Votat e opozitës, të pamjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë

Politika

Votat e opozitës, të pamjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 prill 2017 Në ora: 08:12
Muajt e njëjtë të vitit të kaluar, u përshkuan me protesta të opozitës, e cila kërkonte rrëzimin e qeverisë dhe kundërshtimin e Asociacionit dhe Demarkacionit. Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se mundësinë për mocion, opozita e kishte edhe para një viti.

Mocioni i nisur ditë më parë nga subjektet opozitare, po shihet si tentativa e fundit e tyre për rrëzimin e qeverisë. Muajt e njëjtë të vitit të kaluar, u përshkuan me protesta të opozitës, e cila kërkonte rrëzimin e qeverisë dhe kundërshtimin e Asociacionit dhe Demarkacionit.  Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se mundësinë për mocion, opozita e kishte edhe para një viti.

Në këtë mënyrë, sipas analistëve, opozita do të të kombinonte protestat masive qytetare dhe  mocionin në parlament.  Zv/ Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj ka thënë, se janë të kënaqur përderisa shohin opozitën duke  përdorë mjete institucionale. Sipas tij, i vetmi objektiv i opozitës që nga fillimi i këtij mandati ka qenë preokupimi i tyre me rrëzimin e qeverisë, fillimisht me të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe dhunën primitive.  “Tani atyre nuk u ka mbetur shumë pos të vazhdojnë të tentojnë. Por, në zgjedhje do të shkojmë vetëm nëse këtë e dëshirojnë LDK dhe ose PDK”, është shprehur Gecaj.

Image
Deputeti i VV-së Faton Topalli

Deputeti i VV-së Faton Topalli ka thënë,  se gjërat duhen thënë ashtu si janë. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nisur mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai ka thënë,  se këtë e ka bërë Nisma për Kosovën, prandaj si Lëvizje Vetëvendosje janë deklaruar se do të mbështesin çfarëdo iniciative për rrëzimin e qeverisë.  “Jemi plotësisht të vetëdijshëm që votat e opozitës nuk mjaftojnë për rrëzimin e qeverisë. Unë personalisht jam nisur nga mendimi që ky mocion mbështetet edhe nga PDK madje aty këtu edhe nga ndonjë deputet i LDK-së. Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk kemi qenë asnjëherë më të fortë se tani, dhe shpresojmë që kjo mbështetje në ditetm javët dhe muajt në vijim do të rritet. Jemi për zgjedhje të reja sepse është rrënuar jo reputacioni i opozites, por ai i qeverisë. Asgjë nuk po funksionon, madje as vetë Kuvendi. Prandaj sovrani duhet ta thotë fjalën e vet dhe të vendos një balanc të ri në Kuvend, respektivisht të përcaktohet se kënd e do në krye të vendit”, është shprehur deputeti Topalli.

Image
Analisti politik Rexhep Shahu

Paqëndrueshmëria e Opozitës

Analisti politik Rexhep Shahu, ka deklaruar se opozita po punon për t'u konsoliduar si e tillë, dhe  për të përmirësuar imazhin e vet, fytyrën e vet, si dhe për t’ia kujtuar qytetarit se ka edhe opozitë, por edhe opozitë aktuale me veprimet e sjelljet e veta që nuk ia turbullon ujin Qeverisë. Sipas tij, opozita mundet me marrë pushtet vetëm  kur ta lërë pushtetin qeveria.

“Opozitat me moral të lartë, që nuk mashtrojnë e nuk mashtrohen, e që nuk tradhëtojnë kauzat e tyre, pasi i zgjedhin si kauza të drejta, e fitojnë pushtetin, por  nuk e presin dhuratën nga qeveria. Nëse opozitarët e shohin si qëllim në vete vetem marrjen e pushetit pa bindur qytetarët për nevoja ndryshimi, ato nuk ndiqen nga qytetarët. Qytetarëve nuk u intereson fytyra e pushtetarit, por ndryshimi i politikave ekonomike e sociale”,  është shprehur analisti politik Shahu. Ndërsa, politologu Nexhmedin Mustafa ka vlerësuar se,  tentativat e opozitës që nëpërmjet protestave, tani edhe nëpërmjet mocionit kundër qeverisë së Kosovës duket se janë të paqëndrueshme, jo serioze, jo të sinqerta dhe se më e rëndësishmja është se ne në Kosovë nuk kemi opozitë të bashkuar. 

Ai ka thënë, se opozita në Kosovë, lëre më që nuk është e bashkuar dhe nuk flet njëzëri, por ajo nuk e luan më as rolin e mirëfilltë opozitar për çfarë edhe thirret. 

“Gjithçka në Kosovë është përqëndruar në demarkacion, asociacion, gjykatë speciale dhe së fundmi arrestimi i liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Vallë, shtrohet pyetja, a është kjo opozitë e mirëfilltë që do të duhej ta kishte vendi ynë? Duket qartë se pushteti, më saktësisht pozitës po i përshtatet kjo situatë e krijuar, duke mbajtur opozitën “të lidhur” për çështjet e lartëpërmendura dhe rrjedhimisht pozitë-opozitë po e mbajnë Kosovën të izoluar, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar, edhe pas 17 viteve pas lufte ka arritur stadin më të lartë dhe më të sofistikuar deri më tani.Opozita në Kosovë është e pa-alternativë, sikurse është vet e paalternativë e para e opozitës - Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk ka një program të qartë për popullin dhe qytetarin e këtij vendi. Kjo e fundit, si e tillë, pra anëtarët e saj thithin dhe vjelin të mirat materiale që u jep ky shtet e në anën tjetër nuk e pranojnë ekzistimin e tij. Njëjtë vepron të themi edhe “Lista srpska”, nuk e pranon shtetin e Kosovës. Këtë situatë, bukur mirë po e shfrytëzon pozita në vend, për të mbajtur pozicionin e saj fuqishëm karshi një opozite të paalternativë, është shprehur politologu Mustafa.

Patriotët e rremë

Sipas politologut Nexhmedin Mustafa, pozitë e opozitë, faktikisht në Kosovë kanë krijuar një “pozitë” të fuqishme, dhe të gjithë, pa përjashtim thirren në patriotizëm inekzistentë, demagogji të skajshme mbi ngjyrat kuq e zi dhe fatkeqësisht ky popull thënë kushtimisht po i “gëlltit” këto mashtrime ordinere të kësaj kaste politike, thellë të implikuar në mashtrime kundrejt qytetarit të Kosovës. 

“Përtej kësaj, shikuar nga e kaluara edhe protestat e organizuara nga opozita në vetvete kanë pas elemente të mashtrimit dhe manipulimit qytetar. Kjo opozitë e ka shfrytëzuar çdo pakënaqësi qytetare, duke i’u bashkuar dhe motivuar njerëzit e pakënaqur për protestë, e në anën tjetër i ka dhënë kahje tjetër organizimeve të tilla në rrugë. Përtej kësaj, kjo opozitë, ka keqpërdorur edhe masivin qytetarë në raste të evenimenteve të ndryshme apo datave të ndryshme të rëndësishme për qytetarët e këtij vendi dhe si e tillë ka thirrur protesta po në këto data, duke shfrytëzuar në favorin e saj numrin qytetar të dalur në protesta”, ështa shprehur ai.

Më tej, politologu Mustafa, ka vënë në dukje se kjo është e papranueshme, sikurse është e papranueshme që pozita në vend, po i shfrytëzon në formën më eklatante veprimet e pamatura dhe aspak serioze, euforike - opozitare dhe në këtë mënyrë po vazhdon rrugëtimin e saj, duke mos pas alternativë të qartë në praktikë, si ta luftojë, bie fjala, krimin e organizuar, nepotizmin, korrupsionin apo si ta përmirësoj gjendjen në arsim e shëndetësi, mirëqenien e qytetarit e kështu me radhë. 

“Ta marrim shembull, iniciativën e Presidentit Thaçi për krijimin e ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve ligjore për FSK-në. Një veprim i nxituar, i pamatur mirë, në jo-koordinim paraprak me qeverinë e as me faktorin ndërkombëtar. Ku na dërgoi kjo? Këto janë veprime që nuk janë në interes as të Kosovës e as të qytetarit të saj dhe se kjo nuk do të duhej të ishte mënyra se si mbahet pushteti në vend”, ka thënë politologu Mustafa.

Image
Njohësi i çështjeve politike Seremb Gjergji

Deputetët prioritet, interesat e partive

Njohësi i çështjeve  politike Seremb Gjergji ka vlerësuar,  se të gjithë deputetët pa dallim e kanë shumë të lehtë që për interesat e tyre dhe të partive, e të mos punojnë në interesin e qytetarit.  Ai ka thënë se opozita, për mungesë të numrave nuk e ka krijuar Qeverinë andaj në çdo tentim të shuarjes së kësaj Qeverie, u duhen edhe votat e vetë Qeverisë. 

“Teknikisht, mocioni kundër kësaj Qeverie është i pamundur dhe do të ishtë e pakuptimtë që opozita të llogarisë në përhapjen e pozitës, për të cilen vetëm terr e zi proklamon. Por, kjo mund të ndodhë vetëm nëse partnerët e Qeverisë janë dakord që ta çojnë vendin në zgjedhje të reja, sepse deputetët duhet ta dijnë se qytetari nuk përfiton asgjë nga ky mocion. Madje, kam drojë,  se vetëm do të humbasë. Do të humbas shumë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në perspektivën qytetare. Prandaj mendoj se të gjithë deputetët duhet të punojnë deri në fund të mandatit në mbrojtjen, zhvillimin, avancimin dhe perspektivën e qytetarëve të Kosovës. Jeta e njerëzve në Kosovë, varet tërësisht nga zhvillimet e politikës sonë në Kuvend apo në Qeveri”, është shprehur Gjergji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat