As McCain e Gabriel nuk e bindin opozitën që të dorëzohet!

Politika

As McCain e Gabriel nuk e bindin opozitën që të dorëzohet!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 17 prill 2017 Në ora: 13:39
Liderët e partive opozitare

Pavarësisht thirrjeve të senatorit amerikan John McCain, partitë opozitare në Kosovë nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga qëndrimi i tyre, sa i përket marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi.

Senatori amerikan John McCain, gjatë vizitës që pati javën e kaluar në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi të sigurojë heqjen e vizave për qytetarët e saj.

E njëjtë ishte edhe vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel që Kosova sa më shpejt të ratifikoj demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Image
McCain, gjatë vizitës që pati javën e kaluar në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve që ta ratifikojnë Demarkacionin me Malin e Zi

Zgjidhje që kënaq të dy palët

Faton Topalli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se sa i përket Demarkacionit, SHBA-të ashtu edhe Gjermania do ta mirëpresin një zgjidhje që kënaq të dy palët.

“Konsideroj që kemi raporte shumë të mira me SHBA- të dhe Gjermaninë dhe dëshirojmë që këto raporte të avancohen edhe më shumë. Çështja e kufirit me Malin e Zi prekë vetëm raportet mes dy vendeve mike, prandaj dhe demarkimi i kufirit duhet të bëhet duke gjetur një zgjidhje që kënaq interesat e dy palëve. Jam thellësisht i bindur që si SHBA-të ashtu edhe Gjermania do ta mirëpresin një zgjidhje që kënaq të dy palët. Deri tani këtë zgjidhje e ka penguar Qeveria Mustafa”, ka thënë Topalli për “Bota sot”.

Image
Topalli ka kërkuar zgjidhje që kënaq të dy palët

Demarkacioni, marrëveshje e dëmshme për Kosovën

Qëndrimet e dy diplomatëve ndërkombëtar, për anëtarin e Kryesisë së AAK-së Muhamet Kelmendi, nuk duhet të kuptohen si mjet i presioni ndaj deputetëve që këta domosdo marrëveshjen e nënshkruar nga Thaçi dhe Hyseni të aprovojnë.

“Si qëndrimi i Senatorin Amerikane z. Mc Ceyn, ashtu edhe i ministrit të punëve të jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, z. Gabriel, nuk duhet kuptuar si mjet i presioni ndaj deputetëve që këta domosdo marrëveshjen e nënshkruar nga z. Thaçi dhe z. Hyseni të aprovojnë. Ata dy politikanë iu drejtuan deputeteve mend marrëveshje të nënshkruar dhe e cilado mbrohet me fanatizëm. Nga qeveria, kryeministri dhe presidenti i vendit. Dhe, në këtë gjendje, Kur ajo po mbrohet nga këta, nuk mund të pritet qëndrim tjetër nga miqtë tanë, veç asaj të nënshkruar”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, marrëveshja me Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, nuk do të votohet, ndërsa ka ftuar edhe prokurorinë që të merret me dy nënshkruesit e saj.

“Në këtë anë jemi të qartë. Po a do të miratohet nga deputetët në vijën e tashme unë nuk besoj, sepse është një marrëveshje e dëmshme dhe që Kosovës i kushton shumë. Ajo i humbë vendit tonë mbi 8200 ha tokë. Pse e kane nënshkruar këtë marrëveshje në atë vijë është një çështje për prokurori dhe gjykata. Ato duhet te hetojnë dhe të shohin se cilat ishin shkaqet e kësaj marrëveshjeje, sepse kjo është vepër e rëndë penale, e Kuvendi nuk guxon të miratoj se atëherë behet bashkëveprues i veprës penale të kryer nga nënshkruesit dhe qeveria që me fanatizëm po e përkrahë. Mendoj se Kuvendi duhet të refuzoj dhe të shkohet në zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme. Kjo qeveri dhe ky Kuvend nuk po mund t`i  zgjidhin problemet e vendit dhe shteti është paralizuar. Kjo është faktike”, ka thënë Kelmendi.

Mesazhe të qarta!

Kurse analisti Leon Duhanaj, duke komentuar deklaratat e Senatorit McCain, ka thënë se çarqe të caktuara, brenda politikës në Kosovë, e kanë mision të pashpallur shkatërrimin e procesit të shtet ndërtimit të Kosovës.

“Jo vetëm tani, deklaratat e Senatorit, por në vazhdimësi kemi pasur mesazhe të çarta dhe thirrje shumë miqësore nga miqtë dhe sponsoruesit e lirisë dhe pavarësisë sonë, se demarkacioni me Malin e Zi nuk është rreziku i Kosovës, por janë pikërisht vonesat në proceset integruese të cilat e rrezikojnë seriozisht të ardhmen e Kosovës. Këndej mund të konstatojmë se çarqe të caktuara, brenda politikës kosovare, e kanë mision të pashpallur shkatërrimin e procesit të shtet ndërtimit të Kosovës. Ata edhe thirrjet me të drejtpërdrejta për ratifikim të demarkacionit, mundohen t'i interpretojnë nën maskën e kuazi patriotizmit krejtësisht në dëm të Kosovës”, ka thënë Duhanaj.

Për këtë arsye, Duhanaj ka theksuar rëndësinë që kanë pasur miqtë ndërkombëtar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Një gjë duhet ta di secili politikan dhe secili qytetarë i vendit. Po të mos ishin miqtë e shtrenjtë të Kosovës, amerikan e evropian, nuk do të kishim as Çakorrin, as Zhlepin e as lirinë e pavarësinë e as Kosovën. Këndej po të kishim qenë pak më të sinqertë, edhe të na kërkohej nga Amerika vërtet t'i falim një pjesë territori interesave të zgjerimit të NATO-s, zgjerim i cili me së shumti i konvenon kombit shqiptarë. Do duhet të mos hezitonim fare në këtë. Ju bëj thirrje "kuazi patriotëve" të cilët po e dëmtojë rëndë procesin integrues dhe interesin vital të Kosovës duke penguar zgjerimin e NATO-s, se janë duke i bërë argat projektit pansllavist. Për një patriot shqiptarë duhet të jetë më rëndësi forcimi i faktorit gjithëshqiptarë në rajon e jo vendosja e megjave mes nesh. Nuk është me me rëndësi ku është kufiri nëse në të dyja anët e tij jetojnë shqiptarë në mirëqenie në liri të plotë fhe në bashkëpunim maksimal ku kufiri nuk do të vërehet fare”, ka theksuar Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat