Liderët politikë, braktisin proceset institucionale

Politika

Liderët politikë, braktisin proceset institucionale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 prill 2017 Në ora: 18:11
Isa Mustafa, Kadri Veseli, Visar Ymeri dhe Fatmir Limaj

“Koncentrimi i partive në nisjen e parakohshme të fushatës zgjedhore është duke ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e seancave dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Në këso situate të mosfunksionimit të legjislativit, zgjedhjet e jashtëzakonshme jo vetëm që janë opsion, mirëpo duket se janë zgjidhja e vetme”, ka deklaruar Eugen Cakolli.

Këtë vit në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale, edhe pse ka zëra që do të mbahen edhe ato të jashtëzakonshme parlamentare, që po kërkohen nga opozita dhe disa deputetë të pozitës. Duke qenë se është vit elektoral për shkak të zgjedhjeve lokale, partitë jozyrtarisht kanë filluar me ‘fushatë të parakohshme’, me takime me qytetarë e vizitë në komuna në ndryshme të Kosovës.  Në këtë mënyrë zyrtarë të partive politike bëjnë edhe premtime, për ato që do të bëjnë në një mandat tjetër apo një mandat të ri në qytete të caktuara.  Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj ka thënë, se në skenën politike në Kosovë janë përfshirë njerëz pa vlera intelektuale që kanë vetëm interesa personale, andaj partitë janë dobësuar shumë.  “Skena politike e Kosovës ka degjeneruar për një varg arsyesh, e mbi të gjitha sepse, në strukturat partiake janë infiltruar individë, pa asnjë pikë vlere intelektuale e morale, por që aty janë për qëllime përfituese që e bëjnë duke bërë inskenime të pista. Këta njerëz shantazhimin e kanë mjetin përfitues, kështu që, partitë janë dobësuar shumë, sepse pjesa më militante e anëtarësive partiake, duke mos mundur që t'i honeps të këtillët, është shumë e zhgënjyer aq sa, në zgjedhjet që po vijnë, si ato lokale ashtu edhe ato qendrore, një pjesë shumë e madhe e qytetarëve nuk do të dalë fare në zgjedhje. Kjo do të ndodhë edhe në zgjedhjet e sivjetshme komunale, në të cilat, sa po mund të shohim, shenjat elektorale po i manifestojnë individë të degjeneruar, për të cilët problemet emergjente të qytetarëve dhe të vendit janë më pak të rëndësishme se sa karriera e tyre dhe interesat e tyre personale”, ka deklaruar Zogaj për gazetën “Bota sot”.  Më tej, ai thotë se pozita dhe opozita do të duhej t’i shfrytëzonin zgjedhjet lokale për të spastruar partitë e tyre nga persona që kanë qëllime personale, të cilën e kanë futur vendin në krizë të thellë.  “Të këtillët janë si te pozita ashtu edhe te opozita. PDK-ja dhe LDK-ja, si dy partitë kryesore në këtë plan do të duhej të ishin të vëmendshme, sepse, janë mjaft të majmura me mish të egër dhe, nëse ia duan të mirën popullit, vendit dhe vetvetes, zgjedhjet komunale do të duhej t'i shfrytëzojnë për spastrimin e radhëve të veta nga kodoshët, injorantët, brejtësit dhe imbecilët e të filtruarit për qëllime personale, nga të cilët vendi është kapluar nga kriza e thellë”, ka vlerësuar analisti Zogaj.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të shtunën dhe të dielën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat