Kuvendi, i ‘pafuqishëm’ për demarkacionin

Politika

Kuvendi, i ‘pafuqishëm’ për demarkacionin

Më: 16 prill 2017 Në ora: 15:32
Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Qeveria e Kosovës ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton mundësinë e procedimit të projektligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, brenda disa ditësh, megjithëse zyrtarë të saj thanë se ende nuk është vendosur për këtë çështje.

Qëndrimet pasojnë deklarimet e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, që gjatë javës vizituan Kosovën, se ‘Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit për të realizuar synimin e saj për liberalizim të vizave’ dhe rrugën evropiane.

Projektligji megjithatë, sërish u kundërshtua nga opozita në Kosovë, e cila thotë se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj, pavarësisht qëndrimeve ndërkombëtare dhe sugjerimeve për t’i dhënë fund kundërthënies së demarkacionit.

Projektligji u tërhoq nga Kuvendi në verën e vitit të kaluar, pas një periudhe të kundërshtimeve edhe të dhunshme të opozitës, e cila e cilësoi marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, në vitin 2015, siç tha, të dëmshme për Kosovën.

Çështja e demarkacionit, që u ndërlidh me procesin e liberalizimit të vizave nga Komisioni Evropian vitin e kaluar, u ngrit sërish në vizitat në Kosovë të minsitrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, dhe edhe senatorit amerikan, John McCain. Të dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë i kërkuan institucioneve të vendit që ta përfundojnë procesin e demarkacionit të kufirit me shtetin që, siç thanë, ‘është miqësor me Kosovën’.

Senataori McCain në fjalën e tij në Kuvend, duke shprehur besimin e tij në “vazhdimin e rrugës evropiane të Kosovës’, iu tha deputetëve se “ka ardhur koha që të vazhdojë ky përparim”.

“E ndaj pikëpamjen e presidentit Thaçi se miratimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të sjellë liberalizimin e vizave dhe kjo dëshmon një hap të fuqishëm drejt të ardhmes evropiane të Kosovës”, tha McCain.

Marrëveshja për demarkimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, u nënshkrua në Vjenë në vitin 2015, në praninë e ministrit të Jashtëm të Austrisë, dhe ajo u miratua nga Kuvendi i Malit të Zi pak ditë pas nënëshkrimit.

Mali i Zi ndërkaq ka marrë dritën jeshile edhe të presidentit amerikan, Donald Trump, sikundër edhe të pothuaj të gjitha vendeve evropiane për anëtarësimin në NATO, dhe demarkacioni me Kosovën i ka shërbyer për të hapur një kapitull të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, që u gjet nën trysninë ruse në vitet e fundit.

Por megjithatë, Kuvendi i Kosovës mund ta ketë vështirë kalimin e një projektligji të Qeverisë për demarkacionin. Kryeministri Isa Mustafa i tha Radios Evropa e Lirë se kurdo që koalicioni i shumicës të merret vesh, projektligji do t’i procedohet Kuvendit, i cili, siç tha, duhet të marrë përgjegjësinë për qytetarin.

"Mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse natyrisht që një Kuvend i cili nuk e konsideron çështjen e nxjerrjes së qytetarëve të vet nga izolimi dhe i mbanë në izolim për kauza politike ose për interesa personale, ai Kuvend mandej shtrohet pyetja se a ka të drejtë morale edhe më tutje të ekzistojë apo ta rivlerësojë vetveten”, tha Mustafa.

Por, pavarësisht krejt qëndrimeve të deritashme, përfshirë edhe rezultatet e një Komisioni shtetëror për matjen e territorit të vendit, që thonë se Kosova nuk ka humbur pjesë të territorit të saj, opozita mbetet në qëndrimin që ka pasur deri më sot. Marrëveshja, sipas saj, lë jashtë mbi 8 mijë hektarë të tokës së Kosovës dhe ajo kërkon rishqyrtimin e saj.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se qëndrimi i partisë së tij për çështjen e demarkacionit, nuk ka ndryshuar.

"Qëndrimi i Aleancës nuk është i përkohëshëm. Është konsistent. Sepse ne besojmë se qëndrimi i Aleancës në raport me demarkacionin ka qenë i saktë, është i saktë dhe prandaj nuk kemi asnjë arsye që të lëvizim qoftë edhe për një milimetër nga ky qëndrim”, tha Nitaj.

Sidoqoftë, demarkacioni mund të ndryshojë gjithë skenën politike në vend, varësisht nga sjelljet e deputetëve brenda Kuvendit, marrë parasysh se një numër i tyre edhe nga radhët e koalicionit qeverisës, kanë shprehur kundërshtimet ndaj tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat