pas luftës nuk e marrin dënimin e merituar, ne nuk do të ndalemi së kërkuari zbardhjen e të gjitha rasteve të vrasjes së veprimtarëve politikë, jo vetëm të LDK-së, por gjithë veprimtarëve politikë që janë vrarë për motive politike, partiake dhe ideologjike”, ka deklaruar Haziri.

I pyetur nga gazeta se çfarë kla bërë LDK –ja, këto kohë që ka qenë në pushtet, për të zbardhur këto vrasje, nënkryetari i kësaj partie, ka thënë se LDK nuk ka pasur shumë mundësi që t’i zbardhë sepse kjo, sipas tij, i takon prokurorisë, e cila është e ndarë.

“Iniciativa e fundit e Presidentit për t’i dhënë prioritet në zbardhjen dhe përmbylljen e rasteve të dhunës dhe vrasjeve politike është mirëpritur. Unë besoj Prokuroria e Shtetit ka kapacitete të merren me këto probleme dhe t’i zgjidhin ato”, është shprehur ai.

Ndërsa lidhur me deklaratën e tij se “PDK e ka mizën nën kapuç për vrasjet e pasluftës të zyrtarëve të LDK-së”, Haziri është arsyetuar, duke thënë se reagimet e deputetëve të PDK-së, sa herë që LDK kërkon zbardhje janë iracionale dhe shkojnë në rrafshin e asaj që ‘nëse keni të dhëna shkoni denonconi në prokurori’.

“Neve nuk na ka pyetur askush kur na ka vrarë, as kur na ka bërë prita e as kur ka përpiluar lista. Të gjithë ata që kanë informacione dhe që kanë njohuri, nuk janë në radhët e LDK-së, por janë në radhët e strukturave të partive tjera politike ose jashtë partive politike. Kudo që janë ata ose ato, e kanë për obligim që me prokurorinë dhe policinë e shtetit të besojnë dhe t’i nxjerrin rastet para gjykatave. Ne nuk i kemi dhënë ngjyrosje vrasjeve, por kemi thënë që janë vrarë veprimtarët e LDK-së për arsye që kanë qenë veprimtarë të LDK-së, janë shpallë tradhtarë për shkak se kanë qenë veprimtarë të LDK-së dhe duke punuar për Kosovën dhe për Republikën, ata kanë paguar çmim shumë të rëndë. Ka edhe raste të plagosjeve dhe të atentateve të dështuara, sepse disa prej tyre kanë pasur fat, Zoti i ka ruajtur dhe kanë shpëtuar. Por, të gjitha këto raste duhet të trajtohen me seriozitet dhe duhet të zbardhjen deri në fund. Të tjerëve iu bie ose të presin ose të bashkëpunojnë në mënyrë që të vendoset drejtësia në vend”, ka deklaruar Lutfi Haziri./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat