Zbardhet arsyeja e luajtjes e kartës së zgjedhjeve të parakohshme

Politika

Zbardhet arsyeja e luajtjes e kartës së zgjedhjeve të parakohshme

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 prill 2017 Në ora: 11:31
Selia e Gjykatës Speciale

Zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe Gjykata Speciale nuk mund të vallëzojnë bashkë, e rrjedhimisht as ta prekin në thelb njëra- tjetrën.Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike e juridike duke thënë, se ndërhyrja e gjykatës në këtë situatë ndikon në rezultatin e  zgjedhjeve,prandaj nuk rekomandohet të ndërhyjë.

Nëse Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme atëherë sigurisht se rrezikohet edhe shtyrja e aktakuzave në Gjykatën Speciale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe Gjykata Speciale nuk mund të vallëzojnë bashkë, e rrjedhimisht as ta prekin në thelb njëra- tjetrën.Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike e juridike duke thënë, se ndërhyrja e gjykatës në këtë situatë ndikon në rezultatin e  zgjedhjeve,prandaj nuk rekomandohet të ndërhyjë.Sipas tyre, Qeveria nuk ka arritur të kalojë as Demarkacionin e as ta formojë Ushtrinë, e çështje tjetër e rëndë është edhe Asosacioni, sepse në këtë vorbull është jo e pritshme që të veprojë Gjykata Speciale.

Kaosi i brendshëm, kërcënon stabilitetin

Haki Abazi, njohësi i çështjeve politike dhe drejtor në Fondacionin “Rockefeller Brothers” për Ballkanin Perëndimorë,  ka thënë se të gjitha manovrimet dhe kompromiset e dhimbshme të panevojshme, janë bërë për të krijuar hapësirë veprimi për padënueshmëri dhe për t'i ikur drejtësisë duke ndërtuar një sistem patronazhi dhe kleptokracie. Sipas tij, Gjykata Speciale ashtu siç është edhe Gjykata e Hagës është politike dhe vepron nën urdhërat politike ndërkombëtare.

“Kaosi i brendshëm është kërcënim për stabilitetin rajonal dhe kjo është karta e fundit, por shumë e rrezikshme me të cilën është duke luajtur lidershipi politik”, është shprehur Haki Abazi.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Artur Roshi, ka vlerësuar,  se çështja e gjykimit të aktakuzave në Gjykatën speciale nuk është një gjë që nuk ka kohë të përcaktuar,  kur ndodh sepse drejtësia është një proces i vazhdueshëm dhe duhet të veprojë në mënyrë konstante që qytetarët ta shohin si garanci për të drejtat e tyre.  “Ajo që mund të përfitojë politika në këtë rast është që të mos përfshijë në listat e kandidatëve për deputetë njerëz që kanë hije akuzash mbi vete. Kështu që për mua ky është një vetpastrim i politikës që detyrohet nga Gjykata Speciale. Pra, në mënyrë të tërthortë Gjykata Speciale po vepron mbi politikën. Ndërhyrja e Gjykatës në këtë situatë ndikon në rezultatin e zgjedhjeve,prandaj nuk rekomandohet të ndërhyjë”, ka thënë Roshi. 

Sipas tij, gjykata nuk është thjesht një organ që gjykon mbi akte penalë të individëve të shoqërisë,por edhe një institucion që ushtron pushtet si pjesë ekuilibri për sistemin e pushteteve në një shoqëri. 

“Veprimi i klasës politike në procesin zgjedhor me vetëdije të heshtur për të mos përfshirë në pushtetin e nesërm njerëz që mund të jenë kontugjent i gjykimit të gjykatës speciale ruan kredibilitetin e saj.Shpresoj të jetë ky qëllimi i zgjedhjeve të parakohshme. Këtë kërkojnë qytetarët që politika t’i drejtojë ata me njerëz me moral qytetarë dhe plot besim”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Roshi.

Speciale hesht nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme

Analisti politik Albinot Maloku, ka vlerësuar  se atmosfera politike në Kosovë prej bllokut VLAN e këndej vazhdon të jetë e rënduar.  Sipas tij, me zgjedhjen e Qeverisë e të kryeministrit të Kosovës, të gjithë menduam se terri politik që e kishte kapluar vendin për rreth gjashtë muaj do t’i përkiste së kaluarës. 

“Kështu nuk ndodhi dhe rëndimi i kësaj atmosfere u përfshi edhe me temat si Demarkacioni, Asociacioni e mandej edhe Ushtria. Si pasojë e këtyre, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë bërë të domosdoshme e ato duhet të ndodhin. Ndërsa çështja e Gjykatës Speciale është diçka që nuk mori shumë vështirësi të bëhet dhe puna e saj është përmendur se do të fillojë. Gjykata Speciale nuk do të mbarojë punët e obligimet e shtetit të Kosovës, por misionin e saj për çka edhe është krijuar”, ka thënë Maloku.

Sipas të njëjtit, bazuar në këtë, zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe Gjykata Speciale nuk mund të vallëzojnë bashkë, e rrjedhimisht as ta prekin në thelb njëra- tjetrën. 

“Gjykata Speciale, pavarësisht se e ka ofenduar drejtësinë vendore e ndërkombëtare në raport me Kosovën, ajo do të bëjë punën e vet, qoftë me zgjedhje apo pa zgjedhje. Kush lidh shpresë me këtë Gjykatë se diçka do të ndryshohet, pa e bërë të mirën për vetën tonë, nuk i ka punët në vijë”, është shprehu Maloku. Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, profesor  Muhamet Kelmendi ka vlerësuar, se vendi ka kohë që është në kaos, sepse pushteti i përbërë nga koalicioni qeveritar PDK-LDK dhe Lista Serbe ka dështuar në zgjidhjen e problemëve që i ka vendi dhe ne jemi dëshmitar të këtij kaosi. 

Sipas tij, në Kosovë nuk funksionon si duhet Kuvendi meqë Qeveria ka ra në amulli me konflikte dhe fërkime të ashpëra. 

“Kosova është mbushur me vështirësi, sepse papunësia është rritur, gjendja shëndetësore është e rëndë; arsimi dhe fusha sociale janë shumë keqe. Qeveria nuk ka arritur të kalojë as demarkacionin dhe as ushtrinë nuk po mund ta themelojë. Një tjetër çështje e rëndë është asosacioni, sepse në këtë vorbull është jo e pritshme që të veprojë Gjykata Speciale. Jo pse kjo nuk i ka kryer punët por për faktin se krijohet edhe më shumë rregullim. Këndej duhet shkuar në zgjedhje dhe në ndërtimin e qeverisë në mënyrë që të kemi bazë për veprim. Po si do të veprohet kjo mbetet të shihet”, është shprehur profesor Kelmendi.

Arrihet qëllimi për shtyrjen e Speciales

Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se poenta ishte që të shtyhej fillimi i punës së kësaj gjykate, për ti rezistuar në mënyrë politike duke shtyrë dhe duke nxitur tema të cilat janë krejtësisht artificiale siç është demarkacioni.

“ Tash është imagjinuar dhe është inspiruar mjaft shumë truri në këtë temë së koti duke e lënë në prapavi, por esenca është e diku tjetër kjo. Tash po bëhet e qartë shumë, sepse askujt spo intereson qytetari por disa njerëz të pozitës dhe opozitës, për të cilët thuhet se janë objekt i kësaj gjykate. Pra, kështu fitohet përshtypja që të prolongohet sa më shumë ngritja e aktakuzave pa marrë parasysh se kjo klasë politike pozitë dhe opozitë nuk e pranojnë, pasi kjo ka lënë peng zgjidhjen e problemit të Demarkacionit”, është shprehur Burjani. 

Sipas tij, kjo gjykatë është dashur kaherë të fillojë punën e saj e veçmas prej kur është plotësuar me staf është e bërë e gatshme.  “ Ideja është që sa më shumë paqartësi të kemi dhe prolongim të zgjidhjeve pra krizë duket krejtësisht e plotësisht artificiale, si, stopimi i dilaogut , heqja e fusnotës e gjithçka tjetër. Pra, për disa gjëra është dashur që shumë më herët të reagojmë, si për shembull heqja e fusnotës,kaosi politik, keqpërdorimet e pushtetit, pasurimi i njerëzve , zhvillimi ekonomik i dobët me një shëndetësi problematike dhe biznesi janë format me të cilat po shkelen të drejtat qytetare. Pra, askush nuk po ka guxim të marrë masa ndaj njerëzve, të cilët keqpërdorin postet dhe kjo na bën me dije se Kosova është një gjendje e përgjithshme jo e mirë. Pra nuk ka kushte as për zgjedhje, sepse së pari duhet të zgjidhen disa probleme madje me masa urgjente duhet të merren politikisht për të zgjidhur çështjen e Demarkacionit, pengimit të zbatimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve që kanë nevojë më së shumti”, është shprehur Burjani. 

Sipas të njëjtit, po ashtu duhet bërë zgjidhja edhe e themelimit të ushtrisë zgjidhja e biznesit shëndetësor që ndodh në këtë shtet, por pa u ndaluar nga askush  që të merret me këtë temë. Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka vlerësuar,  se populli dhe Kosova nuk mund të mbetën pafundësisht mish për top, sepse bashkësia ndërkombëtare ose duhet të veprojë ose të tërhiqet nga një gjykatë të cilën kanë mundur të jenë edhe pa e quajtur Speciale.

“Po të ishte mirë që të shkohet deri në fund me këtë mandat qeveritarë që të mos shtyhet kjo agjendë, ngase për përfaqësuesit e Gjykatës Speciale dhe Prokurorinë e saj nuk bëhet vonë, por sikur nuk dëshirojnë të rrezikojnë eventualisht nga ndonjë trazira e papritur. Përndryshe zgjedhjet nuk do të ishte dashur të ndikohen nga Gjykata Speciale, sepse ky fakt Kosovën e konfirmon si një shtet i brishtë dhe se çfardo situate mund ta devijojë nga funksionimi normal”, është shprehur Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat