Zbardhet skema e PDK-së, për të marrë postin e Kryeministrit

Politika

Zbardhet skema e PDK-së, për të marrë postin e Kryeministrit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 prill 2017 Në ora: 14:43
Mustafa e Veseli

Ka zëra kritikë brenda PDK-së, por që ata nuk pritet të sjellin përçarje aq të mëdha për hir të interesave të tyre. Hipotetikisht, nëse PDK merr postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme, pritet që Kadri Veseli, zërat kritikë t’i shpërblejë me poste të ndryshme nëpër institucione të Republikës së Kosovës. Veseli po mundohet të fuqizojë rolin e tij prej liderit të partisë, duke u munduar të shfrytëzojë penalizimin e Thaçit si president i vendit, derisa Thaçi po e ndjen këtë gjë”, ka pohuar  Faton Mehmeti. 

Derisa Kosovën po e presin çështje të rëndësishme si Demarkacioni, liberalizimi i vizave dhe formimi i ushtrisë, brenda koalicionit qeverisës LDK-PDK po shtohen zërat për zgjedhje të jashtëzakonshme. Fillimisht brenda Partisë Demokratike të Kosovës, për mbajtjen e tyre është shprehur deputeti Shukri Buja dhe Nait Hasani, ndërsa së fundmi të njëjtin mendim e ka ndarë edhe deputeti tjetër i saj, Bislim Zogaj.  Ata janë shprehur kundër vazhdimit të qeverisjes së kryeministrit Mustafa, duke u rreshtuar pranë opozitës, e cila ka nisur një mocion për rrëzimin e kësaj Qeverie.  Duke folur në lidhje me këtë në një prononcim për “Bota sot”, deputeti i PDK-së, Shukri Buja, ka thënë se ai që nga tetori i vitit të kaluar, është pro shkuarjes në shtëpi të Qeverisë dhe të kryeministrit Mustafa. 

Ai ka konfirmuar, se përkrah mocionet, të cilat janë në drejtim të këtij synimi, por nuk e përkrah atë nëse ajo është vetëm lojë politike.  “Unë e kam dhënë vërejtjen që mocioni të mos jetë një lojë politike, e cila mund t’ia zgjasë jetën këtij koalicioni apo kësaj Qeverie, sepse në rast se nuk përgatitet mirë ky mocion dhe nuk ka përkrahjen e mjaftueshme, atëherë do t’i zgjatet jeta kësaj qeverie edhe për 90 ditë, në bazë të procedurave dhe rregullave ekzistuese. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm në këtë mocion dhe do të shohim nëse vërtetë ky mocion është nisur me bazën për ta rrëzuar këtë Qeveri, apo është vetëm një lojë politike, sa për të përfituar poena politik”, është shprehur deputeti Buja.  Por, ai ka kritikuar krerët e Nismës për Kosovën, për të cilët ka thënë se as pas dy javësh, nuk u kanë ofruar deputetëve nismën e tyre kundër Qeverisë në formën e shkruar. 

“Ky mocion është bërë që dy javë dhe ende nuk u është ofruar deputetëve të Kuvendit në formën e shkruar, se çfarë përmban dhe nuk po e shoh shumë serioz këtë mocion. Por shpresoj se në të ardhmen të na e sjellin me shkrim dhe ne ta vlerësojmë, se çfarë përmban dhe a ia  vlen vërtetë të vazhdohet me këtë procedurë”, ka theksuar deputeti i PDK-së. I pyetur nëse mendimi ndryshe nga lideri i tij Kadri Veseli, tregon se këtij të fundit po i del situata jashtë kontrollit, Buja ka mohuar të njëjtën, duke thënë se në PDK lejohet mendimi ndryshe.  “Jo, kjo nuk tregon se zotit Veseli po i del situata nga kontrolli, sepse ai është kryetar i partisë, ndërsa PDK është me demokraci të brendshme dhe secili nga deputetët apo anëtarët e institucioneve të PDK-së ka të drejtën e mendimit ndryshe, deri në vendimmarrjen e larta të partisë, që nënkupton Konventën e Partisë. Konventa e ka qartësuar, se ne jemi të gatshëm për zgjedhjet lokale sivjet dhe nuk përjashtojmë zgjedhjet parlamentare këtë vit. Pra, iu ka dhënë mundësi deputetëve të vendosin vet nmë këtë rast dhe nuk është në kundërshtim me qëndrimet e partisë”, ka përfunduar deputeti i PDK-së, Shukri Buja.

Privilegjet në “kurriz” të Kadri Veselit

Por, ndryshe është shprehur analisti politik Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se zërat për shkuarjen në zgjedhje dhe shkarkimin e Qeverisë Mustafa, i shkojnë për së shtati Kadri Veselit.  Sipas Mushkolaj, Veseli më shumë se të gjithë të tjerët, është i interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt. 

“Kjo në mënyrë që të përpiqet të dëshmojë lidershipin e tij dhe, eventualisht, PDK të dalë e para në zgjedhje dhe ai të marrë postin e kryeministrit. PDK nuk po i del nga kotrolli Veselit, përkundrazi. Zyrtarët e PDK-së çdo ditë e më shumë po akomodohen nën lidershipin e tij, ngase kështu e shohin se mund të vazhdojnë me përfitime dhe privilegje”, ka theksuar analisti Mushkolaj për gazetën “Bota sot”. 

Ndërsa, analisti politik Riza Smaka, ka thënë se Qeveria aktuale do të duhej të jepte dorëheqje kaherë. 

“Nëse do të vështronim me kujdes funksionimin inefikas të Qeverisë aktuale, në një anë si dhe papërfilljen e Kushtetutës dhe të shumë akteve ligjore në aplikim.  Në  anën tjetër, e njëjta, Qeveri do të duhej të jepte dorëheqje e pasi këtë nuk e ka bërë dhe nuk e ka ndërmend ta bëjë, atëherë, është dashur të shkarkohej kohë më parë. Dështimet evidente të Qeverisë, shihen haptas në të gjitha segmentet e jetës shoqërore, socio-ekonomike, kulturore, arsimore e shëndetësore”, është shprehur Smaka. 

Ndërsa, lidhur me kërkesat e deputetëve të PDK-së, për krijimin e bazës dhe të rrethanave për zgjedhje të parakohshme, ai ka thënë se kjo tregon se mbase PDK nuk është aq e izoluar, pasi “ të tillë ka jo pak edhe në LDK të mbështetur fuqishëm nga opozita parlamentare, një pjesë e konsideruar e klasës akademike dhe e shoqërisë civile”. “Në këtë kontekst, mund të komentohen situata më se të ndyshme konform me thënien “Kur thehet qerrja, ka plotë rrugë”, ka shtuar analisti Samaka.

Mustafa –Veseli vendosin për zgjedhje të parakohshme

Ndërsa, politologu Albrim Badallaj, është shprehur se liderët e dy partive mazhorative, në koordinim me faktorin ndërkombëtar, janë të vetmit të cilët munden t'a dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. 

Zërat e deputetëve të caktuar brenda pozitës për shkuarje në zgjedhje, sipas tij, janë të vetë frymëzuar nga liderët, “meqë shumica nuk guxojnë të veprojnë krye më vete, e sidomos kur partia e tyre është në Qeverisje”.   

“Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është duke u shquar për liderizëm brenda partisë dhe jo vetëm. Të njëjtin sistem e kemi pothuajse edhe tek disa deputetë të LDK-së, të cilët e kanë kundërshtuar këtë partneritet që në fillim dhe të cilët janë "shpërblyer" duke u zhvlerësuar brenda për brenda partisë. Kësisoji, tani deputetët të cilët dalin kundër lidershipit të partisë e dinë se çfarë i pret dhe çfarë i'u gatuhet brenda për brenda partisë, thënë kushtimisht. Për më tepër, është tendencë për faktorizim, sepse kur janë në qeverisje dy partitë e mëdha, vështirë është të ndahen të kënaqen çdo individ apo çdo grup”, ka thënë Badallaj për gazetën.

Kadri Veseli “shkruan” deklaratat e kritikëve të PDK -së

Se brenda PDK-së ka fraksione të ndryshme, kryesisht mbështetës të Thaçit dhe të Veselit, e ka thënë edhe politologu Faton Mehmeti. Sipas të njëjtit, zërat brenda PDK-së, për zgjedhje të parakohshme, janë produkt i apetiteve të disa njerëzve brenda kësaj partie, që kanë mbetur jashtë posteve qeverisëse dhe se ato janë edhe një skemë e Kadri Veselit, që pretendon të bëhet kryeministër i ardhshëm. 

“Ka zëra kritikë brenda PDK-së, por që ata nuk pritet të sjellin përçarje aq të mëdha për hir të interesave të tyre. Hipotetikisht, nëse PDK merr postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme, pritet që Kadri Veseli, zërat kritikë t’i shpërblejë me poste të ndryshme nëpër institucione të Republikës së Kosovës. Veseli po mundohet të fuqizojë rolin e tij prej liderit të partisë, duke u munduar të shfrytëzojë penalizimin e Thaçit si president i vendit, derisa Thaçi po e ndjen këtë gjë”, ka pohuar Mehmeti.  Ai gjithashtu, ka thënë, se ka gjasa që presidenti Thaçi të japë dorëheqjen e premtuar për shkak të mosformimit të ushtrisë, si alibi që të kandidohet për kryeministër të vendit në zgjedhjet e reja.

“Vetëm kështu, do të rikthente fuqinë e kompetencave që ia ofron posti i kryeministrit, dhe kështu edhe të largojë protagonizmin në rritje të Veselit brenda PDK-së. Gjykata Speciale, do të trondiss aq fort PDK-së sa fati i LDK-së më 2006 pritet ta pësojë edhe partneri i saj në koalicion. Veseli po promovohet si lider i së ardhmes, por i ndjekur nga hijet e së shkuarës”, ka shtuar për “Bota sot” politologu Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat