Dorëzohet opozita: Nuk e kemi fuqinë ta rrëzojmë Qeverinë, por kjo është zgjidhja

Politika

Dorëzohet opozita: Nuk e kemi fuqinë ta rrëzojmë Qeverinë, por kjo është zgjidhja

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 prill 2017 Në ora: 08:30
Foto arkiv, liderët e partive opozitare në Kosovë, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë i është kundërpërgjigjur iniciativës së nisur nga Nisma për Kosovën për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë. Sipas Mustafës është punë e opozitës të kërkojë qoftë mocion mosbesimi, qoftë zgjedhje të parakohshme. Shefi i Qeverisë ka thënë se qeveria që ai udhëheq, do të vazhdojë me planin e saj që si synim, sipas tij, ka krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Njëjtë kishte vepruar edhe partneri në koalicion i Isa Mustafës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili i ishte përgjigjur ‘kërcënimeve’ të opozitës për mocion mosbesimi, mocion të cilin e ka nisur Nisma për Kosovë, e cila është duke mbledhur nënshkrimet me të cilat ajo synon ta rrëzoj Qeverinë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë ditë më parë se opozita nuk i frikëson me kërkesa të tilla, madje krahas kësaj, pozita mund të fuqizohet duke pas vendimmarrje edhe në Qeveri e Kuvend.

Kjo deklaratë e kryekuvendarit Veseli erdhi në një kohë kur vazhdimisht po diskutohet për zgjedhje të parakohshme. Opozita vazhdimisht po bën thirrje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, madje duke treguar edhe preferencat e tyre për koalicione.

Të kontaktuar nga “Bota sot”, partitë opozitare shprehen të gatshme për të mbajtur zgjedhjet.

Por lidhur me deklaratën e kryekuvendarit Veseli, partitë opozitare shprehen si të pafuqishme përballë pozitës, andaj si zgjidhje të vetme e shohin shkuarjen në zgjedhje. Kështu deklarohen zyrtarë nga Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa gazeta “Bota sot”, nuk ka arritur të kontaktojë me zyrtarë nga Nisma për Kosovën. 

Image
Deputeti nga AAK-ja Lahi Brahimaj

Brahimaj: Populli do të kërkoj zgjedhje

Kështu, deputeti nga AAK-ja Lahi Brahimaj, thotë se Kosova duhet dhe do të shkojë ne zgjedhje. Nëse jo nga partitë atëherë këtë shpejt do ta kërkojë drejtëpërdrejt populli.

“Nëse dikush ka marrë zemër nga "turret e dëgjimit" atëherë ata me se miri mund ta dinë gjendjen në të cilën është Kosova jonë e qytetarët e saj. Ata të cilët nuk e pranojnë situaten e keqe në të cilën gjendet Kosova qenkan të verbuar dhe është e kotë të thuash se po dalë e po i dëgjojë hallet e qytetarëve sepse nuk qenke duke i dëgjuar. Kjo qeveri duhet të shkojë sa ma parë sa nuk ka shkuar Kosova”, thotë deputeti Brahimaj për “Bota sot”.

Image
Deputetja nga Vetëvendosja, Shqipe Pantina

Pantina: Opozita nuk ka fuqi ta rrëzoj Qeverinë

Nga ana tjetër, deputetja nga Vetëvendosja, Shqipe Pantina pranon se opozita nuk e ka fuqinë e mjaftushme për mocione mosbesimi. Sipas saj, opozita nuk i ka votat e mjaftueshme brenda saj për të rrëzuar qeverinë se ndryshe do e kishte bërë këtë shumë kohë me parë.

“Por përkundër faktit se ky koalicion i ka mbi 80 vota as Kuvendi por as Qeveria nuk po funksionojnë. Nëse e shihni agjendën e Kuvendit ka pika të rendit të ditës që përsëriten qysh nga shkurti, dhe kjo është shenjë e qartë se Kuvendi nuk po funksionon”, thotë ajo.

Sipas deputetes Pantina, edhe qeveria ka ngecur në shumë projekte dhe partnerët e koalicionit me shumë akuzojnë e bllokojnë njëri tjetrin sesa që punojnë bashkë në zgjidhjen e problemeve.

“Prandaj shkuarja në zgjedhje do e zhbllokonte vendin nga ky ngërq ku e kanë futur këto tri parti PDK, LDK dhe Lista Serpska)”, thotë deputetja Pantina për "Bota sot".

Ndërsa një deklarim të tillë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli nuk e kanë komentuar partitë tjera opozitare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat