Paniku i Vuçiq dhe plani i tij për shqiptarët

Politika

Paniku i Vuçiq dhe plani i tij për shqiptarët

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 prill 2017 Në ora: 10:54
Vuçiç

Po bëhen më shumë se katër muaj që kur nisi kriza politike në Maqedoni pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit të vitit të kaluar. Shqiptarët e Maqedonisë po vazhdojnë t`i kërkojnë të drejtat e tyre ndërsa maqedonasit po i kundërshtojnë këto kërkesa.  Njëra ndër to është kthimi i gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare të këtij shteti. E një krize e tillë e cila po mbretëron në Maqedoni, sipas Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, mund të bartet edhe tek shqiptarët të cilët jetojnë në Serbi.   “Nëse kemi shqiptarë të pakënaqur nga gjendja në Maqedoni mundet që problemi nga atje të bartet tek ne dhe të kemi probleme në jugun e Serbisë. Në qoftë se, madje, vjen deri në përleshje midis maqedonasve, që askush nuk e dëshiron, do të shkaktonte pasoja të rënda për të gjithë ne”, ka paralajmëruar ai.

Konflikti i qëllimshëm

Për analistin Zudi Xhelili, dikujt po i konvenon që kjo krizë e thellë politike në Maqedoni, të marrë përmasa të një konflikti ndëretnik. “Meqenëse kriza politike në Maqedoni nuk ka fund, VMRO –ja, në vend që të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike,  ata janë duke e komplikuar edhe me tepër atë. Dikush me qëllim pretendon, që kjo krizë e thellë politike të marrë përmasa të një konflikti ndëretnik”, ka thënë ai. Më tej, Xhelili ka potencuar se edhe arsyet e protestës në Maqedoni, që sipas tij, po bëhen për të kundërshtuar miratimin e “Platformës së Tiranës”.   

Image
Zudi Xhelili

“Në Maqedoni për çdo ditë protestohet për të penguar transformimin e pushtetit, me pretekst se Qeveria e ardhshme bën tradhti kombëtare dhe se në programin e Qeverisë së re do të miratohet "platforma e Tiranës", (protestuesit më tepër se dyzet ditë ju bëjnë fyerje të ndryshme shqiptarëve), dhe nuk lejojnë formimin e institucioneve, duke penguar shumicën parlamentare të veprojnë”, ka thënë ai.  Sipas tij, kjo situatë e komplikuar është komentuar si e rrezikshme dhe se mund të eskalojë,  në ndonjë konflikt të mundshëm mes shqiptarëve dhe maqedonasve. 

“Realiteti është krejtësisht tjetër. Partitë politike shqiptare nuk pranuan të koalicionojnë me partinë e ish kryeministrit Nikolla Gruevski për shumë arsye, sidomos për shkak të Prokurorisë Speciale. Kjo situatë e komplikuar është komentuar si e rrezikshme dhe se mund të eskalojë në ndonjë konflikt të mundshëm mes Shqiptarëve dhe Maqedonasve, ky konflikt mund të përhapet edhe në  fqinjësi me të ashtuquajturin domino efekt. Kjo me siguri e ka shti Vuçiçin të deklarohet ashtu, nëse mbas kësaj deklarate nuk fshihet dicka tjetër. Shqiptarët nuk janë ata që i fryejnë zjarrit, përkundrazi shqiptarët janë duke u sjellë me maturi dhe kërkojnë zgjidhje të situatës me mjete politike”, është shprehur Xhelili.   Ai ka kujtuar edhe faktin se më herët Rusia ka kërkuar bashkëpunëtor për të zgjeruar ndikimin e vet në Ballkanin perëndimor.

Synimi i Vuçiçit

Edhe sipas analistit Arbër Gashi, synimi i Serbisë dhe i Presidentit të posa zgjedhur Vuçiç, është pastrimi i plotë etnik i rajonit që dikur njihej me emrin Sanxhaku i Toplicës, duke mos e përjashtuar nga këto plane Luginën dhe Sanxhakun e Tregut të Ri.  “Serbia e ka të qartë, se paqja sociale, demokracia, drejtësia dhe jeta në liri nuk i shërbejnë qëllimit final për Serbinë e Madhe. Për këtë arsye, investimet kapitale serbo-ruse në procesin e destabilizimit të rajonit dhe hedhjen e fajit kolektiv te shqiptarët, është synim i përhershëm i politikës së boshtit Moskë-Athinë-Beograd”, ka thënë Gashi.

Image
Arbër Gashi

Ky i fundit,  ka nënvizuar se kohëve të fundit, trekëndëshit Moskë-Athinë-Beograd i është shtuar edhe Turqia.  “Për fatin tonë të keq, këtij trekëndëshi kohëve të fundit i është shtuar edhe Ankaraja, e cila, siç shpërfaqet botërisht, ka hequr dorë nga politika e dikurshme kemaliste, duke i riaktualizuar shpresat e sundimtarëve të rinj në Bosforë, se shqiptarët mund të instrumentalizohen sërish për interesa të tjera”, ka thënë ai.  Sipas tij, armiqtë besojnë, se për t'i dhënë goditje vdekjeprurëse interesit nacional të shqiptarëve, nevojiten investime të mëdha, gjë që po e praktikojnë përmes kanaleve shumë të dyshimta.  “Prandaj, kur i referohemi IRJM-së, nuk mund ti shohim rrjedhat negative në këtë shtet, si të shkëputura nga këto ndikime që synojnë destabilizim, konflikt dhe shkatërrim të shtetit atje. IRJM-në, si shtet demokratik po e mbajnë gjallë shqiptarët. Për këtë fakt shumë domethënës, janë të vetëdijshëm edhe zyrtarët evropian në Bruksel, si dhe ata amerikan, në Washington DC”, ka përfunduar analisti Arbër Gashi.

Ballkani i përfshirë nga zhvillime të reja

Ndërkaq analisti Albrim Badallaj, ka deklaruar se deklaratat e Vuçiçit lënë të nënkuptohet, se do të ketë zhvillime të reja politike në Ballkan, dhe jo vetëm.  “Në këtë periudhë kemi një situatë jo të qetë si në Shqipëri, Kosovë Maqedoni, Serbi, por edhe tek rasti protestave Rumanisë, duke u përfshirë i gjithë rajoni, gjë që flet qartë për lëvizje të reja në Ballkan, ndoshta pse jo edhe deri tek ndryshimi i kufijve, ka thënë ai.  Mirëpo, sipas Badallajt, Vuçiç përmes këtyre deklaratave dëshiron të paraqitet në rolin e viktimës, në rast se shqiptarët në Luginën e Preshevës fillojnë të ngriten për të drejtat e tyre të mohuara, ashtu siç janë duke bërë shqiptarët në Maqedoni, apo të ketë një reprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë.  

Image
Albrim Badallaj

 “Një lëvizje e tillë tek e cila po aludon Vuçiç, për në Maqedoni është e qartë që edhe ai e di, se nëse ka konflikt të hapur dhe konfrontues midis shqiptarëve dhe maqedonasve, atëherë kjo lëvizje do të bartet në të gjitha viset ku ka shqiptarë, duke u shndërruar në një uragan të pandalshëm. Kësisoji Vuçiç përveç se do ketë probleme në  Luginë, e di qartazi se edhe minoriteti serb nuk do të mund të jetë më faktorë apo edhe do të shpërngulet. Kjo situatë aktuale flet qartë se pa ridefinim të kufijve dhe pa një zgjidhje të situatës së shqiptarëve, duke i bashkuar në një shtet, nuk do të ketë rehati e as siguri në Ballkan dhe kjo jo për faj të shqiptarëve, por për shkak të mohimit të drejtave të tyre në shtetet fqinje joshqiptare”, ka theksuar ai.   Për këtë arsye, Badallaj ka thënë se Serbia duhet të ketë pasoja dhe penalizime për krimet e bëra në Ballkan dhe konkretisht ndaj shqiptarëve fillimisht, e pastaj edhe për mohimin e drejtave të shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat