Limaj premton për çdo familje nga një të punësuar

Politika

Limaj premton për çdo familje nga një të punësuar

Më: 21 prill 2017 Në ora: 20:21
Kryetari i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj

Nisma për Kosovën ka shënuar sot tre vjetorin e themelimit të degës së saj në Mitrovicë, me ç’rast kryetar i kësaj partie u zgjodhë Hysni Ahmeti.

Në këtë takim të pranishëm ishin, kryetari i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj, deputetja Valdete Bajrami, si dhe anëtarë tjerë të kryesisë së Nisma-s.  

Kryetari i Nisma-s për Kosovën Farmir Limaj, ka potencuar se Nisma do të jetë afër të gjithë qytetarëve që kanë nevojë për shtetin. Sipas tij, qytetarët në zgjedhjet që do të zhvillohen gjatë këtij viti duhet të votojnë për ndryshime, duke ofruar opsione dhe mundësi tjera.

Ai theksoi se pa e pasur një kryetar të komunës, që ka dëshmuar se e donë dhe i shërben vendit, kurrë problemi i Mitrovicës nuk do të zgjidhet.

Limaj: Sot prindërit tanë i nxjerrim jashtë Kosovës për shërim

“Nisma për Kosovën është grupacion politik, që do të jetë afër të gjithë atyre që ju bëhet e padrejtë, që kanë nevojë për mbështetje, të pambrojturit, Nisma për Kosovën do të jetë afër të gjithë atyre që kanë nevojë për shtetin dhe për qytetarët. Ne do të jemi zëri i atyre, dora, veshi i tyre, dhe ata më nuk do të injorohen. Ne duhet të ngritemi në këmbë, që ta hjekim shtetin nga duart e këqija që ka ra. Me neve asnjë familje në Kosovë nuk do të mbetet pa një pagë, ose një anëtar të punësuar. Kanë premtuar 200 mijë vende të punës, sa njerëz janë punësuar në Kosovë, kanë premtuar fondin e punësimit prej 1 miliardë e gjysmë, ku është ai fond. Mu këtu në Mitrovicë çka s’kanë premtuar, zona tregtare, zona ekonomike, zona të lira, investime në bujqësi, shëndetësi më të mirë. Sot prindërit tanë i nxjerrim jashtë Kosovës për shërim, e shesin pasurinë e tyre për të shëruar të afërmit e vet. Kanë premtuar arsim më të mirë, kurrë në Kosovë arsimi me keq nuk ka qenë. E çka nuk kanë premtuar? Atëherë edhe ju mos me i votu më, me shku drejt ndryshimit me ofru opsione dhe mundësi tjera. Sado me qenë një njeri në Prishtinë, që e donë dhe i shërben vendit, pa e pas edhe kryetarin e komunës që ka dëshmuar se e donë dhe i shërben vendit, kurrë problemi i Mitrovicës nuk do të zgjidhet”, ka thënë Limaj.

Deputetja në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Nisma-s, Valdete Bajrami tha se Nisma ka arritur të bëhet pjesë e pothuajse secilës shtëpi në Mitrovicë dhe në mbarë vendin.  

Bajrami: Jemi zëri juaj në Kuvend

“Ne jemi zëri juaj në Kuvend. Shpresoj që për këto tre vite, ne kemi qëndruar fuqishëm në kundërshtimin e keqqeverisjes në nivel qendror. Nisma ka arritur të bëhet pjesë e secilës shtëpi në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe në gjithë Kosovën Nisma po korrë fitore”, tha Bajrami.

Në anën tjetër, kryetari i sapo zgjedhur i degës së Nisma-s për Kosovën në Mitrovicë, Hysni Ahmeti ka falënderuar gjithë strukturat për besimin e dhënë, ndërsa tha se do të punojë me plotë përgjegjësi në realizimin e sfidave të Nisma-s. Ai duke shpalosur në pika të shkurta programin e kësaj partie, potencoi se do të bëjë përpjekje për ndryshime të gjendjes aktuale në komunën e Mitrovicës.

Ahmeti: Detyrat thelbësore për mua si kryetar, do të jetë ndryshimi i gjendjes aktuale në komunë

“Një ndër detyrat thelbësore dhe prioritete për mua si kryetar komune, do të jetë ndryshimi i gjendjes aktuale në komunë. Ndryshime këto që do të bëhen në të mirë të qytetarëve, pa dallime partiake. Nuk do të jenë këto ndryshime në të mirë të partisë, por në të mirë të qytetarëve. Ky është edhe parimi themelor i Nisma-s për Kosovën”, tha ai.

Në fund të kësaj ceremonie, janë shpërndarë libreza për 25 anëtarë të rinj të kësaj partie në qytetin e Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat