Opozita e pranon pas dy vitesh debat: Isa Mustafa nuk është fajtor!

Politika

Opozita e pranon pas dy vitesh debat: Isa Mustafa nuk është fajtor!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 prill 2017 Në ora: 15:39
Kabineti i Qeverisë Mustafa

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se qeverisja aktuale nuk është fajtore për çështjen e demarkacionit. Sipas tij, këtë çështje e kishte gjetur veç se të përfunduar kur mori pozitën e kryeministrit.

Këto komente i kishte bërë kryeministri Mustafa duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend.

“Komisioni ka filluar punën në mars 2012, ka punuar nga kjo kohë deri në vitin 2015. Kur unë kam ardhur në krye të Qeverisë, e kam gjetur punën pothuajse krejtësisht të përfunduar”, ka thënë Mustafa.

Haziri: Prioriteti i Qeverisë, ekonomia

Se qeveria aktuale po paguan faturat e dështimeve të qeverive të mëhershme, është i të njëjtit mendim edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai në një intervistë për “Bota sot” duke e marrë në tërësi dhe jo vetëm demarkacionin në veçanti, ka thënë se shumë procese të rëndësishme, për qeveritë e pasluftës kanë qenë sekondare dhe terciare.

“Kryeministri e ka nënvizuar këtë fakt. Natyrisht, që qeveritë e pasluftës kanë qenë të ndikuara nga agjendat ndërkombëtare, jo vetëm në kuptimin e administrimit, por edhe në kuptimin e zgjidhjes së proceseve politike që kanë qenë të rëndësishme, qofshin ato të evitimit të pasojave të vitit 2004, të statusit final të Kosovës, të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, të përfundimit të misioneve të UNMIK-ut, e të shumë proceseve tjera, të cilat kanë qenë prioritet i madh dhe çështjet ekonomike kanë qenë sekondare dhe në disa raste edhe terciale”, ka thënë Haziri. 

Sipas tij, qeveria aktuale po e zgjedh prioritetin numër një në Kosovë, ekonominë e vendit.

“Kjo qeveri e ka nxjerrë ekonominë si prioriteti numër një dhe problem kryesor ka qenë tërheqja zvarrë nga opozita në mënyrë që të mos i tregojë sukseset e planifikuara në ekonomi”, ka theksuar nënkryetari i LDK-së.

AAK: Demarkacioni i trashëguar, por Mustafa ka mundur të mos lëshonte pe

Edhe partitë opozitare, AAK e Vetëvendosje e pranojnë se demarkacioni është trashëguar nga qeverisja e kaluar, edhe pse kjo Qeveri ka mundur të mos lëshojë pe.

Kështu deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka thënë për “Bota sot” se qeveria aktuale nuk duhet treguar kryeneçe në procese kaq të rëndësishme për vendin.

“Është fakt që kjo Qeveri i ka trashëguar disa gjëra jo të mira nga ish-qeveria, por është kryeneçe në gjëra të dëmshme për Kosovën po aq sa ish-qeveria. Ta zëmë, marrëveshja për demarkacionin është nga ish-qeveria, por pse po insistonte edhe nga kjo e sotmja që kjo marrëveshje e dëmshme të marrë epilog pozitiv”, ka vlerësuar  Brahimaj. 

Mirëpo, sipas tij, kjo qeveri po i paguan pasojat e keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes se vet. 

“Do të marrë të njëjtin "dënim" nga qytetarët e Kosovës për shkak të vazhdimësisë së mentalitetit mashtrues e nënshtrues të qeverisjes së vendit”, ka thënë ai.

Vetëvendosje: Mustafa mos të fshihet prapa qeverisë së kaluar

Edhe deputetja nga Vetëvendosja, Shqipe Pantina, ka thënë se ndonëse demarkacioni është trashëguar nga qeverisja e kaluar, një ‘dozë’ të fajin e bartë edhe qeverisja aktuale.

“Është e vërtetë se komisioni shtetëror për përcaktimin e demarkacionit ka qenë formuar nga qeveria Thaçi, por Mustafa ka pas mundësi që të mos lejojë të bëhen gabime. Për më tepër Kuvendi ka miratuar një rezulotë, të cilën qeveria Mustafa e ka injoruar tërësisht duke nënshkruar Marrëveshjen në kundërshtim me këtë rezolutë. Për më tepër, kryeministri Mustafa ka insistuar me çdo kusht që kjo marrëveshje të kalojë edhe në Kuvend, prandaj ai nuk mund t'i ikë përgjegjësisë assesi dhe as të fshihet prapa qeverisë së kaluar”, ka vlerësuar deputetja Pantina, nga Vetëvendosje për gazetën "Bota sot".

Ndërkaq partia në pushtet, që bashkëqeveris me LDK-në, Partia Demokratike e Kosovës, nuk e ka komentuar fare këtë çështje për gazetën, nëse ndjehen fajtor dhe përgjegjës për demarkacionin ose jo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat