Komisioni për pajtim, pritet të hedhë dritë mbi të vërtetën

Politika

Komisioni për pajtim, pritet të hedhë dritë mbi të vërtetën

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 prill 2017 Në ora: 08:37
Nis grumbullimi i fakteve për gjenocidin serb në Kosovë

Ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paraqiti për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Për këtë komision Presidenti Thaçi ka thënë se do të mundësojë dialog të hapur brenda komuniteteve në Kosovë mbi bazën e pajtimit të shëndoshë. “Të gjitha përgatitjet janë bërë për themelimin e këtij Komisioni, thuhet në përgjigjen e Presidencës dërguar “Bota sot”. “Më e rëndësishme se kur, pra në cilën datë do të formohet ky komision, është puna që ky komision pritet të bëj në të ardhmen. Deri më sot, janë bërë përgatitje të shumta dhe natyrisht edhe tryeza dhe debate publike të cilat kanë ndihmuar që të formësohet edhe më mirë mënyra, qëllimi dhe pritjet tona për rezultatet e këtij komisioni”, thuhet nga Zyra për Informim e Presidentit të Kosovës.  Sipas tyre,  në javët në vazhdim, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, vendorë dhe ndërkombëtar, do të bëhet edhe themelimi formal të këtij komisioni.  “Komisioni do të punojë në evidentimin e fakteve për luftën në Kosovë dhe këto të shërbejnë si themel i të vërtetës për atë që ka ndodhur në Kosovë. Gjithashtu, komisioni do të jetë i pavarur dhe i paanshëm dhe puna e tij do të jetë gjithëpërfshirëse. Puna e komisionit në ndriçimin e të vërtetës sigurisht që do të ndihmoj në pajtimit e shoqërisë sonë dhe një bashkëjetesës normale në paqe ndërmjet të gjitha komuniteteve”, thuhet nga Presidenca e Kosovës.

Image
Ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paraqiti për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Kundërshtohet themelimi i këtij Komisioni

Themelimin e këtij komisioni e kanë përkrahur edhe ndërkombëtarët. Ambasadori amerikan Greg Delaëie ka përgëzuar institucionet e Kosovës për themelimin e këtij komisioni. Mirëpo sipas analistëve, një komision i tillë nuk duhet themeluar, për një arsye.  “Nuk jam për komisionin e tillë. Fakti, pse jam kundër konsiston te çështja, se tek shqiptarët e kemi një dhunë me përmasa gjenodiciale dhe deri me tash shteti serb nuk ka bërë as më të voglin veprim në drejtim të marrjes së përgjegjësisë”, ka  thënë njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi. Sipas tij, që ky komision të ketë sukses, duhet të plotësohen disa kushte. “Të kapen kriminelët serbë dhe të dënohen për veprat penale, të bëhet reperacioni i dëmeve, të gjenden  të vdekurit që nga Serbia janë fshehur dhe të njihet shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës”, është shprehur  Kelmendi. Sipas të njëjtit,  faktet e theksuara janë evidente për të ardhur deri te pajtimi.   “Natyrisht, se kjo i takon kryesisht shtetit serbë dhe udhëheqjes së serbëve. Tërë kohën as Vuçiq e Daçiq si kriminel dhe bartës të luftës në Kosovë janë në ballë të këtij shteti nuk ka pajtim. Pajtim të njëanshëm nuk ka. Dhe i takon kryesisht shtetit që ka bërë dhunë të marrë iniciativën dhe të kërkojë të falur. Kjo është baza e pajtimit”,  ka theksuar më tej analisti Kelmendi.

Image
Nis grumbullimi i fakteve për gjenocidin serb në Kosovë

Kosova s’ka nevojë të kthehet në mesjetë

Po ashtu edhe analisti tjetër, Rexhep Shahu, ka thënë, se komisionet e tilla krijohen vetëm në vendet ku nuk ka shtet, si në Afrikë.  “Në një tribu, në Afrikë apo diku tjetër ku nuk ka shtet, por jetohet në fise si në parahistori mund të krijohen komisione pajtimi, komisione urrejtje, lufte apo paqe, komisione për të vërteta e për rrena. Kosova është shtet, shtet europian, me popullsi mjaft të civilizuar, por fatkeqësisht me politikanë të prapambetur, ose politikanë mesjetarë”, ka vlerësuar ai.  Sipas tij, këto veprime të Presidentit Thaçi vijnë nga mosdija e tij, si President vendi, vetëm të jetë në vëmendje.  “Para pak muajsh Thaçi thirri në skenë Kanunin mesjetarë të Lekë Dukagjinit, me 24 apo 124 pleq, duke deformuar edhe kanunin, tani nxjerr përralla tjera me komisione për të vërteta e rrena. Këto i bën siç duket nga papunësia se është President që nuk di të punojë, i bën ngaqë do të jetë në vëmendje, por kësaj i thonë në vëmendje me budallaki, i bën si për të pohuar se Kosova nuk ka shtet dhe pa Thaçin kryeministër nuk ka shtet. Thaçi me këto deklarata që nuk u kanë hije as organizatave joqeveritare, as demagogëve, përbaltë shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj”, thotë Shahu.

Ai duke i bërë thirrje Presidentit Thaçi, thotë se ‘Kosova është shtet zoti president, nuk ka nevojë të kthehet në mesjetë, por t’i hiqi nga funksionet partizanët e tu që vjedhin në emër të trimnisë së patreguar’.  Poashtu edhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë Presidenti Thaçi me idetë e tij, shpesh e luan rolin e komikut.  “Përpara pajtimit duhet të dihet deri në fund e vërteta se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Duhet të zbardhet edhe fati i mbi 1700 shqiptarëve që rezultojnë akoma të zhdukur. Por, mbi të gjitha, Serbia dhe populli serb duhet së pari të kërkojnë falje për krimet që i kanë bërë kundër popullatës së pafajshme shqiptare, t'i paguajë dëmet e luftës,  e pas saj vjen pajtimi”, vlerëson Krasniqi.

Ndryshe, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi,së fundmi ka mbledhur zyrtarët më të lartë shtetërorë, klerikët fetarë, korin diplomatik, bartësit e institucioneve të drejtësisë dhe shoqërinë civile në takimin konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat