Ndryshimi i ligjit për Specialen, Kuvendi i`a ka frikën miqve ndërkombëtar?

Politika

Ndryshimi i ligjit për Specialen, Kuvendi i`a ka frikën miqve ndërkombëtar?

Nga: Mimozë Lakna Më: 23 prill 2017 Në ora: 09:08
Nait Hasani

Në raportin e Komisionit Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur, të publikuar së fundi, kanë lindur dyshime serioze se civilëve shqiptar të marr peng nga forcat serbe, kur janë dërguar në Serbi u janë hequr organet.   Sipas deputetit të PDK-së, Nait Hasani, këto dyshime mund të vërtetoheshin vetëm nëse do të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se duke pasur parasysh raportin e dr. Skinner, e ka bërë edhe kërkesën në Kuvend për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.  “Po unë kam kërkuar të shqyrtohet ligji për Gjykatën Speciale, pikërisht për këtë që serbët kanë bërë krime dhe trafikim të organeve dhe e kam pas parasysh dhe këtë raport të Mark Skinnerit.

Prandaj gjykatat etnike, janë bërë vetëm në kohën e aparteidit dhe Pinoçetit në Kili dhe tash në Kosovë nga miqtë ndërkombëtarë”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.  Ndërkaq, i pyetur nga gazeta nëse do të duhej që edhe organet vendore të drejtësisë të ndiqnin këtë rast apo t`ia sugjeronin Gjykatës Speciale, ai ka deklaruar se kjo do të mund të bëhej vetëm me ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

“Kuvendi duhet të ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale, pastaj mundet të ndiqen të gjithë ata që kanë bërë krime pa dallim race gjinie, kombi a feje. Prandaj, duhet të procedohet në Kuvend, kërkesa e nënshkruar nga gjashtë deputetë për ligjin për Gjykatën Speciale që të ndërrojë,  që mos të jetë etnike Gjykata Speciale”, është shprehur deputeti Hasani.  Sipas të njëjtit,  kryesia e Kuvendit po frikësohet nga miqtë ndërkombëtarë për procedimin e ndryshimit të ligjit për Speciale. “Po pres  tash nga kryesia. Ata më duket po frikësohen që ta procedojnë për seancë. Nga miqtë ndërkombëtarë”, është shprehur ai./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat