Kadri Veseli keqpërdor postin, kështu po i harxhon paratë e shtetit

Politika

Kadri Veseli keqpërdor postin, kështu po i harxhon paratë e shtetit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 prill 2017 Në ora: 14:10
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Akuzat e opozitës sa vijnë e shtohen për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, njëherë edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli se po bënë fushatë elektorale me buxhetin e shtetit.

Kësaj radhe, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se kreu i Kuvendit qe një kohë të gjatë nuk është në Kuvend, por në fushatë zgjedhore.

“Veseli aktivitetet jashtë  Kuvendit po i bën me para të buxhetit të Kosovës. Është mirë që sa ma parë të shkojmë në zgjedhje dhe Kuvendi t’i kthehet seriozitetit”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me këtë çështje, “Bota sot” ka tentuar që të marrë përgjigje se ku i mbështet Haxhiu këtë deklaratë, por kontakti me të ishte i pamundur.

Ndërkaq, analistët vlerësojnë se kjo nuk është hera e parë që elita politike i përdor paratë e shtetit për fushatën elektorale.

Image
Analisti Seremb Gjergji

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Seremb Gjergji, ka thënë se asnjëri nga udhëheqësit duhet të mos e dëmtojë buxhetin, dhe është shumë e nevojshme të veprohet drejt nga secili.

“Definicioni se kush bënë e kush nuk bënë, është i gjerë. Albini në fushatën në Austri, është me para të buxhetit. Madje, definicioni se sa është e buxhetit dhe kush ka të drejtë, është një fushë e gjerë.  Por, secili udhëheqës duhet të ketë ujë në sy dhe mos e dëmtojë buxhetin, edhe pse është zonë e hirtë a lejohet a jo. Pra, është shumë e nevojshme të veprohet drejt nga secili”, ka thënë Gjergji.

Po ashtu, ai ka theksuar se pjesëtarët e partive politike po deklarojnë pa u konkloduar me ligjin dhe vetëm për të kritikuar.

KQZ të definojë procedurat

Për më tepër, Gjergji ka thënë se si kryetar i Kuvendit, Veseli me ligj obligohet të përdorë disa përfitime që ia lejon funksioni si Kryetar i Kuvendit.

“Zonja Haxhiu dhe të gjithë ata pjesëtarë të partive që deklarojnë pa u konkloduar me ligjin, më bëjnë të kuptoj se deklarojnë vetëm për të kritikuar. Më e rëndësishme se kaq, z. Veseli si kryetar i kuvendit, me ligj obligohet të përdorë automjetet, sigurimin, policinë dhe disa përfitime të tjera që ia lejon funksioni si Kryetar i Kuvendit. Me i ndodhë diçka atij apo kujtdo tjetër: e vetmja përgjigjeje është; kështu ka dashur ai vet”, ka thënë Gjergji për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor duhet të definojë procedurat se çka kryhet prej shtetit e çka prej partive.

“Këtu edhe KQZ-ja duhet të deklarojë dhe definojë procedurat se çka kryhet prej shtetit e çka prej partive. Dihet se procedurat po avancojnë çdo ditë.  Ai i cili kujdeset për familjen e vet, kujdeset edhe për buxhetin e shtetit”, ka theksuar Gjergji.

Image
Analisti Islam Krasniqi

Keqpërdorimet e politikanëve

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi ka thënë se jemi mësuar që t`i shohim politikanët të cilët e keqpërdorin buxhetin e shtetit. Edhe Veseli, sipas tij, po bën fushatë elektorale duke e përdorur postin e kryetarit të Kuvendit.

“Më këtë elitë politike jemi mësuar t’i shohim se çdo politikani që iu ka dhënë mundësia, e keqpërdor buxhetin e shtetit, ka abuzuar me taksat e qytetarëve, për t’i arritur qëllimet e veta. Edhe z.Veseli po bën fushatë elektorale, në emër të PDK-së, me buxhetin e shtetit, duke e përdorur postin e të parit të Kuvendit, veprim i cili nuk është i ndershëm, por që nuk i intereson askujt për këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se deputetja Haxhiu ka pasur të drejtë kur ka kritikuar kryetarin Veseli për fushatën elektorale.

“Edhe deputetja e ka pasur shumë të drejtë për kritikat ndaj kryetarit të Kuvendit, për fushatën e tij, e cila po e dëmton buxhetin e Kosovës, e që nuk i intereson askujt, sepse në Republikën e Kosovës vlen parimi "Kush është i pari nga pushteti, është i pa prekshëm edhe nga drejtësia", siç ishte edhe rasti i parashkrimit të lëndës së ish-ministrit, me arsyetimin e vjetërsisë së saj, çka na bën të kuptojmë se për keqpërdorime, mashtrime, abuzime të buxhetit të Kosovës nuk i intereson askujt”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat