Mustafa "përballë" Vuçiqit, armatos Kosovën me helikopterë

Politika

Mustafa "përballë" Vuçiqit, armatos Kosovën me helikopterë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 prill 2017 Në ora: 18:11
ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së fundmi ka caktuar një ekip ndërministror i cili, do të punojë në identifikimin e nevojave shtetërore dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve, për t’ju përgjigjur nevojave të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Mustafa ka theksuar se pajisja e institucioneve shtetërore me helikopterë dhe ngritja e kapaciteteve ajrore, që nuk kanë ekzistuar deri më tani, është domosdoshmëri për t’u përballur me situata të emergjencave civile apo situatave tjera brenda vendit.

Në takimin që e pati kryeministri me disa ministra, u vendos që këta helikopterë të blihen nga kompanitë më prestigjioze në botë.

Një vendim i tillë i kreut të ekzekutivit është vlerësuar lart nga ekspertët e sigurisë dhe analistët politik.

Eksperti i sigurisë: Avantazhet e blerjes së helikopterëve

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, eksperti i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi, ka folur për avantazhet që sjellë blerja e këtyre helikopterëve, duke vlerësuar se ata mundësojnë që institucionet kompentente të kapin çdo pjesë të Kosovës nga ajri.

Image
Fadil Kajtazi

“Sovraniteti i shtetit shtrihet deri aty ku mundesh ta mbizotërosh. Kjo vlen edhe për dimensionin ajror, që i bie se sovraniteti i Kosovës, në aspektin e lartësisë, shtrihet deri në lartësinë të cilën e arrin. Por, helikopteri si mjet fluturues e ka një favor taktik: atë të ngritjes dhe të uljes vertikale. Kjo mundëson që në kohë të shkurtër, njësitet e emergjencave civile, të Policisë së Kosovës, të kapin çdo pjesë të Kosovës”, ka shpjeguar Kajtazi.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa, në radhë të parë, ka krijuar kushte të stabilitetit ekonomik të vendit, që sipas tij, është premisë për zhvillim të gjithëmbarshëm të vendit.

“Për një kohë të shkurtër dhe me plotë pengesa, ai ka krijuar një buxhet, i cili lejon që ne si Kosovë të fillojmë me procedurat për formimin e njësisë së helikopterëve dhe blerjen e tyre. Padyshim se ky është një sukses i madh, pasi helikopteri si mjet fluturues, përpos që është një nevojë, është edhe një prestigj dhe krenari e vendit”, ka thënë tutje eksperti Kajtazi.

Parandalimi i veprimeve nga organizata kriminale

Ai ka folur edhe për ndihmat që ofrojnë helikopterët në fushën e emergjencave civile dhe në veprimet taktike të Policisë së Kosovës, të cilat i ka cilësuar si të mëdha.

“Edhe përdorimi i tyre në parandalimin dhe veprimin kundër organizatave kriminale, krijon epërsi të madhe taktike dhe efikasitet. Qeveria e udhëhequr nga zoti Mustafa, është e vetmja qeveri, që deri më tani është duke i bërë “karshillëk” të vërtetë Serbisë. Dhe siç e thashë, me stablitet ekonomik, me luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe me partneritet me BE-në dhe SHBA-të”, është shprehur tutje Fadil Kajtazi, derisa ka theksuar se këto janë fushat të cilat sulmohen çdo ditë nga struktura të infiltruara serbe.

“Dhe ky stabilitet i krijuar, mundëson jo vetëm blerjen e helikopterëve, por edhe të teknikës tjetër moderne të nevojshme për funksionim efikas të strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës”, ka përfunduar eksperti i sigurisë në vend Fadil Kajtazi për “Bota sot”.

Mbrojtja nga sulmet e jashtme

Edhe analisti politik Ali Hertica, vendimin e kryeministrit për të caktuar ekipin që do të punojë në drejtim të krijimit të mundësive për blerjen e mjeteve ushtarake dhe mbrojtëse, e ka cilësuar si hap të qëlluar dhe nevojë të shtetit.

“E gjithë kjo nismë, është një e arritur e Qeverisë së shtetit që tregohet se Kosova vërtetë po shkon drejt përbërjes së shtetit me të gjitha rolet e indentifikimit “shtet””, ka thënë ai.

Image
Ali Hertica

Hertica ka theksuar se ky vendim nuk është shuplakë për askënd, por realizim i politikave dhe planeve të shtetit funskional.

“Kosova nuk merr asnjë hap ndaj agresorit, por ka të drejtë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht që të jetë shtet i forcës së sigurisë, si çdo shtet tjetër dhe në çdo rast të mbrohet nga sulmet e jashtme nga kushdo qoftë kur i kanoset rreziku territorial dhe liria e qytetarit të saj pa dallim”, është shprehur analisti Hertica për gazetën.

Se hapi i tillë nga ekzekutivi i vendit ishte i nevojshëm për shkak të çështjeve teknike, e ka thënë edhe analisti Blerim Burjani.

Ai ka vlerësuar për “Bota sot” se Kosova ka nevojë për shumë arsye që të ketë helikopterë.

Image
Blerim Burjani

“Për arsye shëndetësore, për situatat emergjente, pra për situatat e vërshimeve nga shirat, rrëshqitja e dheut, zjarret në natyrë dhe ndërtesa civile dhe kuptohet në fund edhe për vëzhgime policore, luftën kundër organizatve kriminale dhe për qëllime ushtarake të patrollimit dhe çështje tjera ushtarake dhe policore”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, shteti i Kosovës për herë të parë ka bërë një veprim të duhur para se të bëjë ushtrinë e vet, për qëllime të ndryshme të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Vendimi i kryeministrit Mustafa për blerjen e helikopterëve, ka shkaktuar panik tek mediat serbe, të cilat kanë alarmuar se Kosova po armatoset në kohën kur tensionet për shkak te rastit të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, janë ende prezente.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat