E kaluara e politikanëve mban “peng” hapjen e dosjeve!

Politika

E kaluara e politikanëve mban “peng” hapjen e dosjeve!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 prill 2017 Në ora: 10:38
Ilustrim nga

E kaluara në sistemin politik komunist ka bërë që shumë nga politikanët e Kosovës ti shmangen diskutimit lidhur me ligjin për lustracion. Një ligj i tillë që do të mund të tregonte më shumë mbi veprimtarinë e politikanëve gjatë sistemit të ish- Jugosllavisë, duket se nuk është në plan që të hartohet nga institucionet e vendit.

Bërja e një ligji të tillë do të çonte në zbardhjen e së kaluarës të zyrtarëve të sotëm. Zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë dhënë  përgjigje në lidhje me pyetjen nga  “Bota Sot”,  nëse kjo Ministri ka në plan hartimin e ligjit të lustracionit. Përgjigje nuk dhënë as zyra e Kuvendit të Kosovës.

Të pastrohet skena politike

Ndërkaq,  deputetja e VV-së Shqipe Pantina, ka thënë për “ Bota sot" se nuk është në dijeni nëse ka pas ndonjë iniciative për një ligj të tillë, megjithatë ka vlerësuar se nuk është kundërshtuar një ligj i tillë.

“Mendoj se është me rëndësi të dihet e kaluara e zyrtarëve të lartë publik, por, është me rëndësi të dihet e tashmja e tyre. Skena politike në Kosovë duhet pastruar nga të gjithë ata që kanë punuar në dëme të interesit të vendit pa marrë parasysh kur e kanë kryer një veprim të tillë në të kaluarën më të largët apo kohëve të fundit”, ka thënë Shqipe Pantina.

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi,  ka thënë se ligji mbi lustracionin është vështirë të procedohet në Kuvendin e Kosovës, pasi me këtë rast do të ndiqeshin shumë njerëz. 

“Me atë do të kapen shumë njerëz, kuptohet si nga politika, ashtu edhe nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Fakti i tillë favorizon kryesisht forcat e korruptuara dhe të lidhura në krimin. Ata kanë mjete dhe shumë lehtë e kanë për të vazhduar pushtetin e vet pa problem”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Kelmendi. 

Kundërshtimet për Ligjin e Lustracionit

Bexhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë,  se në të gjitha shtetet komuniste, kur ka ardhur deri te ndryshimi i sistemit shoqëror, ka ardhur edhe  demokratizmit të këtyre shteteve. 

Sipas tij çdo herë ka pasur kundërshtime për ligjin për lustracionin, sidomos prej atyre të cilët kanë qenë në pushtet, sepse ata në atë kohë kanë qenë edhe shkelës të të drejtave të njeriut.

“Të tillët kanë qenë  edhe pjesëmarrës në abuzimet e pushtetit, pjesëmarrës në të gjitha krimet që janë bërë ndaj njerëzve të pafajshëm, apo njerëzve që nuk kanë menduar, se ata e kanë kundërshtuar atë sistem. Është krejt e pritshme që njeriu i cili, do të vijë në një situatë, që duhet të jap përgjegjësi, ai edhe e kundërshton këtë ligj. Tash, nëse një prokuror ka ngritur aktakuza për qëllime politike, apo një gjyqtar që ka dënuar me vite e vite njerëz për bindje politike, apo një hetues i ka mbytur me torturë të burgosurit politik, të cilët e kanë kundërshtuar atë sistem, dhe natyrisht, e se ata edhe e kundërshtojnë dhe nuk e pranojnë këtë ligj”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar, se edhe  politikanët të cilët kanë qenë të pushtetshëm në atë kohë dhe kanë pasur pozita të larta, madje e kundërshtojnë këtë ligj, sepse nuk mund të ballafaqohen me të kaluarën. 

“Ne me këtë ligj parashohim që thjesht duhet të vijë te një e vërtetë historike, çka ka ndodhur në Kosovë prej vitit 1945 e deri në kohën kur Kosova e ka fituar pavarësinë. Ne nuk jemi ata që t`i hakmerremi, t`i ndjekim njerëzit apo t`i burgosim. Por , nëse dikush është përgjegjës për jetën e dikujt apo ka bër krime të rënda atëherë duhet të iniciohet procedurë penale ndaj tij. Mirëpo, ligji për lustracion, e ka qëllimin kryesore që përmes një komisioni të pavarur të sigurojë fakte se dikush, ndonjë figurë me post të lartë publik, që e ka pasur një të kaluar të errët kriminale, dhe ajo do duhej të shërbente si arsye, që ai person të tërhiqej nga ajo pozitë. Kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, është që të gjitha vendet që kanë qenë nën sistemin komunist, e që pastaj janë liruar nga ai regjim, ta kalojnë procesin e lustracionit”, është shprehur Shala.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Artur  Roshi ka thënë, se lustracioni nuk mund të bëhet nga ata që preken prej tij, pasi ekzistojnë vështirësi reale.

Sipas tij, për ta realizuar atë duhet një klasë e re politike ose të paktën një lider partie që është jashtë influencës së lustracionit, por që gëzon besimin e publikut dhe fuqinë politike të votave parlamentare.

“Kam përshtypjen se do të ngelet një iluzion dhe nga mos realizimi i këtij ligji sigurisht nuk fiton e ardhmja e shpejtë e Kosovës, por "status quo" që ka të bëjë me favorizimin e mendësive ballkanike të Serbisë. Politikanët janë të trembur nga lustracioni, por shpresojnë se do ta dështojnë me sukses. Sido që të jetë pa një ligj të tillë klasa politike nuk ka moralin se po përfaqëson në mënyrë të merituar interesat e Kosovës dhe publikut të saj,” ka thënë njohësi i  çështjeve politike Roshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat